“Që nga fillimi i krizës në Ukrainë, Serbia është ndodhur në një situatë shumë të vështirë dhe nën presion të madh, por megjithatë ka arritur të ruajë pozicionin e saj dhe të mbrojë pavarësinë," deklaroi presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se vendi i tij është i vetmi në Evropë që nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Federatës Ruse. Vuçiç shtoi se Serbia do të mbajë neutralitetin e saj edhe në të ardhmen.
Sipas tij, për Serbinë është shumë e rëndësishme të ketë bashkëpunim në nivelin më të lartë me Rusinë në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e energjisë dhe sa i përket furnizimeve me gaz rus.
“Shpresoj që të kemi mundësinë jo vetëm ta ruajmë, por edhe të përmirësojmë disa aspekte të bashkëpunimit. Energjia është një sektor jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, dhe furnizimet me gaz kanë rëndësi të madhe,” tha ai.
Lidhur me këtë, Vuçiç vuri në dukje se ndërtimi i një naftësjellësi së bashku me Hungarinë do të mund të forcojë bashkëpunimin e Serbisë me Rusinë në fushën e energjisë.
"Të gjitha kompanitë ruse janë të mirëseardhura, të gjitha ato që dëshirojnë të marrin pjesë në projekte infrastrukturore në Serbi, përfshirë RZD, Rosatom dhe shumë të tjera,” u shpreh Vuçiç.
Presidenti serb falënderoi presidentin rus Vladimir Putin për takimin e sotëm në Pekin, si dhe për mikpritjen e treguar gjatë takimit të tyre të mëparshëm në Moskë, më 9 maj, në kuadër të festimeve për 80-vjetorin e fitores kundër nazifashizmit.
Vuçiç ritheksoi gjithashtu mirënjohjen e Beogradit për respektin e treguar nga Rusia ndaj integritetit territorial të Serbisë dhe për marrëdhënien miqësore ndaj popullit serb. (La Repubblica)
Ndërkohë Kremlini publikoi një pjesë të fjalës së Putin në nisje të takimit me Aleksandër Vuçiç. Presidenti rus thekson se çështjet e Ballkanit janë pjesë e diskutimeve mes të dyve.
“Ne e shohim dhe e respektojmë politikën e jashtme të pavarur që Serbia po ndjek nën udhëheqjen tuaj. Dhe jam i kënaqur që kam mundësinë të flas sot për çështje dypalëshe dhe rajonale, siç bëjmë gjithmonë kur kemi mundësinë të takohemi personalisht dhe të flasim” tha Putin në nisje të takimit me Vuçiç.
Komente
