Sociale

Vëzhgimi i Report Tv/ Shkolla 'Hoteleri Turizmi' 'kyç' portën! Për pak minuta vonesë nga trafiku, nxënësit 3 orë në rrugë (PAMJET, ushqim nga kangjellat)

5 Mars, 15:32| Përditesimi: 5 Mars, 15:50

  • Share

TIRANE - Disa nxënës të gjimnazit profesional “Hoteleri Turizmi” në Tiranë, i gjejmë jashtë ambienteve të shkollës, kur shokët e tyre ndodhen brenda në mësim. Është ora 08.00 e mëngjesit, e me rënien e ziles për nisjen e procesit mësimor, roja i shkollës mbyll portën e jashtme.

Shumë kanë nxitur të arrijnë orën e parë mësimore, por siç shprehen, në shumë raste prej trafikut në kryeqytet, vijnë me vonesë. Disa vijnë nga larg, nga Kamza apo edhe Elbasani.

“Unë u vonova për shkak të trafikut”, shprehet një nxënës.

Gazetarja: A është e përditshme mbyllja e portës së shkollës? “Po”, përgjigjet një tjetër nxënës.

Për këtë problem që lidhet me shkollën e tyre, nxënësit e kanë të vështirë të flasin para kamerës, por jashtë saj, thonë se do të ishte zgjidhje që edhe nëse penalizohen duke mos u futur në orën e parë të mësimit, të paktën të qëndrojnë në oborrin e shkollës dhe jo jashtë saj.

Vonesa i humbi vetëm orën e parë, por edhe pse janë para portës së shkollës duke pritur zilen e orës së dytë, nxënësit thonë se nuk munden të futen brenda pasi roja nuk u hap derën.

“Porta hapet pas orës së tretë për ata që kanë marr leje” , tregon një nxënës.

Pra, pak minuta vonesë në mëngjes kryesisht për efekt të trafikut të rënduar, këtyre nxënësve u kushton 3 orë mësimore. Porta thonë se hapet në orën 10.30 kur nis mësimi për ata që konsiderohen grupi i dytë.

Disa thonë se shfrytëzojnë momentin për të hyrë, kur roja hap portën për kë mund të ketë marrë leje. Madje jashtë kamerës thonë se u është dashur të kapërcejnë edhe nga hekurat e shkollës jashtë syve të rojës, për tu futur në mësim.

“Kyçja” e shkollës siç jashtë kamerës thonë mësuesit, vjen si masë sigurie pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së 14-vjecarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”. Report Tv kërkoi të marrë një reagim nga drejtoria e shkollës, por përgjigjja u tha se do të jepet një ditë më pas. Pyetja kryesore që pret përgjigje, është nëse stafi, i njofton apo jo prindërit se nxënësve nuk u është lejuar hyrja në shkollë. Kush duhet të mbajë përgjegjësi për ku mund të ketë shkuar fëmija që prindërit nisën për në shkollë, gjatë 3 orëve që lihet në rrugë?

Tek “Hoteleri Turizmi”, porta e shkollës nuk hapet as gjatë pushimit të gjatë që  nxënësit e shfrytëzojnë për tu ushqyer. Sapo zilja bie, rreshtohen te hekurat e rrethimit të godinës. Aty i presin punonjësit e byrektoreve dhe kafeneve pranë, për t’iu shërbyer “nga bota e jashtme”.  Këtë të mërkurë, bizneset u frikësuan nga prania e kamerës, duke mos iu afruar shkollës, aq sa për të mos i lënë fëmijët pa ushqim, grupi i xhirimit të Report Tv vendosi të largohet.

G.M./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?