Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk do të komentojë asgjë pas takimit me përfaqësuesit e vendeve të QUNT-it.
“Kam marrë vendimin që të mos them asnjë fjalë për takimin me përfaqësuesit e vendeve të QUNIT-it dhe me shefin e delegacionit të BE-së në Serbi. Mendoj se është më mirë për të gjithë”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.
Presidenti i Serbisë, mëngjesin e së mërkurës, më 14 qershor, ka takuar përfaqësuesit e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe me shefin e delegacionit të BE-së.
Takimi ka ndodhur një ditë pasi Policia e Kosovës ka arrestuar Millun Millenkoviq-Lunet në veri të Kosovës.Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Millenkoviq ishte një nga organizatorët e sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan dy javë më parë.
Tensionet në veri të Kosovës u shtuan në fund të majit kur policia e Kosovës futi kryetarët e rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.Komuniteti ndërkombëtar e ka fajësuar Kosovën për situatën e krijuar në veri.
Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri, ka mësuar Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike.
Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare.Ata kanë thënë se takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes./REL