Olta Xhaçka dhe ministri i Mbrojtjes së Kosovës Anton Quni

Xhaçka pret homologun nga Kosova: Të hapet një kapitull i ri që fillon me marrëveshjen e dikastereve

19 Qershor 2020, 14:11| Përditesimi: 19 Qershor 2020, 14:14

  • Share

Ministrja Olta Xhaçka ka takuar ministrin e Mbrojtjes së Kosovës Anton Quni, në vizitën e parë të tij jashtë vendit, pas emërimit të qeverisë së re.

Ajo e ka uruar kolegun e saj Quni për detyrën e tij të re, i cili ka ardhur në këtë post në një moment plot sfida për Kosovën. Xhaçka thekon se kapitulli i ri fillon me firmosjen e marrëveshjes së dikastereve mes dy vendeve.

"Por unë nuk kam asnjë dyshim që kolegu Quni, ashtu si dhe qeveria e drejtuar nga Kryeministri Hoti dhe mbarë klasa politike në Kosovë, do të dinë ta shfrytëzojnë më së miri këtë moment kaq të rëndësishëm për Kosovë, qytetarët e saj dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Dhe jam po ashtu e sigurt, që ata kanë të gjithë kapacitetet jo vetëm për t’u përballur me sfidën e negociatave, por edhe për të çuar përpara integrimin e Kosovës në strukturat Euro-Atlantike", shprehet Xhaçka.

Ajo i ka siguruar Qunit se Shqipëria nuk do ta kursejë në mbështetjen në çdo aspekt.

"Pavarësisht sfidave e vështirësive që kemi akoma përpara është bërë një progres i jashtëzakonshëm. Fakti që sot Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtarë me të drejta të plota të NATO sigurisht që është një garanci më shumë për konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit e paqes që kërkojnë të gjithë popujt e rajonit", thotë Xhaçka.

Ajo thekson se përpjekja për të stabilizuar e zhvilluar rajonin tonë, nuk mund të jetë e suksesshme pa integrimin e plotë të Kosovës në strukturat Euro-Atlantike. Duke filluar me anëtarësimin në NATO e më pas me integrimin në Bashkimin Europian.

"Jemi të gjithë të vetëdijshëm që ka shumë punë për të bërë për të arritur këto objektiva madhore strategjike. Dhe dua ta garantoj ministrin që qoftë në rrafshin politik e diplomatik, qoftë në atë teknik ne do të jemi krah për krah vëllezërve tanë duke ndarë të gjithë eksperiencën e Shqipërisë me integrimin në NATO. Për më tepër, i kam shprehur kolegut Quni angazhimin tim personal dhe angazhimin e Kryeministrit Rama, për hapjen e një kapitulli të ri dhe shumë intensiv bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, i cili fillon me negocimin në një kohë sa më të shkurtër të një marrëveshjeje të re bazë mes dikastereve tona, që shpresoj ta firmosim gjatë vizitës sime të ardhshme në Kosovë", shprehet Xhaçka.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?