MADRID, Spanjë - Xabi Alonso u prezantua si trajneri i ri i Real Madrid. Ish-mesfushori spanjoll rikthehet në "Bernabeu" pas 11 vitesh, por këtë herë si trajneri i klubit ku kaloi pesë sezone dhe fitoi pesë trofe, mes tyre dhe Champions League apo La Liga.
43-vjeçari ka një barrë të rëndë për të mbajtur, pasi do zëvendësojë një legjendë si Carlo Ancelotti, me këtë të fundit që do prezantohet te kombëtarja e Brazilit.
Xabi lë Bayer Leverkusen pas tre vitesh, ku bindi dhe fitoi Bundesligën pa asnjë humbje një sezon më parë. Në prezantimin e tij te Real Madrid nuk mungoi presidenti Florentino Perez, ndërsa në fjalën e tij Xabi tregoi ambiciet që dikur i shfaqte në fushë.
“Kemi një skuadër të shkëlqyer, lojtarë fantastikë, një ekip me të tashme shumë të mirë. Kam plot arsye për të ardhur këtu me energji dhe entuziazëm. Duam të arrijmë gjëra të mëdha, gjëra që i përkasin Real Madridit, si ato që tashmë janë këtu”, tha Alonso, duke iu referuar qartë 15 titujve të Champions League.
Një detaj domethënës, ai shfaqi krenarisht stemën me 15 yje gjatë fotos zyrtare.
“Dua që njerëzit, të cilët na shikojnë të thonë 'ky është ekipi që më pëlqen'. Që njerëzit të vijnë në stadium për t’i shijuar ndeshjet. Nëse arrijmë ta ndezim këtë ndjesi, do të kemi forcë të pandalshme. Kam bindjen se mund të bëjmë gjëra të bukura”, nënvizoi Xabi Alonso.
Emocioni i ditës së parë? “Pa dyshim që është një ditë shumë e veçantë. Një ditë që do ta shënoj në kalendar për gjithë jetën. Kjo është shtëpia ime, kam qenë disa vite larg, por lidhja me Real Madridin ka mbetur gjithmonë e paprekur. Që kur jam rikthyer në Valdebebas, kjo ndjenjë është ringjallur. Faleminderit për besimin, që menduat se jam personi ideal për ta udhëhequr këtë fazë të re, me energji dhe me entuziazëm. Ndihem që madridistët janë të ngazëllyer për këtë fillim të ri. Faleminderit Florentino Pérez për besimin”.
Trajneri i ri tregoi gjithashtu respekt për Carlo Ancelottin.
“Dua të flas për fazën që u mbyll dhe për detyrën që po marr nga Carlo Ancelotti. Ai ishte një trajner që më la gjurmë, një njeri i madh. Pa mjeshtërinë e tij, ndoshta nuk do isha këtu sot. E marr këtë trashëgimi me shumë nder. Shpresoj t’i përmbush pritshmëritë dhe ta çoj klubin aty ku e meriton dhe ku dëshiron të jetë”, tha Alonso.
Komente
