Politikë

Xhafaj: SPAK nuk godet partitë dhe as bën luftë politike! Zgjatja e mandatit të prokurorëve do diskutohet, një nga 150 kërkesat! Reforma histori suksesi dhe do vijojë, e kërkon BE

6 Maj, 18:01| Përditesimi: 6 Maj, 18:10

  • Share

 

Kryetari i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, i njohur ndryshe edhe si “Komisioni Xhafaj”, Fatmir Xhafaj, foli edhe për reformën në drejtësi, SPAK dhe fazat e punimeve, si një nga detyrat që ka lënë Bashkimi Europian për Shqipërinë, në kuadër të procesit të negociatave dhe anëtarësimit më 2030.

Deputeti që kandidon në listën e hapur të Tiranës për PS në zgjedhjet e 11 majit, vuri në dukje se shpesh artikulohet gabim në media dhe analiza se “SPAK po godet PS apo pse nuk godet edhe PD”.

Ai tha se SPAK dhe reforma në drejtësi janë një histori suksesi dhe do vijojë më tej, derisa të arrihen standardet që kërkon edhe BE-ja. Xhafaj theksoi se SPAK nuk godet dhe nuk bën luftë politike.

Ai shpjegoi edhe fazën e punimeve të Komisionit dhe nismat e mëtejshme.

“Ky komision ka kaluar në fazën e dytë të tij. Kemi të parën analizë me 700 faqe, i miratuar dhe hartuar si dokument zyrtar e parlamentar. Hartimi i Planit Kombëtar të Veprimit pas fazës së dytë, me gjetjet e kësaj analize me mbi 200 masa konkrete, bazuar në rekomandimet e BE-së, për të përshpejtuar procesin e negociatave si projekt i Shqipërisë në BE. Faza e tretë për ndryshimet strukturore apo institucionale. Për pjesën e drejtësisë është ende në fazën e analizës dhe planit të veprimit”, tha deputeti i PS.

Ligjvënësi shpjegoi edhe arsyen pse u ndërpre puna e Komisionit për pjesën e Drejtësisë.

“Fokusimi është te sundimi iligjit dhe Parlamenti, ku ka hyrë në fazën finale, kurse pjesa për drejtësinë do më shumë kohë dhe e ndërpremë sepse s’donim ta lidhnim me fushatën elektorale, apo ta miksonim me të. Do ishte gjë e gabuar nga ana jonë nëse do e miksonim, ndaj e ndërpremë për ta nisur pasi të mbarojë fushata elektorale. Shqetësimi ynë është se si ta çojmë para reformën në drejtësi dhe të kapim standardet europiane. Sepse këtë e kërkon edhe BE-ja”, shpjegoi kreu i Komisionit të Posaçëm.

Argumenti se SPAK godet partitë politike sipas Xhafajt është i gabuar.

“SPAK nuk merret me partitë politike, nuk godet partitë politike, ai është institucion kushtetues, ku bashkë me GJKKO ka prioritet luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, krimit në nivele të larta zyrtarësh. Do ishte gabim nëse do veprohej apo shprehjet që përdoren se po goditet PS apo pse nuk goditet PD. Nuk ka fokus politik SPAK, kjo është e gabuar. SPAK ka prioritet krimin e nivelit të lartë zyrtar, pavarësisht se tëkujt force i përkasin. SPAK është një model suksesi dhe eksperiencë suksesi. E kundërta do ishte e çuditshme”, vijoi Xhafaj.

Në fund deputeti shpjegoi edhe kërkesën që ka bërë SPAK për zgjatjen e mandatit të prokurorëve, për të cilën tha se është një nga 150 kërkesat e bëra në Kuvend nga institucionet e drejtësisë dhe që kanë nevojë për diskutime dhe dëgjim të argumenteve.

“Është kërkuar nga prokurorët e SPAK, duhet t’i nënshtrohet gjykimit, do verifikohet. Nuk mund të shprehem sot, do ishte e gabuar, pa i parë argumentet dhe pa bërë një diskutim me propozuesit e projektit, si dhe aktorët dhe faktorët e tjerë për ndryshimet e nevojshme. Kjo është një nga 150 kërkesat që institucionet e drejtësisë kanë sjellë në Kuvend e që kërkojnë kohën e nevojshmepër t’u shqyrtuar, diskutuar dhe vendosur apo marrë zgjidhje”, përfundoi Xhafaj.


Lajmi kryesor:

Fatmir Xhafaj për Report Tv: Lista e hapur një sfidë, ushtrim që e kam kaluar! Berisha është e keqja e PD-së! SPAK s’merret me partitë dhe as me luftën politike, histori suksesi


A.Q/E.H/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Fushata drejt fundit, a ju kanë bindur partitë që të votoni më 11 maj?