Presidenti rus, Vladimir Putin, do ta kishte sulmuar Poloninë dhe jo Ukrainën, nëse ajo nuk do të ishte anëtare e NATO-s, thotë për Radion Evropa e Lirë Lech Walesa, themeluesi dhe udhëheqësi i sindikatës “Solidariteti” në vitet 1980 dhe presidenti i parë post-komunist i Polonisë.
Bashkë me ish-presidentin çek, Vaclav Havel, ai luajti rol kyç në bindjen e SHBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore - prioritet i të cilave ishte ruajtja e marrëdhënieve të mira me Rusinë e Boris Yeltsinit në fillim të viteve 1990 - për t’i pranuar vendet e atëhershme post-socialiste në NATO.
Walesa kujton një takim në Pragë - në gjysmën e parë të viteve 1990 - të politikanëve kryesorë botërorë, mes të cilëve ishte edhe Mikhail Gorbachev, i cili, atëkohë, nuk ishte më në krye të Bashkimit Sovjetik.
“Ju, zoti Gorbachev, a donit ta reformonit komunizmin apo ta shkatërronit, e pyeta para të gjithëve. Ai m’u përgjigj: Jo, doja ta reformoja. U thashë: A e dëgjuat? Çfarë do të kishte ndodhur sikur të kishte pasur sukses? Nuk do të ishim takuar këtu”.
“Dhe, kjo e ka bindur [presidentin e atëhershëm amerikan, Bill] Clinton. Që nga ai moment, Clinton ka punuar për pranimin e Polonisë në NATO”, thotë Walesa, duke shtuar se pyetja është se çfarë do të kishte ndodhur, nëse nuk do të kishte arritur t’i bindte ata që Polonia dhe vendet e tjera të anëtarësoheshin në NATO?
“Do të isha në front dhe do të luftoja”, thotë ish-presidenti polak.
Ai, gjithashtu, shpjegon se pse ishte kundër negociatave perëndimore me Gorbachevin, kur ai nisi reformat e njohura si perestrojka dhe glasnost.
“Kam qenë mik i Gorbachevit dhe e kam lutur - perestrojka, glasnosti nuk janë gjë - ndërroje sistemin, por ai nuk më dëgjoi. Prandaj, u thashë amerikanëve: Gorbachevi po ju mashtron. Ai do ta rikthejë Bashkimin Sovjetik, do t’ju bëjë të varur prej tij, dhe në atë sistem politik nuk do të prisnit gjatë që të shfaqej dikush i ngjashëm me [ish-liderin sovjetik, Joseph] Stalin ose Putinin, i cili do të përpiqej ta rindërtonte Bashkimin Sovjetik”, thotë Walesa.
Rritjen e populizmit, përfshirë edhe në Poloni, ku partia e Jaroslaw Kaczynskit, ish-anëtar i “Solidaritetit”, ishte në pushtet në dy raste, e shpjegon me krizën në demokraci.
“Fakti që dalim në zgjedhje, që kemi pak media të lira, ju lutem, a është demokraci? Ajo demokraci ishte e mirë deri në fund të shekullit të 20-të. Ishte demokracia e [ish-udhëheqësit britanik, Winston] Churchill. Por, kjo nuk mjafton më. Duhet një demokraci 2.0, e përshtatshme për kohët e reja”.
“Pa të, populizmi dhe demagogjia do t’i vënë flakën botës. Dhe kjo tashmë po ndodh”, thotë Walesa.
Personaliteti i vitit në botë dhe Çmimi Nobel për Paqen
Pas grevave të shpeshta të punëtorëve në Poloni, autoritetet komuniste ranë dakord për një marrëveshje që çoi në formimin e “Solidaritetit” në vitin 1980, si sindikata e parë e pavarur në bllokun e atëhershëm sovjetik.
Themelues dhe udhëheqës i saj ishte Lech Walesa, me profesion elektricist, i cili shpejt u gjend në burg, pasi kreu i regjimit polak, gjenerali Wojciech Jaruzelski, vendosi ligjin ushtarak në vitin 1981.
Atë vit, revista Time e shpalli Walesën personalitet të vitit në botë.
Pavarësisht represionit, “Solidariteti” u rrit shpejt në dhjetë milionë anëtarë - që ishin rreth një e katërta e popullsisë së vendit - që luftonin për të drejtat dhe liritë e punëtorëve.
Walesa fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1983, por nuk shkoi ta merrte, sepse kishte frikë se autoritetet nuk do ta lejonin të kthehej në vend.
Presidenti i parë post-komunist polak
“Solidariteti” vazhdoi të funksiononte ilegalisht, derisa ndryshimi i klimës në Bashkimin Sovjetik me perestrojkën e Gorbachevit, i kombinuar me përkeqësimin e situatës së brendshme ekonomike, i detyroi autoritetet polake të organizonin një tryezë të rrumbullakët bisedimesh me përfaqësuesit e kësaj sindikate, në pranverë të vitit 1989.
Kjo rezultoi me zgjedhje dhe me formimin e Qeverisë së parë post-socialiste në bllokun sovjetik, në vjeshtën e atij viti.
