Presidenti serb Vuçiç dhe kryeministri sllovak Fico
Një apel për një armëpushim në Ukrainë, pezullimin e armiqësive dhe hedhjen e themeleve për rikthimin e paqes në atë teatër lufte, u bë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri sllovak Robert Fico, në takimin e tyre të sotëm (21 Nëntor) në Beograd.
Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp, Vuçiç tha se zhvillimet e fundit dramatike në konflikt, me lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale nga Rusia kundër Ukrainës, ishin të pritshme dhe rrezikonin ta çonin botën në prag të katastrofës.
“Nëse dikush mendon se mund të godasësh çfarë të duash në territorin e Federatës Ruse me logjistikën ushtarake perëndimore dhe se kjo do mbetet pa përgjigje dhe se Putini nuk do përdorë çdo lloj arme që ai e sheh të nevojshme, apo nuk e bën këtë, ti nuk e njeh (Putinin) ose nuk je normal”, tha Vuçiç.
Më tej ai shtoi se po shkojmë ngadalë drejt katastrofës.
“Askush nuk dëshiron të dëgjojë askënd, askush nuk dëshiron të dëgjojë fjalën paqe”, shtoi presidenti serb, duke nënvizuar se vendi i tij dëshiron armëpushim dhe paqe. Sipas tij është Kievi ai që mendon se Moska nuk dëshiron paqe.
"Por unë mendoj se kjo është e vetmja ide e mirë dhe normale", shtoi ai.
Një qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe kryeministri Fico, sipas të cilit zhvillimet e fundit tregojnë se nuk ka interes për t'i dhënë fund konfliktit. Prova, thotë ai, është vendimi i presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar përdorimin e raketave perëndimore me rreze të gjatë veprimi për të goditur thellë territorin rus, shkruan “Corriere della Sera”.
“Ky është një përshkallëzim i paprecedentë i tensioneve”, tha Fico, duke shtuar se shpresonte që me zgjedhjen e Donald Trump si president i ri i SHBA-së, do të jetë e mundur të arrihet në një dinamikë tjetër negociuese, midis Shteteve të Bashkuara dhe Federatës Ruse.
Lajmi kryesor:
Lufta në Ukrainë/ Putin: Me raketat perëndimore konflikti është global
A.Q/ReportTv.al