Real Madrid është gati të hapë një kapitull të ri nën drejtimin e Xabi Alonsos, i cili pritet të bëjë debutimin e tij si trajner i “Galaktikëve” në ndeshjen e Kupës së Botës për Klube ndaj Al Hilal (e mërkurë), skuadra që drejtohet nga Simone Inzaghi.
Pas largimit të Carlo Ancelottit, drejtuesit madrilenë i kanë besuar pankinën ish-mesfushorit spanjoll, i cili ka shfaqur menjëherë ambicie të qarta. “Erdhëm me entuziazëm, duam të kemi një turne të mirë dhe të shkojmë deri në fund,” u shpreh Alonso në konferencën e parë për shtyp si trajner i Realit.
I vetëdijshëm për kohën e shkurtër në dispozicion, tekniku i ri po përpiqet të krijojë sa më shpejt lidhje të forta me grupin.
“Kemi shumë pak kohë për t’u njohur dhe për t’u stërvitur, por kontaktet e para me lojtarët kanë qenë shumë pozitive. Duhet të lidhem me ta për të kuptuar se çfarë i duhet secilit lojtar,” shtoi Alonso, i cili theksoi dëshirën për të ndërtuar një raport të afërt me skuadrën.
“Duhet t’i japim përparësi asaj që është më e rëndësishmja, si duam të luajmë dhe çfarë duam të jemi si skuadër. Këtë duhet ta tregojmë që në momentin e parë,” përfundoi trajneri 42-vjeçar.
Komente