Një vit më pas, Walesa u bë presidenti i parë post-komunist i Polonisë.
Polemikat
Walesa ishte një politikan karizmatik, që pritej me duartrokitje në botë. Megjithatë, brenda Polonisë kishte polemika për të.
Kundërshtarët e kritikonin se ishte i paarsimuar dhe se deklaratat e tij ishin jodiplomatike. Jaroslaw Kaczynski e akuzoi atë se ishte bashkëpunëtor i shërbimit sekret polak, gjatë socializmit.
Walesa e mohoi këtë. Ai humbi në zgjedhjet e vitit 1995, ndërsa në të radhës, në vitin 2000, mori vetëm një për qind të votave.
Kam frikë se Ukraina do të detyrohet të bëjë paqe me Rusinë
Radio Evropa e Lirë: Për më shumë se dy vjet e gjysmë, Ukraina është në luftë. Sa do të zgjasë dhe si do të përfundojë? Me paqe të përkohshme? Si konflikt i ngrirë - me Rusinë që mban kontrollin mbi territoret që ka pushtuar? Apo, Ukraina ka shanse për të fituar?
Lech Walesa: Kam frikë se Ukraina do të detyrohet të bëjë paqe me Rusinë. Disa kanë përfituar nga shkatërrimi i Rusisë dhe Ukrainës dhe do të përfitojnë më shumë nga rindërtimi. E, bota dhe fqinjët do të qëndrojnë në të njëjtin vend.
Pas paqes, më së voni pas 15 vjetësh, Rusia do të ngrihet dhe do të sulmojë sërish. Pra, nuk do të zgjidhim asgjë me një fitore të tillë. Sindikata e “Solidaritetit” e ka shpërbërë Rusinë, domethënë Bashkimin Sovjetik, dhe është bërë mike me të. Sepse, ne kemi luftuar me metoda të tjera. Prandaj, duhet të zbatohen metodat e “Solidaritetit” në luftën me Rusinë. Janë metoda shumë të thjeshta.
Nëse do të hyja në luftë me Rusinë, do të bëja një listë të të gjithë njerëzve në Rusi që vdesin në konfliktin në Ukrainë dhe do ta tregoja në çdo qytet, përmes mjeteve të informimit.
Dhe aty do të shkruaja: Dëgjo, i dashur rus, nuk dua të hyj në luftë me ty. Shiko se sa njerëz nga qyteti yt kanë vdekur. Ja, edhe kolegu juaj, me të cilin keni dalë për të pirë birra, tani është nën dhe.
Edhe fqinji yt ka humbur dy djem përnjëherë. Shiko, fol me të! Dhe, a e di se edhe ti brenda pak orësh do të marrësh ftesë për të shkuar në luftë? Do të vdesësh edhe ti. Unë dua të të shpëtoj.
Duhet të kuptosh se sistemi është i keq. Sistemi, jo Putini, jo Stalini, sistemi është shkaku i atij banditizmi. Dua t’ju ndihmoj që ta ndryshoni sistemin.
Udhëheqësi yt nuk mund të ketë më shumë se dy mandate, më të gjata se pesë vjet. Ne duhet ta arrijmë këtë së bashku. Do të më falënderosh nëse ia dalim. Ju do të jetoni të qetë dhe ne do të jetojmë të qetë.
Lufta duhet të zhvendoset në premisa të thjeshtë. Nëse fitojmë kështu, do të kemi paqe.
Por, bota u është kthyer metodave të vjetra të luftës. Raketat, armët bërthamore... Ato nuk zgjidhin gjë.
Demokracia e Churchillit u zhduk në fund të shekullit të 20-të
Radio Evropa e Lirë: A do të funksiononte kjo metodë e juaja, sepse qytetarët rusë - së paku në shikim të parë - e mbështesin Putinin, qoftë nga frika, qoftë nga bindja?
Lech Walesa: Kjo është e vërtetë, por kur rusi që e mbështet atë, ta kuptojë se nesër do të vdesë, ai do të ndryshojë mendje. Le t’i japim shembuj se mund të vdesë. Kjo duhet ta bindë atë.
Rusët nuk besojnë në demokraci. E amerikanët? Ata besojnë në demokraci? Së shpejti, ata do ta zgjedhin Donald Trumpin [president]. Ajo që shohim se po ndodh në Francë, është një ndryshim i epokës.
Dikush më tha se kjo është demokraci. Unë udhëtoj nëpër botë dhe demokracinë nuk e kam parë askund. Fakti që dalim në zgjedhje, që kemi pak media të lira, ju lutem, a është demokraci? Ajo demokraci ishte e mirë deri në fund të shekullit të 20-të. Ishte demokracia e Churchillit. Por, kjo nuk mjafton më. Duhet një demokraci 2.0, e përshtatshme për kohët e reja.
Pa të, populizmi dhe demagogjia do t’i vënë flakën botës. Dhe kjo tashmë po ndodh.
