Aleksander Vuçiç

Vuçiç: Serbia s'do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi Kosovën

13 Shtator 2022, 12:35| Përditesimi: 13 Shtator 2022, 16:19

  • Share

"Derisa unë të kem ndikim, Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës", tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

"Unë nuk do të heq dorë nga lufta ime legjitime për interesat shtetërore dhe kombëtare, si dhe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare”, tha ai.

Vuçiç i bëri komentet në seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Serbisë, ku në rend dite është procesi i negociatave midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Pikë e vetme e rendit të ditës në këtë seancë është raporti i Qeverisë serbe për negociatat e mbajtura me Kosovën përgjatë një viti, përkatësisht nga 15 qershori i vitit 2021 deri më 1 shtator të vitit 2022.

Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur. Procesi duhet të rezultojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Kosova këmbëngul që kjo marrëveshje të përfshijë njohjen e ndërsjellë; Serbia, tash për tash, nuk pranon.

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Vuçiç tha se "histeria e bashkësisë ndërkombëtare për shkak të konfliktit në Evropë, reflekton edhe në Serbi". Kjo e vë Serbinë "në një situatë edhe më të vështirë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës", tha Vuçiç.

Kosova është shtet i pavarur qysh në vitin 2008. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Duke folur para Kuvendit të Serbisë, Vuçiç tha se "politika reale nuk mund të mbështetet në mite dhe fantazi".

Sipas tij, duhet bërë dallimi mes "realitetit dhe mundësisë" për të luftuar si shtet dhe si komb "për atë që themi se është më e rëndësishme për ne". Ai tha se detyrë është që në hapësirat ku ka serbë dhe shqiptarë, të sigurohet një jetesë më e mirë për ta.

"Kjo detyrë e vështirë duhet të kryhet, në mënyrë që serbët të mbijetojnë si shtet dhe si popull", tha ai.

"Hapësira në të cilën ne punojmë, është e tillë që mundësitë për përparim dhe përmirësim janë të pakta, ndërsa shanset për të shkuar në humnerë janë mjaft të lehta dhe, nëse përdorim politikën e gabuar, pothuajse të sigurta", tha presidenti i Serbisë.

Duke folur për situatën aktuale në Kosovë, Vuçiç tha se "jemi ballafaquar me sfida të mëdha të sigurisë", dhe se është vënë re "prani në rritje e forcave të sigurisë të Prishtinës në veri të Kosovës".

Në pjesën veriore të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe, funksionojnë edhe organe paralele të Serbisë. Seanca e Kuvendit të Serbisë po ndiqet edhe nga anëtarë të Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Seancën për Kosovën e kërkuan grupet e caktuara opozitare në Kuvendin e Serbisë – Dveri, Partia Popullore, koalicioni Shpresa (Nada). Më 6 shtator, Partia Popullore paraqiti në Kuvend propozimin e saj për rezolutën për Kosovën dhe tri ditë më vonë të njëjtën gjë e bëri edhe lëvizja e djathtë, Dveri. Në dokumentin e Partisë Popullore, lider i së cilës është ish-shefi i diplomacisë, Vuk Jeremiç, thuhet se Serbia nuk e njeh dhe nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Gjithashtu, propozohet që në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë të paraqitet një propozim për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut të Brukselit.

Parakusht për vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën, sipas Partisë Popullore, është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit. Rezoluta e propozuar nga Dveri thotë se askush që mban poste publike, nuk ka të drejtë të nënshkruajë një dokument obligues për pavarësinë e Kosovës.

Gjithashtu, kërkohet që Qeveria e Serbisë të marrë përsipër ndërprerjen e komunikimit dhe negociatave me Prishtinën, si dhe anulimin e marrëveshjeve të arritura. Propozohet kalimi i negociatave nga Brukseli në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dveri sugjeron që Qeveria e Serbisë të kërkojë ndihmën dhe mbështetjen e Rusisë dhe Kinës - dy vende aleate të Serbisë, që nuk e njohin Kosovën./REL

Ora 16:18
‘Tregoji qytetarëve serbë për Kosovën të vërtetën dhe jo dëshirat boshe!' Deputeti shqiptar përplaset me Vuçiçin në Kuvend

1663078712_ShaipKamberi41024x576.jpg

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se Kosova është shtet i pavarur, teksa në organin ligjvënës presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, prezantoi raportin për dialogun politik me Kosovën.

“Çfarëdo që dëshironit arrini atje, duhet ta arrini në marrëveshje me autoritetet lokale dhe kushdo që është në pushtet atje, Serbia nuk ka ndikim”, tha Kamberi.

Ai iu kundërpërgjigj deklaratave të Vuçiqit, i cili tha se për aq kohë sa ai të ketë ndikim “Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës”. Kamberi tha se serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës kanë të drejta të shumta, të garantuara me Kushtetutë, dhe kanë përfaqësim në Kuvend dhe Qeveri, ndërkaq këto të drejta nuk i ka minoriteti shqiptar dhe minoritetet e tjera që jetojnë në Serbi. Vuçiq i tha Kamberit se “nuk kam asgjë kundër” dënimit të krimeve që kanë ndodhur kundër shqiptarëve, por shtoi se pala tjetër “hesht dhe nuk po flet” për krimet, siç tha presidenti serb, të kryera nga ata. Vuçiq po ashtu e pranoi se Kamberi ka të drejtë kur thotë se autoritetet nuk po investojnë mjaftueshëm në dy komunat në jug të Serbisë, që banohen nga shqiptarët – Preshevë dhe Bujanoc, por edhe në Medvegjë. Por, presidenti i Serbisë paralajmëroi se do të ketë më shumë investime në këto tri komuna, që njihen ndryshe edhe si Lugina e Preshevës. Ndryshe, në Kuvendin e Serbisë u prezantua raporti i Qeverisë për dialogun e zhvilluar me Kosovën që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Kosova dhe Serbia e zhvillojnë këtë proces që nga viti 2011, i cili ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve. Por, dy palët kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të procesit. Kosova kërkon që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia synon një zgjidhje kompromisi.

D.GJ//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Albi: 13/09/2022 17:25

    Kjo done me than se heret a vone kena edhe nje lufte tjeter me serbin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?