Universitetet publike e private të vendit prezantuan ofertën për vitin e ri akademik gjatë panairit ‘Work and Study’ me maturantët e Lezhës. Përfaqësues të fakulteteve dhe stafeve akademike shpjeguan në detaje degët e ofruara, mundësitë e bursave dhe praktikat profesionale që universitetet zhvillojnë në bashkëpunim me biznese dhe institucione lokale. Rektori i Universitetit të Shkodrës u kërkoi maturanteve të kenë zgjedhje të parë insitucionin arsimor që ai drejton, për traditen që ka dhe për reformat që po ndërmarren në pasurimin e programeve të reja të studimit.
“Kemi aplikuar për 14 programe të reja studimi, përfshirë programet për marketing dhe infermieri klinike. Shkodra është afër me Lezhën dhe ofron mundësi më të mira jetese krahasuar me Tiranën, ka konvikt dhe menzë për studentët”, tha Tonin Gjuraj rektor i universitetit "Luigj Gurakuqi".
Ky aktivitet është pjesë e fushatës informuese që universitetet po zhvillojnë në qytete të ndryshme të vendit, me synimin për t’u ofruar të rinjve mundësinë për të marrë një vendim të informuar mbi të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale. Panairi do të udhëtojë dhe në qarqe të tjera të vendit.
Komente
