Kërkesa e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, për të vizituar Kosovën është refuzuar nga nstitucionet e Republikës së Kosovës. Lajmi është dhënë nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.
Ministrja Haradinaj-Stublla tha se kërkesa e presidentit Vuçiç, ministrit të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe Petar Petkoviç për të vizituar Kosovën, vjen në një kohë kur në Serbi po kryhen gërmime pas gjetjeve të eshtrave të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet më pas.
Sipas saj, kërkesa për vizitë në Kosovë e zyrtarëve serbë është ofendim.
Ndërkohë që ministrja Haradinaj-Stublla kishte bërë kërkesë që të shihte nga afër gërmimet në Kizhevak, ku dyshohet për varrezë masive dhe theksoi se kjo vizitë duhet shtyrë për një datë tjetër.
“Qytetarët e Kosovës, familjet e të pagjeturve, të vrarëve dhe të masakruarve nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, pyesin me të drejtë se çka do të ndodhë pas zbulimit të varrezave masive dhe rivarrosjes? Deri kur drejtësia ndërkombëtare do të lejojë, që po ata që kryen krimet te kryejnë edhe hetimet e gjykimet?, tha ministrja.
Një kërkesë e tillë kreut të Serbisë për vizitë në Kosovë vjen pas gjetjes së një varreze masive në Serbi ku dyshohet se janë trupat e shqiptarëve të Kosovës.