Xhaferaj për Report Tv: Revolucioni kulturë e majtë, i bie të kërkojnë asistencë tek vende si Rusia! Me Berishën në krye s’jemi alternativë fituese

14 Shkurt 2023, 13:57| Përditesimi: 14 Shkurt 2023, 15:07

  • Share

Revolucioni që kërkon Sali Berisha bashkë me aleatin e tij të ngushtë Ilir Meta, është një kostum që s’i rri të djathtës! Kështu deklaroi deputeti i Partisë e Demokratike, Ferdinand Xhaferaj i ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv, i cili nënvizoi se revolucionet janë kultura të majta, e që i bie për të realizuar një të tillë, duke të kërkosh asistencë në vende si Rusia. Sipas Xhaferrajt, nuk duhet të flitet për logjikë revolucionesh, por për një platformë qeverisje.

‘Zgjidhja kërkon një lidership të ri. Duhet një platformë e re. Nuk duhet folur për logjika revolucionesh. Është një kostum që nuk i rri së djathtës. Kush do të na ndihmojë me revolucione ne, jemi vend i NATO-s. S’duhet të kthehemi tek kulturat e majta, pasi i bie të kërkojmë asistencë tek vende si Rusia. Duhet një platformë ku të themi se qeveria e nesërme të jetë alternativë për të gjithë qytetarët. Berisha nuk zbret nga kali, por qytetarët po e kuptojnë se është i mirë për të bërë protesta, por nuk i hy në parakalim kalit të Ramës.’- tha Xhaferraj.

I pyetur nëse mori pjesë dje në protestën e Berishës para Kuvendit, Xhaferaj tha se me kënaqësi do të merrte pjesë, por sipas tij, ish-kryeministri drejtues i njërës prej PD-vë, vendosi kushte në marrjen pjesë në protestë. Kjo pasi sipas Xhaferrajt, ai kishte kërkuar që mos të merrte pjesë kreu i grupit parlamentar në PD, e për rrjedhojë edhe deputetë të tjerë nuk kishin marrë pjesë në protestën e Berishës. Për Xhaferrajn, Sali Berisha nuk është alternativë e cila mund të sjellë PD-në në pushtet.

‘E kisha planifikuar që të isha në protestë. Berisha vendosi kushte duke thënë se kreu i grupit parlamentar nuk pranohet në protestë. Vendosja e kushteve ishte katërcipërisht e pa pranueshëm për mua. Alibeaj mban postin e kryetarit të grupit parlamentar, kemi një grup komunikimi dhe vura re që një pjesë nuk donin. Megjithëse dikush thotë se protesta i kalo pritshmëritë në fund të fundit duhet të biem dakord se ishte një protestë. Kjo qeveri nuk e meriton që të mbështetet. Berisha edhe në protestë në 6 mars, kjo do të thotë se pa Berishën nuk bëhet ngritja e një alternativë opozitare. Me Berishën si të parë nuk bëhet. Këtë na ka prodhuar 6 marsi. Pa Berishën nuk bëhet por edhe me Berishën si të parë nuk bëhet. Duke pasur Berishën si drejtues të kësaj lëvizje nuk jemi alternativë fituese. Ishte një reagim kundër qeverisë dhe këtu nuk shoh asgjë të keqe. Kemi një protestë nisur nga halli i tij. Berisha duke bërë këto protesta, dhe bën mirë që i bëjmë, por shqetësimin kryesor e kam se me lidershipin e Berishës nuk kthehemi fitues. Halli që ka Berisha dhe dëshira për të protestuar është një stacion që nuk na çon në destinacionin final.’- u shpreh Xhaferraj.

Sali Berisha ka konfirmuar se të enjten do të ketë sërish protestë. Protesta e Berishës para Kuvendit erdhi tre ditë pasi organizoi një tjetër para kryeministrisë. Berisha dhe Meta premtuan se do sillnin në shesh 100 mijë njerëz, për atë që ata e quajtën nisja e një revolucioni. Por siç dukej edhe nga pamjet me dron që solli Report Tv, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u panë më pak se 10 mijë vetë, që në fund pas dy orësh fjalime, hodhën tymuese e kapsolla para godinës së kryeministrisë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?