Vuçiç: Deri më 2022 s'ka njohje të Kosovës, pastaj vendos populli! Reagon Hoti: Nuk ka marrëveshje pa njohje

19 Dhjetor 2020, 09:13| Përditesimi: 19 Dhjetor 2020, 17:00

  • Share

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se derisa të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi më 2022, nuk do të ndodhë njohja e Kosovës.

"Pas kësaj është populli ai i cili do të vendosë", ka thënë Vuçiç në një intervistë për televizionin serb TV Prva.

Me këtë deklaratë, Vuçiç mund të ketë aluduar në mbajtjen e ndonjë referendumi për këtë çështje, megjiithatë ka theksuar se asnjë vend në Perëndim nuk mendon se Kosova nuk është e pavarur.

"Opinioni i Uashingtonit, pavarësisht se kush është në pushtet, nuk do të ndryshojë, megjithëse marrëdhënia ishte disi e ndryshe gjatë administratës së Donald Trump", tha Vuçiç.

Presidenti serb disa herë gjatë periudhës së fundit ka folur për mundësinë e një ndryshimi të pozicionin amerikan ndaj Serbisë në raport me Kosovën, pas fitores së presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar më 4 shtator, në Uashington dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ora 16:50
Hoti i përgjigjet Vuçiç: Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa njohje reciproke

Edhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka reaguar në lidhje me deklaratën e Aleksandër Vuçiç ku tha se nuk do të njohi Kosovën deri në vitin 2022.

“Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa njohje reciproke”, ka thënë Hoti përmes një statusi të publikuar në rrjetin e tij social Facebook.

Ai shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar që të gjitha çështjet e hapura që ka me Serbinë të mbyllen përmes dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së.

“Deklaratat se fqinji ynë verior nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës nuk i kontribuojnë dialogut” ka thënë kryeministri.

Në fund të postimin ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë rrugën drejt BE-së.

 

 

Ora 13:43
Vuçiç: Nuk do ta njoh Kosovën deri në 2022/ Reagon Ministrja e Jashtme e Kosovës duke ngritur dy hipoteza për deklaratën e tij

Ditën e djeshme presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se nuk do të njohi Kosovës deri në vitin 2022 dhe për sa kohë do të jetë ai në detyrë. Kjo ka sjellë reagimin e ministres së jashtme të Kosovës  Meliza Haradinaj-Stublla duke ngritur dy hipoteza për deklaratën e Vuçiç.

Përmes një statusi në rrjetin e saj twitter ministrja ka shprehur se “Serbia po përjashton vetën nga dialogu i ndërmjetësimit të Bashkimi Evropian deri në vitin 2022” ose “ Ndërmjetësuesi beson se ‘normalizimi i plotë’ nuk nënkupton domosdoshmërisht njohjen reciproke.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se derisa të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi më 2022, nuk do të ndodhë njohja e Kosovës.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?