Shumë prej nesh e njohin përmes personazheve të ndryshëm dhe interpretimeve komike, të cilave u ka dhënë jetë, por Aleks Seitaj apo siç njihet, Vezirja, sipas njërit prej personazheve që u ka dhënë jetë, nuk është vetëm një aktor humori.
Pa frikë, mund të themi, se ai është edhe një make-up artist, që eksploron teknika të ndryshme për të transformuar personazhe e për t’u dhënë atyre formën që dëshiron. Së fundi, në kuadër të “Queer Film Marathon” në Tiranë, ai ka mbajtur uorkshopin “Drag make up”, që ka bërë bashkë make-up artistë profesionistë, apo të rinj të interesuar në këtë drejtim.
“Make-up-i i zakonshëm është ai i nuseve, ai që ti e bën për të shkuar për të dalë domethënë në bllok një fundjavë, kurse makeupi ‘drag’ hyn tek ato lloj make-up-esh, që quhet makeup teatral ose makeup filmik që përdoren teknika domethënë të caktuara për të krijuar një personazh, i cili shërben për skenë ose për kamera, për film dhe ky është ndryshimi midis një make-up-i normal edhe 'drag make- up'.”, - shpjegon Seitaj për “Report TV”.
Ai tregon hap pas hapi procesin e realizimit të ‘make up-it drag’, i cili nuk zbukuron tiparet e tua, por e transformon fytyrën, duke sjellë një personazh tjetër.
“Është një workshop që të gjithë mund të mund të përfitojnë, sepse pikërisht teknikat që përdoren për të krijuar një personazh drag, janë disa teknika që mund të përdoren për shumë personazhe të tjera të teatrit, të televizionit apo edhe të filmit.”
Një nga detajet kryesore të 'make up'-it 'drag' është i mbulimi i vetullave dhe krijimi i një palë të tjerave, teknikë që mund të përdoret për çfarëdolloj personazhi.
“Është një lloj teknike që mund të përdoret pafundësisht në film apo në televizion. Për sa i përket ‘drag shoë-t pastaj, unë personalisht jam një çikë i çuditur, që njerëzit nuk po arrijnë ta kuptojnë dhe ka kaq shumë dizinformim. Troç muhabeti, ‘drag shoë’ është ajo që unë kam bërë te ‘Portokalli’-a me vite. Unë, praktikisht, në drag shoë performoj paroditë e mia. Pra është një shfaqje komike. Disa herë ka edhe mesazhe të forta pranimi, mesazhe inkluziviteti, mesazhe kundër bullizimit, kundër urrejtjes, mesazhe uniteti, mesazhe fuqizimi. Po në thelb është një shfaqje komike.”
Seitaj vijon se në thelb, 'drag show' është një 'show' komik, që tregon që jeta është shumë e rëndësishme për ta marrë seriozisht.
“Nuk ka të bëjë as me seksualitetin, nuk ka të bëjë as me ku di unë se çfarë plani djallëzor domethënë që mund të përflitet. Është thjesht një shoë, është thjesht një pjesë artistike, që në momentin që mbaron, të gjithë artistët vazhdojnë me jetën e tyre dhe kaq. Dhe plus plus artistët që që bëjnë drag shoë, përfshirë unë, është një punë me të cilën paguhemi, me të cilën paguajmë faturat, sepse si çdo pjesë tjetër e artit është një mënyrë mbijetese. Mos them edhe që është një lloj arti jashtëzakonisht shumë i shtrenjtë sepse ka të bëjë make-up-in, ka të bëjë me kostomografinë, kështu që është një investim jashtëzakonisht shumë i madh. Po në thelb është kaq. Nuk nuk ka asgjë tjetër më të thellë.”
Ai bën me dije se gjatë “Drag Show” që do të mbahet në Tiranë, më 12 tetor te "Tulla Culture Center", krahas tij do të interpretojnë edhe artistë të tjerë, dy prej të cilëve do të vijnë nga Italia.
“Adriana Picasso që do të vijë nga Padova, është një ‘drag queen’ kubane, që sjell gjithmonë ato ritmet e Kubës dhe sigurisht ka shumë komedi brenda. Është edhe Morgana Cosmica, që vjen nga qyteti i Bologonjës, që sjell një lloj drag-u shumë eksperimental, shumë futurist. Kemi dhe dy performuese të tjera që janë nga Shqipëria.”, - përfundon artisti.
Komente
