Një ndeshje me vështirësi të madhe organizimi pritet të jetë ajo mes Serbisë dhe Shqipërisë e cila është planifikuar për në datën 11 tetor 2025 dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Veç raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve, edhe ana sportive këtë herë vlen shumë pasi një fitore në këtë duel do bënte që secili ekip të kishte shanse për vendin e dytë që të dërgon në play-off e Botërorit, pozitë kjo që për momentin mbahet nga Shqipëria.
Humbja 0-5 e Serbisë nga Anglia në mes të Beogradit dhe tensionet e tifozëve, mpleksur me situatën e acaruar dhe protestat në vend, kanë bërë që Federata Serbe e Futbollit zyrtarisht të kërkojë nga UEFA që sfida kundër Shqipërisë mos luhet në Beograd, ashtu siç është parashikuar, por dueli të zhvendoset në jug të Serbisë, në qytetin e Leskovac, stadiumi i të cilit ka një kapacitet prej afro 8 mijë ulësesh.
Serbia pret një dënim shembullor nga FIFA pas sjelljes së tifozëve kundër Anglisë dhe me gjasë stadiumi do jetë në kapacitet të reduktuar të paktën 50 përqind, për mos thënë që serbët mund të bëhen shembull dhe dyert të 'kyçen' për publikun.
Në të tilla kushte në Serbi i kanë paraprirë kësaj situate, duke marrë parasysh edhe grupimet huligane në atë vend dhe ndeshjen delikate me tanët, andaj kërkojnë zhvendosjen e ndeshjes.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë së fundmi se sfida do luhet në Leskovac.
“Më thonë nga federata që me Shqipërinë do të luajmë në Leskovac. Lajm shumë i mirë. Aty e duan kombëtaren dhe atmosfera është pozitive. Nuk e di nëse do të kemi tifozë, sepse FIFA dhe UEFA mund të na dënojnë për idiotësirat që ndodhën ndaj Anglisë. Nëse po, do të bëjmë gjithçka për të mbështetur ekipin”, u shpreh presidenti serb.
Vuçiç ka qenë shumë i ashpër me Federatën Serbe të Futbollit, duke i kritikuar ata për zgjedhjen që bënë për ta luajtur sfidën me Anglinë në 'Rajko Mitiç'.
“Nuk e di kush e ndryshoi stadiumin për Anglinë. Ndoshta Federata nuk e ka përballuar dot presionin nga ambasada britanike. E luajtëm ndeshjen në Beograd në një atmosferë që nuk i bën mirë kombëtares. Aty tifozët nuk e duan kombëtaren dhe e pamë të gjithë se çfarë ndodhi në tribunë dhe në fushë”, tha Vuçiç.
Nga ana e saj, UEFA në kanalet zyrtare këtë duel ende e ka të programuar në stadiumin "Rajo Mitic" në Beograd, duke mos bërë asnjë njoftim të ri.
Faximile e UEFA-s, ku ndeshja ende është e caktuar në Beograd
Komente
