Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar gjate një interviste për televizionin serb ‘Prva’, se bisedimet midis delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës që do të zhvillohen në Uashington, ka shumë mundësi që do të mbahen më 3 dhe 4 shtator dhe aty mund të jetë i pranishëm edhe presidenti amerikan Donald Trump
Të premten, Vuçiç paralajmëroi për mundësinë e shtyrjes së takimit në Uashington, që është paralajmëruar për 2 shtator, mirëpo, nga Qeveria e Kosovës deklaruan se nuk kanë informacione nëse takimi do të shtyhet.
Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Selim Selimi ka thënë se shtyrja me dy ditë, për në 4 shtator e takimit në SHBA për dialogun Kosovë- Serbi lidhet me axhendën e Shtëpisë së Bardhë. Saktësisht tha ai, takimi varret nga axhenda e zyrtarëve të lartë të SHBA, O’Brien, Richard Grenell dhe të tjerë që merren me dialogun teksa ka konfirmuar se do të jetë pjesë e ekipit të Kosovës në Uashington.Sa i përket delegacionit të plotë, Selimi shprehet se para udhëtimit për në SHBA do të zhvillohet një takim me Hotin për të përcaktuar emrat.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, më 14 gusht njoftoi se më 2 shtator, dy vendet do të takohen në Uashington ku do të diskutohen kryesisht çështje të aspektit ekonomik
Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar fillimisht për 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas pothuajse 2 vjetësh ndërprerje, rinisi në Bruksel më 16 korrik të këtij viti. Ky proces ishte pezulluar në nëntor të vitit 2018, për shkak të taksës 100% të vendosur ndaj importeve serbe. Më pas kjo taksë u zëvendësua me të ashtuquajturin ‘reciprocitet’, të vendosur nga ish kryeministri Albin Kurti por qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti e hoqi atë, me qëllim, që t’i jepet shansi rinisjes së dialogut.