Një ekip nga Kievi ndodhet në Uashington këtë javë për të arritur një marrëveshje historike me administratën e Donald Trump, e cila do të përfshinte ndarjen e teknologjisë së dronëve të testuar në betejë nga Kievi me Shtetet e Bashkuara në këmbim të honorareve ose kompensimeve të tjera, sipas Wall Street Journal.
Marrëveshja e mundshme, e cila ka mbështetjen e Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, do të shënonte një moment historik në marrëdhëniet e sigurisë midis Uashingtonit dhe Kievit. Për vite me radhë, ushtria ukrainase ka marrë armë nga Shtetet e Bashkuara, por kjo do të ishte hera e parë që ndodh e kundërta.
Ukraina mund të mbështetet në përvojën e saj të gjerë në prodhimin dhe përdorimin e dronëve për të luftuar ushtrinë ruse. Dhe kështu, pas bisedimeve midis manjatit dhe Zelensky në Nju Jork, një ekip ukrainas, i udhëhequr nga Zëvendës Ministri i Mbrojtjes Sergiy Boyev, filloi një seri takimesh me zyrtarë të Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit të martën.
Marrëveshja, e cila mund të vlejë miliarda dollarë, ka të ngjarë të duhen muaj për t'u finalizuar, sipas një zyrtari të qeverisë amerikane. Ndërsa Amerika është e aftë të prodhojë dronë të sofistikuar, ukrainasit janë shumë më përpara në prodhimin masiv të mjeteve ajrore pa pilot, ose UAV-ve, të cilat janë më të lira, por kanë rezultuar efektive në luftime.
Ndërkohë, nga ana tjetër, sa i përket situatës në terren, sulmet e dy ditëve të fundit në Ukrainë kanë goditur qendrat e mëdha urbane dhe kanë dëmtuar infrastrukturën civile, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike pikërisht kur fillon edhe moti i ftohtë. OKB, në buletinin e saj të përditshëm, tha se të paktën 300,000 njerëz në Cherrkihiv, Kiev dhe Sumy janë prekur nga ndërprerja e energjisë elektrike.
Lajm në përditësim…
Komente
