Wimbledon, turneu më prestigjoz i Grand Slamit në tenis ka nisur zyrtarisht prej dy ditësh në Londër. Ky edicion ka sjellë jo vetëm emocionet klasike të tenisit, por edhe një sërë ndryshimesh historike që pritet të karakterizojnë këtë edicion të veçantë.
Pas 148 vitesh traditë, për herë të parë në historinë e tij, Wimbledon do të zhvillohet pa gjyqtarë linjash. Organizatorët kanë zbatuar një sistem të ri elektronik arbitrimi (ELC) që përdor rreth 450 kamera për të marrë vendime në kohë reale me saktësi maksimale. Reagimet ndaj këtij ndryshimi janë të përziera, disa e konsiderojnë fundin e një epoke, ndërsa të tjerë mirëpresin modernizimin dhe përputhjen me standardet teknologjike të Grand Slam-eve të tjera.
Favoritët dhe përballjet e para
Në garën e meshkujve, Carlos Alcaraz, kampion në fuqi pasi mposhti Novak Djokovicin 3-0 (6:2, 6:2, 7:6) në finalen e vitit të kaluar, është ndër pretendentët kryesorë për titull. Po ashtu, Jannik Sinner, numri një aktual në renditjen ATP, synon trofeun e parë në Wimbledon. Ai e nisi turneun të martën, përballë bashkëkombësit Luca Nardi, duke e kaluar 3-0 me sete.
Fond rekord çmimesh dhe… luleshtrydhe më të shtrenjta
Një tjetër risi këtë vit është rritja e çmimit të famshëm të luleshtrydheve me krem, një nga simbolet e Wimbledon. Pas 15 vitesh, çmimi për racion është rritur nga 2.9 në 3.15 euro, duke sjellë mbi 33.000 euro të ardhura shtesë nga rreth 140.000 racione të shitura çdo vit.
Ndërkohë, fondi total i çmimeve për Wimbledon 2025 ka arritur shifrën rekord prej 62 milionë eurosh. Fituesit e garave të meshkujve dhe femrave do të përfitojnë nga 3.5 milionë euro secili, finalistët afërsisht 2 milionë euro, ndërsa edhe ata që eliminohen në raundin e parë do të marrin 77.000 euro, një rritje prej 10% krahasuar me vitin e kaluar.
Komente
