Barcelona dhe Napoli do përballen të martën për ndeshjen e kthimit në Champions League. Dueli i parë në Itali përfundoi 1-1 dhe katalanasit janë në një periudhë të keqe. Mediet iberike tregojnë se në rast të eliminimit nga Liga e Kampioneve trajneri Xavi Hernandez rrezikon një shkarkim të menjëhershëm, paçka se javë më parë ai njoftoi largimin në fundin e sezonit.
Në daljen para medieve për ndeshjen kundër Mallorcës së Muriqit, ish-kapiteni i Barçës tregoi se në futboll nuk fiton gjithmonë më i miri.
"Mallorca është një skuadër shumë e fortë fizikisht, lojtarët e ndihmojnë shumë njëri-tjetrin në fushë. Janë të rrezikshëm në kundërsulm, por ne luajmë në shtëpi dhe duhet të marrim tre pikët. Pedri? Për fat të mirë dëmtimi nuk është aq i rëndë sa menduam në fillim. Shpresoj që të rikthehet shpejt dhe të na ndihmojë", tha ai.
Xavi nuk dorëzohet, duke treguar se janë të aftë të mbajnë Realin e Madridit nën presion.
"Për kampionatin do të provojmë deri në fund, skuadra është e motivuar. Në futboll jo gjithmonë fitoi më i miri. Reali në dy ndeshje mori 34 goditje nga Leipzig, nëse do të na kishte ndodhur ne me siguri që do të kishim humbur. Nuk e kemi dorëzuar La Liga-n, kemi një tjetër mundësi për të fituar me Mallorcan dhe për ta vendosur Realin në presion", tha Xavi.
Pas javës së 27-të në La Liga, Barcelona me 58 pikë mban vendin e tretë, tetë pikë më pak se Real Madridi kryesues dhe një më pak se Girona e vendit të dytë.