Kultura

“Wanderlust in Albania”, konkurs për Shqipërinë turistike! Ndahen çmimet për fotografitë dhe 'video-reels' më të mira

25 Prill, 11:38| Përditesimi: 25 Prill, 15:04

  • Share

Një mbrëmje plot imazhe të gjalla e të bukura të Shqipërisë ka qenë ajo e së enjtes në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ku është shënuar mbyllja e edicionit të dytë të konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Video Reels, “Wanderlust in Albania”.

“Jam udhërrëfyes prej 12 vitesh dhe pasioni i fotografisë ka lindur nga puna që bëjmë. Çdo foto ka një mesazh dhe mundohemi ta transmetojmë dhe pse jo të jetë pjesë e publicitetit dhe të shtohen ambasadorët për vendin tonë.”, - thotë Beri Alla, një ndër fituesit e konkursit në kategorinë e peizazhit, që është kategoria me më tepër prurje: 1684 foto dhe 306 video-reels.

Fotografë dhe videografë (profesionistë dhe amatorë) nga Shqipëria dhe 36 vende të botës sollën edhe në këtë edicion, imazhe dhe filmime të mrekullueshme, që shpalosin Shqipërinë përmes bukurive të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore e historike.

“Kam një histori të vogël, të vjetër, që dua ta përmend. Në një emision të BBC-së me prezantues Rick Stein, shef kuzhine i famshëm, ku kishte një pamje të Korfuzit, por në sfond ishte Shqipëria, në telefonin e tij vjen një mesazh ku i thuhej: Mirëseerdhët në Shqipëri dhe ai me pak shaka tha që atje është Shqipëria. "Sot nuk ka asgjë, por jam i sigurt që pas 15-20 vitesh, të gjithë do të duam të shkojmë atje e të blejmë nga një apartament",- tha ai. Kjo ishte në vitin 2007. Sot, me sa duket, ajo që ai parashikoi është e realizuar. Të gjithë ne e dimë që turizmi është zgjeruar aq shumë, madje ka dalë nga faza e kuriozitetit dhe turistët kthehen e vizitojnë çdo gjë që është këtu.”, - thotë Albes Fusha, drejtues i jurisë së konkursit.

Për kategorinë agroturizëm dhe kulinari fituesit ishin Yllka Fetahaj, Enis Abdullahu dhe Julian Shyqyriu.

“Për mua ka qenë kënaqësi që vitin e kaluar të shkoj në festën e gështenjave në Tropojë, ku përpos pamjeve mahnitëse pata dhe histori njerëzore, që njerëzit dhe familjet që jetojnë atje gështenjën nuk e konsideronin vetëm si frut, por është buka në pemë, siç thonë ata.”, - tregon Yllka Fetahaj.

Pjesëmarrës në konkurs kishte edhe nga vende të  largëta, si: Mauritius, Kolumbia, Uruguaj, Indonezia dhe të tjera, të cilët kishin ngarkuar 5504 materiale në uebsajtin zyrtar të konkursit.

"Ky konkus në këtë edicion të dytë dëshmon një etapë të re në zhvillimin e turizmit tonë pasi tashmë Shqipëria nuk është thjesht një destinacion turistik që po zbulohet, por frymëzim që po shpërndahet dhe po përjetohet globalisht. Pjesëmarrja e gjerë në këtë konkurs me konkurrentë nga 37 vende të botës, përfaqësues të pesë kontinenteve tregon se jo vetëm interesi ndaj Shqipërisë turistike është rritur me ritme të shpejta këto vitet e fundit, por njëkohësisht është rritur edhe angazhimi ndërkombëtar në promovimin e Shqipërisë turistike përmes syrit, objektiva të kamerave dhe rrëfimeve të vizitorëve që kanë ardhur në Shqipëri, e kanë eksploruar atë.", - thotë Zana Çela, drejtuese e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Qindra fotografaë pjesëmarrës profesionistë dhe amatorë na kanë dhuruar imazhe të bukura, që tregojnë bukurinë, autencitetin, shpirtn mikpritës, kulturës dhe hustorinë tonë. Përtej fakteve dhe statistikave zyrtare që shpesh ngjallin skepticizëm, ne dëshiruam që të promovonim Shqipërinë turistike përmes fuqisë së artit vizual, nëpërmjet fotove, videove reels të mrekullueshme të vetë vizitorëve. Sot dhe në vazhdim do të nisim një tregim të pafiltruar dhe të dokumentuar vizualisht të Shqipërisë turistike. Mbëmja e sotme nuik është vetëm ndarje mbrëmje çmimesh, por edhe celebrim i fuqisë së turizmit për të ngritur ura, për të afruar kultura dhe për të treguar historinë e Shqipërisë turistike me metodat e reja të epokës dixhitale.”, - vijon Çela.

Risi e këtij edicioni të konkursit është kategoria CGI (Computer Generated Imagery), që integron artin dixhital dhe animacionin në promovimin e turizmit  shqiptar. Në mbrëmjen gala u ndanë 40 çmime speciale dhe 33 fitues për 11 kategori u shpallën “Kontribues të Promovimit të Turizmit të Shqipërisë”; 4 fitues u nderaun me titullin “Ambasadorë të Turizmit Shqiptar” dhe po ashtu, nga votimi online i publikut u përzgjodhën 3 fitues.

Nga totali i materialeve të paraqitura në konkurs, 800 fotografi dhe 100 video reels të përzgjedhura  i shtohen fondit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe do të përdoren në materialet  promocionale të Shqipërisë turistike duke përfshirë revista, albume, fletë informuese, broshura si  dhe spote publicitare.

 

 

 

B.G/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni tek strategjia e SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore?