Florian Wirtz është gati të shkruajë historinë e Premier League. Liverpool ka arritur marrëveshjen me Bayer Leverkusen për transferimin e talentit gjerman, në një operacion që kap shifrën e 150 milionë eurove, përfshirë edhe bonuset; duke e bërë kështu blerjen më të shtrenjtë në historinë e kampionatit anglez.
Marrëveshja është përfunduar dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i lëvizjes. Wirtz do të firmosë një kontratë pesë vjeçare me të kuqtë, që do ta mbajë në “Anfield” deri në vitin 2030.
Por jo vetëm shifra e transferimit bën bujë. Fantazisti 21-vjeçar do të përfitojë 20 milionë euro në sezon, duke u renditur i treti në listën e futbollistëve më të paguar në Premier League, pas dy superyjeve Erling Haaland dhe Mohamed Salah.
Me këtë lëvizje, Liverpool dërgon një sinjal të qartë për ambiciet e sezonit të ri dhe ndërton një bërthamë të re rreth një prej talenteve më premtues në Europë.
Komente
