KORÇË- Vëllezërit Veshaj dhe Elgit Doda janë bërë sot lajm, por jo për një ngjarje “Vip Spektakël”, por kronikë. Kjo sepse avokati në Korçë, Esmerald Xhafa ka paditur ministrinë e kulturës, drejtorin e muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar dhe drejtorin e Muzeut të Fotografisë “Gjon Mili” për shkak të klipit “Picaso” që ato kanë regjistruar në ambientet e muzeut, sipas së cilit nga blici i fortë i kamera afresket mund të jenë dëmtuar. Ato akuzojnë zyrtarët se kanë shpërdoruar detyrën, pasi nuk mund të jepnin leje për të zhvilluar një klip në muzeun mesjetar.
“Kam bërë kallëzim në lidhje me ministrinë e kulturën, drejtorin e muzeut dhe drejtorinë e fotografisë në lidhje me xhirime që janë kryer për realizimin e këtij klipi, të gjithë jemi koshient për rregullat në një muze, sidomos ai i muzeut mesjetar të arti mesjetar, ku afresket dhe ikonat kanë një rëndësi të veçantë dhe nuk duhet të përdoret blici gjatë filmimeve dhe fotografive, këto muzetë janë me kamera, prokuroria t’i marrë këto pamje, ndërsa sa i përket ato që e realizojnë këtë vepër penale, nëse do ketë vepër penale për realizuesit e klipit, duhet të ketë një akt ekspektimi për këtyre veprave. Kallëzimi konsiston për sa I përket shpërdorimin të detyrës nga muzeu, pasi ligji për trashëgimitë në brendësi të tij parashikon dhe masa edhe kur është marrë leja nga ministria e kulturë, edhe nëse është marrë nuk mund të përdoreshin ato pamje dhe blici duke filmuar ato ikona që dihet sa të vjetra dhe delikate janë” tha ai.
Ai thotë se kjo është një iniciative e tij personale që do i shkojë deri në fund.
“Është iniciativë e imja personale, kur pashë pamjet që janë përdorur, artin e duan të gjithë, por duke bërë atë art nuk mund të përdhosin këtë art. Nuk kam parë klip në muzeut të kësaj kategorie, ndoshta ne jemi një vend që plotëson dëshirat e VIP-ve, Duke qenë një iniciativë e imja personale do e ndjek deri tani”, tha avokati.
Mirëpo lidhur me këtë kallëzim Fjoralba Prifti, drejtoresha e muzeut të artit mesjetar për Report Tv është thënë se këngëtarët kanë marrë leje dhe se gjatë regjistrimit nuk është bërë asnjë padrejtësi kundrejt rregullave të etikës.
“Grupi i këngëtarëve ka aplikuar në ministrinë e Kulturës, është aprovuar që grupi të kryejë xhirime, të gjitha janë Brenda kushteve të lejuara të muzeut, muzeu është një institucion shtetëror laik, dhe nuk është bërë asnjë padrejtësi kundrejt rregullave të etikës”, tha Prifti.
Burime nga Ministria e Kulturës bëjnë me dije se leja është marrë në konform rregullave.
"Gjithçka është bërë konform Ligjit të Trashëgimisë Kulturore dhe Muzetë, 2018. Xhirimet janë bërë të montuara që të shmangej numri i lartë i njerëzve, aparaturave etj., si dhe për të garantuar sigurinë e veprave të Muzeut. Personat në fjalë kanë paguar tarifën e caktuar për shërbime të këtij lloji. Në kërkesën dërguar Ministrisë së Kulturës, specifikohej ndër të tjera që xhirimet nuk do të cënonin integritetin e muzeut, e madje do të shërbenin për të promovuar këtë muze si atraksion kulturor”, tha burime nga Ministria.
Një padi e bërë nga një avokat në Korçë për një videoklip të regjistruarit nga vëllezërit Veshaj dhe Elgit Doda në ambientet e muzeut në Korçë ka shkaktuar debate. Sipas padisë blici i fortë i kameras dëmton afresket
Për këtë ka reaguar edhe Kisha Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila shpreh shqetësimin dhe indinjatën për përdhosjen e radhës ndaj objekteve liturgjike.
“Videoklipi muzikor “Picasso” xhiruar në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë, para ikonostasit të Rehovës (që padrejtësisht nuk i është kthyer akoma Kishës Orthodhokse, nën pretekstin e “ruajtjes” së kësaj trashëgimie të çmuar”), është një shenjë e dukshme mosrespektimi ndaj këtyre vlerave shpirtërore. Ky mjedis është krejt i papërshtatshëm, për vlerat që pasqyron, për promovimin e një lloji të tillë muzike. Aty, në respekt të traditës dhe kulturës që i ka krijuar këto objekte të shenjta, do përshtateshin tingujt e Muzikës Bizantine dhe jo tinguj që i fyejnë ato dhe trashëgiminë kulturore të vendit tonë.
Ikonat janë objekte liturgjike të shenjta, të cilave besimtarët orthodhoksë iu afrohen me nderim dhe respekt të veçantë. Prandaj, është e papranueshme dhe e dhimbshme, që ato të trajtohen në mënyrë të papërgjegjshme nga ato institucione, të cilat pretendohet se duhet t’i ruajnë dhe t’i mbrojnë. Për këtë arsye kërkojmë përsëri, që ato t’i kthehen Kishës Orthodhokse (në bazë të Ligjit 10057, neni 22/2, datë 22.1.2009, “Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”), e cila jo vetëm i ka krijuar, por edhe i ka ruajtur me mund të madh ndër shekuj. Ikonat ruhen dhe mbrohen më mirë në ambientet kishtare, sepse janë objekte të shenjta liturgjike dhe pjesë e dukshme e shprehjes së Besimit orthodhoks. Lutemi dhe shpresojmë që Ministria e Kulturës të tregohet e kujdesshme dhe e ndjeshme ndaj objekteve kishtare dhe të respektojë ndjenjat fetare të Komunitetit Orthodhoks, duke mos lejuar përdhosjen e tyre”, thuhet në reagimin e Kishës.