I paralajmërova amerikanët se Gorbachevi po i mashtronte
Radio Evropa e Lirë: Ju keni thënë se kur Mikhail Gorbachevi ka ardhur në krye të Bashkimit Sovjetik, Perëndimi është dashur të jetë i kujdesshëm në negociatat me sovjetikët. Pse?
Lech Walesa: Ne, veçanërisht, i paralajmëruam amerikanët. Unë isha mik i Gorbachevit. Ne e donim njëri-tjetrin. E kam lutur - perestrojka, glasnosti nuk janë gjë - ndërroje sistemin, por ai nuk më dëgjoi.
Prandaj, u thashë amerikanëve: Gorbachevi po ju mashtron. Ai do ta rikthejë Bashkimin Sovjetik, do t’ju bëjë të varur prej tij, dhe në atë sistem politik nuk do të prisnit gjatë që të shfaqej dikush i ngjashëm me Stalinin ose Putinin, i cili do të përpiqej ta rindërtonte Bashkimin Sovjetik.
Amerikanët m'u përgjigjën: zoti Walesa, ishte Stalini, ishte [Leonid] Brezhnev, lëreni të qetë Gorbachevin. Ata nuk më dëgjuan dhe tani kemi atë që kam parashikuar dhe paralajmëruar.
Dhe, kështu do të jetë në vitet e ardhshme. Kam frikë se Ukraina do të detyrohet të bëjë paqe të keqe dhe të pafavorshme. Dhe, nipërit e mi do të duhet të shkojnë sërish në luftë me Rusinë.
Rreziku i një sulmi rus në Poloni
Radio Evropa e Lirë: A ka rrezik që Rusia ta zgjerojë këtë luftë përtej Ukrainës - në vendet baltike, në Poloni?
Lech Walesa: Sigurisht. Është një sistem i tillë. Dhe, në atë sistem, kur kryhen krime, ti bëhesh i burgosur i tij. Nuk ka zgjidhje, duhet të ecësh përpara.
Radio Evropa e Lirë: A është Polonia gati për të luftuar?
Lech Walesa: Sigurisht që do të luftojë. Unë do të shkoj i pari në luftë. Por, çfarë mundësish kemi? Asnjë. Të zhdukemi bukur.
Radio Evropa e Lirë: Putin përmend synimin e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO si një nga arsyet e pushtimit të saj - pra për ta penguar atë. Cili është mendimi juaj, a do të kishte luftë në Ukrainë nëse Polonia dhe vendet e tjera të atij rajoni nuk do të ishin anëtarësuar në NATO?
Lech Walesa: Në atë rast, Putin do ta sulmonte Poloninë dhe jo Ukrainën - në atë situatë hipotetike që përmendët. Polonia do të ishte caku i tij i parë.
Megjithatë, Polonia gjeti strehim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Një pyetje tjetër hipotetike që lind, është se si do të sillej Ukraina nëse Polonia, si një vend joanëtar i NATO-s, do të sulmohej?!
E binda Clintonin ta pranonte Poloninë në NATO
Radio Evropa e Lirë: Rusia po përpiqet, gjithashtu, të krijojë një imazh se Perëndimi u ka bërë presion vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore që t’i bashkohen NATO-s, si parakusht për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian, dhe se ky nuk ka qenë vullneti i tyre. Megjithatë, mesa di unë, administrata e Bill Clintonit dhe Perëndimi në tërësi kanë qenë të rezervuar sa i përket asaj ideje, sepse kanë dashur të ndërtojnë marrëdhënie të mira me Rusinë e Boris Yeltsinit.
Ju dhe presidenti i atëhershëm çekosllovak dhe më vonë çek, Vaclav Havel, keni bërë përpjekje ta bindni Perëndimin për rëndësinë e anëtarësimit tuaj dhe të vendeve të tjera në rajon në NATO. Cilat kanë qenë argumentet tuaja?
Lech Walesa: Në fakt, vendimi u mor këtu në Pragë [në fillim të viteve 1990]. Ishte një takim me Clintonin, me Gorbachevin, me [kancelarin gjerman, Helmut] Kohl, me të gjithë politikanët më të rëndësishëm.
Unë i binda në një mënyrë brutale. E dija që amerikanët nuk donin të na pranonin në NATO dhe dola vullnetarisht të flisja.
Ju, zoti Gorbachev, a donit ta reformonit komunizmin apo ta shkatërronit, e pyeta para të gjithëve. Ai m’u përgjigj: Jo, doja ta reformoja. U thashë: A e dëgjuat? Çfarë do të kishte ndodhur sikur të kishte pasur sukses? Nuk do të ishim takuar këtu.
Dhe, kjo e ka bindur Clintonin. Që nga ai moment, Clinton ka punuar për pranimin e Polonisë në NATO.
Ishte brutale nga ana ime, por e pashë se ishte e vetmja mënyrë, duke marrë parasysh se çfarë mund të ndodhte nëse nuk do ta bëja.
Pyetja është se çfarë do të kishte ndodhur, nëse nuk do të kisha arritur t’i bindja ata që Polonia dhe vendet e tjera të anëtarësoheshin në NATO? Do të isha në front dhe do të luftoja./ REL