Aleksandar Vulin

Vulin i sanksionuar nga SHBA, pjesë e qeverisë së re të Serbisë

30 Prill, 20:18| Përditesimi: 30 Prill, 20:21

  • Share

Qeveria e re e Serbisë do të përfshijë ish-shefin e zbulimit Aleksandar Vulin, një politikan që mbështet lidhjet e ngushta me Rusinë, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur non-grata. Njoftimi u bë të martën nga kryeministri i mandatuar për formimin e qeverisë së re, Millosh Vuçeviç.

Aleksandar Vulin do të shërbejë si një prej disa zëvendëskryeministrave, tha Millosh Vuçeviç, ndërsa njoftoi përbërjen e kabinetit të tij të ardhshëm, që pritet të votohet në parlament në ditët në vijim.

Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ka mbajtur marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës, për shkak të sulmit të saj ndaj Ukrainës.

Përfshirja e Aleksandar Vulinit në qeverinë e re sugjeron forcimin e lidhjeve me Rusinë pavarësisht rrugës së shpallur zyrtarisht pro-Bashkimit Evropian nga Serbia.

Partia opozitare Lëvizja e Qytetarëve të Lirë tha se me përfshirjen e Aleksandar Vulinit në qeverinë e re “Serbia zyrtarisht nuk është më në rrugën evropiane”.

Partia Liberale tha se emërimi i tij paralajmëron "izolimin ndërkombëtar, konflikte në rajon, lidhje me Rusinë si dhe goditje për të gjitha liritë civile në vendin tonë".

Në korrik, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Aleksandar Vulinit, duke e akuzuar atë për transport të paligjshëm armësh, trafik droge dhe keqpërdorim të posteve publike.

Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja tha se ai ka përdorur postin e tij, për të ndihmuar një tregtar serb armësh, të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, që të transportonte dërgesa të paligjshme armësh, përtej kufijve të Serbisë. Autoritetet amerikane e akuzojnë Aleksandar Vulinin për përfshirje në një rrjet trafiku droge.

Aleksandar Vulin dha dorëheqjen si drejtor i Agjencisë serbe së Zbulimit (BIA) pas vendosjes së sanksioneve ndaj tij. Ai kishte shërbyer më parë edhe në detyrën e shefit të ushtrisë dhe policisë.

Së fundmi ai ka marrë dy medalje nderi nga Rusia, njërën prej Shërbimit Federal të Sigurisë ruse dhe tjetrën nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Millosh Vuçeviç, i emëruar për postin e kryeministrit, ka shërbyer më parë si ministër i Mbrojtjes i Serbisë.

Emërimi i tij erdhi pas një procesi të tensionuar zgjedhor në muajin dhjetor, ku partia e djathtë populiste në pushtet e Presidentit Aleksandar Vuçiç fitoi shumicën e vendeve në parlamentin prej 250 anëtarësh.

Zgjedhjet nxitën tensione politike për shkak të njoftimeve për parregullsi në masë, të raportuara nga vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë. Pas zgjedhjeve opozita organizoi protesta./ VOA

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?