Kronikë

Në kërkim nga SPAK për tritol e bashkëpunim në vrasje, ekstradohet nga Holanda ushtari i bandës së Laert Haxhiut

16 Mars, 14:12| Përditesimi: 16 Mars, 17:48

  • Share

Është ekstraduar nga Holanda 30-vjeçari, Kristi Bixheku, njëri nga personat i konsideruar si ushtar i Laert Haxhiut, që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzën vendosje eksploziv, bashkëpunim në vrasje dhe grup kriminal. Sipas prokurorisë Bixheku, dyshohet se së bashku me Laert Haxhiun, Erisiano Abedini dhe bashkëpunëtorin e drejtësisë, Artan Tafani, kanë organizuar dhe vendosur në dy raste një sasi tritoli në banesën e Bujar Turkut në Lushnjë.

Motivi që Laert Haxhiu dha këtë porosi sipas dëshmitarit të drejtësisë ishte konflikti që kishte Haxhiu me nipin  e Bujar Turkut, i cili jetonte mes Anglisë dhe Gjermanisë dhe i kishte një borxh të pashlyer 30 mijë euro Laertit. I penduari i drejtësisë, Tafani, ka treguar se Laert Haxhiu e ka porositur atë dhe Kristi Bixhekun, që të organizonin vendosjen e tritolit tre here në banesën e Bujar Turkut.

"Kristi Bixheku, 30 vjeç, lindur në Lushnjë ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka caktuar masën e sigurisë, “Arrest me burg”, për veprat penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Sigurimi i kushteve material për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe”Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal.

Kristi Bixheku në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka siguruar lëndën shpërthyese që është vendosur në shtëpinë e shtetasit Bujar Turkut., më datë 31.12.2022, në qytetin e Lushnjës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas Tafanit, vetë Bujar Turku ka hyrë në komunikim me Laert Haxhiun duke I premtuar  se do ia shlyente borxhin e pa kthyer, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Në të dyja rastet Kristi Bixheku ka shërbyer si shofer, që ka marrë nga vendi i ngjarjes Tafanin, duke e çuar në drejtim të Tiranës. Ndërsa në rastin e tretë ende nuk është mësuar emri i personit që ka vendosur sasinë e eksplozivit.  Pak muaj më parë u ekstratdua nga Greqia edhe Laert Haxhia, i cili u dënua me burgim të përjetshëm edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit  për masakrën e ndodhur në Lushnje në vitin 2018 ku shënjestra ishte nipi i Aldo Bares. 

Xh.K/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?