Antony Blinken

Mediat ndërkombëtare jehonë vizitës së Blinken në Tiranë! 'Washington Post': Do të trajtojë dhe tensionet Kosovë - Serbi, takon dhe afganët

15 Shkurt, 12:42| Përditesimi: 15 Shkurt, 14:29

  • Share

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken viziton sot Shqipërinë për të riafirmuar marrëdhëniet me një partner kyç në Ballkan dhe një aleat në mbështetjen e luftës së Ukrainës kundër pushtimit të plotë të Rusisë, shkruan sot gazeta e njohur amerikane ”The Washington Post”.

Blinken do të takohet me zyrtarë të lartë dhe do të fokusohet në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, pasi Shqipëria dhe disa fqinjë kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, sipas zyrtarëve të lartë amerikanë.

Uashingtoni ka mbështetur fuqishëm integrimin e Shqipërisë në BE.

SHBA ka vlerësuar lidershipin e Shqipërisë në ish-rajonin e shkatërruar nga lufta dhe rolin e saj të fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si një anëtare jo e përhershme.

Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka caktuar rregullisht njësi të vogla të ushtrisë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare dhe operacionet e NATO-s.

Shqipëria do të presë një samit ndërkombëtar për Ukrainën në fund të këtij muaji, ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Edhe tensionet mes fqinjëve Kosovë dhe Serbi mund të trajtohen gjatë vizitës së Blinken.

Negociatat e ndërmjetësuara nga BE për të normalizuar marrëdhëniet e tyre kanë pasur progres të ngadaltë, ndërsa incidentet e rastësishme të dhunshme kanë nxitur frikën e destabilitetit.

SHBA dhe BE kanë shprehur shqetësimin për ndalimin e fundit të Kosovës për dinarin si monedhë në komunat e saj me shumicë serbe.

Blinken gjithashtu do të njohë rolin e Shqipërisë pasi talebanët morën pushtetin në Afganistan në gusht 2021, ndërsa trupat e SHBA-së dhe NATO-s u tërhoqën nga vendi.

Shqipëria ishte e para që strehoi rreth 3 200 afganë të arratisur përpara se të zhvendosen përfundimisht në SHBA. Blinken pritet të takojë disa nga afganët e mbetur ende në Shqipëri.

Pas Tiranës, Blinken do të shkojë në Gjermani për Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Ora 14:19
Mediat ndërkombëtare jehonë vizitës së Blinken: Riafirmim i aleancës me Shqipërinë

 

Vizita e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë është pasqyruar gjerësisht nga mediat e huaja. Nga “Washington Post” te “ABC News”,” Agence France-Presse”, “US News” apo “Politiko” kanë shkruar mbi vizitën e Blinken në vendin tonë.

“ABC News” shkruan se vizita synon riafirmimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me aleatin kyç të Ballkanit, që mbështet Ukrainën në përballjen me Rusinë.

Në shkrim nënvizohet se vizita ka në fokus të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, me Shqipërinë dhe fqinjët e saj që synojnë të aderojnë në Bashkimin Evropian.

“Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar lidershipin shqiptar në rajonin e gërryer nga lufta, si dhe rolin e tij në Këshillin e Sigurimit, si një vend anëtar jo i përhershëm”, shkruan “ABC”, sipas të cilit tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë mund të trajtohen gjithashtu gjatë vizitës.

Edhe agjencia “US News” ka shkruar se vizita e Antony Blinken në Shqipëri synon riafirmimin e marrëdhënieve mes vendin e vogël ballkanas, njëkohësisht një aleat kyç i Uashingtonit në rajon.

Ndërsa në Evropë, agjencia “Anadolu” ka raportuar se gjatë vizitës në Tiranë, që do të pasojë me atë në Gjermani, Blinken mund të bisedojë për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe përpjekjet për paqen në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, “Politiko” ka shkruar se bëhet fjalë për një vizitë të rrallë të një sekretari Shteti në një vend të vogël, por duke cituar zëdhënësin e DASH, i cili ka thënë se vendi ynë është një partner strategjik i SHBA-së.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?