Donald Trump, Melania, Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell

Bota

Wall Street Journal: Departamenti i Drejtësisë e paralajmëroi Trumpin se ishte në dosjet e Epsteinit! Ghislaine Maxwell thirret në Dhomën e Përfaqësuesve

24 Korrik, 07:06| Përditesimi: 24 Korrik, 07:17

  • Share

Rasti Epstein vazhdon të trazojë Shtëpinë e Bardhë dhe të thellojë ndarjet brenda Partisë Republikane dhe krahut MAGA. Lajmi më i fundit, një tjetër zhvillim që rrit tensionet, vjen nga një tjetër lajm i Wall Street Journal, ndërkohë që stafi i presidentit po përpiqet prej ditësh të zbehë skandalin e marrëdhënieve mes Donald Trump dhe Jeffrey Epstein.

Sipas të përditshmes prestigjioze amerikane, Trump ishte paralajmëruar që në maj nga Pam Bondi se emri i tij përmendej "shumë herë" në dosjet e Epstein. Jo vetëm kaq: gazeta zbulon se në atë rast, prokurorja e përgjithshme kishte shprehur qëllimin për të mos publikuar materiale të tjera mbi çështjen, ndonëse ajo vetë dhe Trump kishin premtuar gjatë fushatës zgjedhore se do të deklasifikonin çdo gjë.

Në një takim në Shtëpinë e Bardhë, prokurorja e përgjithshme dhe zëvendësja e saj e informuan gjithashtu Trump-in se në dosje përfshiheshin edhe emra të tjerë të njohur – në total, rreth njëqind personazhe të profilit të lartë. Burimet për Wall Street Journal kanë theksuar gjithashtu se përmendja në dosje nuk përbën provë për ndonjë vepër penale, dhe se të gjitha personat e përmendur kishin pasur lidhje me financierin që vdiq në burg, zyrtarisht duke bërë vetëvrasje.

"Kjo është një tjetër fake news, ashtu si edhe ajo e mëparshme e Wall Street Journal", ka qenë reagimi i shefit të komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, në lidhje me këtë raportim të fundit, duke iu referuar lajmit të mëparshëm të gazetës për një letër të supozuar me përmbajtje të pahijshme që Trump i kishte dërguar Epstein për ditëlindjen e 50-të.

Për këtë çështje, Trump ka njoftuar se do të kërkojë 10 miliardë dollarë dëmshpërblim nga Rupert Murdoch, botuesi i Wall Street Journal.

Ndërkohë, Dhoma e Përfaqësuesve amerikane, ku është në zhvillim një betejë mes republikanëve konservatorë dhe atyre më të moderuar, ka përshpejtuar procedurat duke thirrur Ghislaine Maxwell për të dëshmuar më 11 gusht në burgun Federal Correctional Institution në Tallahassee, Florida, ku ajo po vuan dënimin e saj.

Për shumë republikanë dhe jo vetëm, ish-socialitja britanike konsiderohet si çelësi i së vërtetës për rrjetin e Epstein. “Ajo është si 'Guri i Rosetës'”, ka thënë Alan Dershowitz, ish-avokati i Epstein-it, por edhe i personazheve si O.J. Simpson dhe Harvey Weinstein. “Nëse do t’i ofrohej imunitet, ajo mund të fliste. Më është thënë se është e gatshme të dëshmojë”, ka shtuar Dershowitz, emri i të cilit është përmendur gjithashtu, së bashku me atë të Trump, në përmbledhjen e letrave që Maxwell kishte përgatitur për 50-vjetorin e Epstein.

Si të mos mjaftonte kjo, një gjyqtar federal në Florida ka refuzuar kërkesën e administratës për të publikuar transkriptet e dëshmive në jurinë e madhe, që lidhen me hetimin mbi financierin pedofil.

Ndërkohë, është thirrur të dëshmojë edhe Departamenti i Drejtësisë, i cili luan kartat e veta: sipas burimeve të fundit, ka thirrur Maxwell-in për një takim që do të mbahet në burgun ku ajo ndodhet.

Javën e kaluar, administrata Trump kishte kërkuar që ato dokumente të deklasifikoheshin dhe që çështja të transferohej në Nju Jork, ku Epstein ishte akuzuar në vitin 2019 pas një hetimi tjetër – pikërisht në momentin kur shpërtheu stuhia mbi presidentin dhe prokurorja e tij e përgjithshme për mënyrën se si po menaxhohej skandali./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sigurim i detyrueshëm i banesave ose s’merr shërbim nga shteti, si ju duket?