Kultura

“Walk on by” dhe “Cantata”, dy pjesë baleti në një mbrëmje! Kryevepra e koreografit italian Mauro Bigonzetti në TKOB

2 Korrik, 11:28| Përditesimi: 2 Korrik, 11:37

  • Share

Një natë kushtuar lëvizjes, ritmit dhe komunikimit njerëzor përmes trupave. Kanë qenë dy shfaqjet e baletit të prezantuara premierë për publikun shqiptar mbrëmjen e kësaj të marte e që do të vijnë sërish edhe këtë të mërkurë. 

“Walk on by”, një krijim bashkëkohor i koreografes australiane Nicola Wills, me muzikë origjinale të Adam Vincent Clarke ishte pjesa e parë e prezantuar. Një vepër e krijuar posaçërisht për artistët shqiptarë të trupës sonë të baletit ajo erdhi premierë botërore në Tiranë. 

“Është hera ime e parë në Shqipëri. Kam shpenzuar gjithë muajin në Tiranë duke punuar me balerinët e operës. Është përvoja ime e parë në kulturën shqiptare. Kam vëzhguar shumë, me idenë që ta reflektoj dhe në pjesën e baletit. Pjesa është një reflektim mbi shoqërinë dhe komunitetin, izolimin, eksplorimin e momenteve private në hapësirën publike dhe vëzhgimin e tyre.”, - thotë për "Report TV", koreografja Nicola Wills. 

E diplomuar në psikologji, Wills, e cila ka qenë balerinë deri para gjashtë muajsh, ka vendosur që në vijim të gjithë energjinë e saj t’ia dedikojë koreografisë.

“Kam studiuar për psikologji dhe jam shumë e interesuar se si trupi mund të përdoret për të eksploruar socilogjikisht e psikologjikisht. Gjithmonë e përdor punën time si mundësi për reflektim.”

Për drejtuesin artistik të baletit në TKOB, Edi Blloshmi është shumë me vlerë që Wills ka punuar me artistët tanë.

“Nicola ka një talent që e spikata që në 2024, pasi mora rolin e drejtorit artistik dhe i propozova të bëjë krijim për teatrin tonë, se dua që gjërat të krijohen këtu, t’i krijojmë një identitet kompanisë.”, - thotë Blloshmi.

Balerina Loreta Bala, e cila interpreton në të dy pjesët, shprehet se ato janë aktuale dhe të dyja krijojnë hapësirë për t’u shprehur dhe për t’u ndier mirë në skenë.

“‘Walk on by’ flet për njerëzit, ashtu si dhe fillon pjesa në skenë: të gjithë ngjitur brenda një autobusi, që nisen për punët e tyre, në drejtime të ndryshme, por rrugës hasin vështirësi, takojnë njerëzi të ndryshëm. Pjesa e dytë ‘Cantata’ është një vepër aktuale. Zhvillohet shumë mirë marrëdhënia midis burrit dhe gruas në aspekte të ndryshme: joshje, xhelozi dhe e gjitha prfundon në festë. Një pjesë shumë e bukur dhe e shijuar nga e gjithë trupa.”, - thotë balerina.

“Cantata” nga ana tjetër është një nga kryeveprat e koreografit italian Mauro Bigonzetti, e cila sjell një shpërthim emocionesh në ritmin, pasionin dhe shpirtin e Italisë së Jugut. Me muzikën autentike të grupit “Assurd”, kjo vepër është një festë e rrënjëve, ndjenjave dhe lidhjeve njerëzore.

“'Cantata’ është një koreografi e lindur rreth 25 vite më parë, krijuar për herë të parë për një kompani kërcimi portugeze dhe që atëherë deri më sot është prezantuar në githë botën. Baleti flet për marrëdhëniet midis qenieve njerëzore, midis burrave dhe grave dhe kërkon gjetjen e ekuilibrit. Ky ekuilibër kalon përmes zemërimit, dhimbjes, gëzimit, dashurisë.”, - thotë as. koreografi Vincenzo Capezzuto.

 Një element thelbësor i kësaj pjese është muzika, e cila është ajo e jugut të Italisë, muzikë e traditës popullore, që vjen e ripërpunuar.

“‘Cantata’ është një balet që kam 20 vjet që e kam parë dhe sot e kësaj dite sa herë e shoh, me muzikën e jugut të Italisë, të folklorit ndërthurur me bashkëkohoren, më bën të çohem nga karrigia. Është balet elektrizues që publiku e shikon dhe gëzohet jashtë mase. Ka funksionuar në gjithë botën, do të funksionojë edhe në Shqipëri.”, - shprehet Edi Blloshmi.

Ai thekson se kjo pjesë nuk është thjesht një shfaqje, por një festë në teatrin e Operës.

B.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?