Xhenson, i riu nga komuniteti rom që ‘theu’ paragjykimet! U arsimua për drejtësi, punon në administratë

8 Prill, 16:55| Përditesimi: 8 Prill, 17:23

  • Share

Xhenson Çela ka kaluar çdo sfidë për t’u bërë një qytetar i shkolluar dhe i denjë për shoqërinë. Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij të komunitetit rom që nuk kanë mundur të shkollohen, Xhenson ka arritur qëllimin e tij, të arsimohet dhe të integrohet në tregun e punës.

“Kam studiuar për drejtësi dhe master në Budapest për politikat publike. Aktualisht punoj si ekspert i jashtëm pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, tregon ai.

Prejardhja rome, nuk e ka penguar 30-vjeçarin të ecë përpara dhe të ndërtojë hapat e karrierës. Aktualisht Xhenson ka botuar edhe dy libra, ku fabula e tyre trajton përditshmërinë me të cilën përballet komuniteti rom. Një përjetim që sic thotë Xhenson, e ka kaluar poshtë lëkurës së tij.

“Trajton ngjarje të vërteta që kanë ndodhur në vendin tonë. Ku fëmijë dhe romë janë dëbuar forcërishtë nga vendbanimet e tyre për shkak të gjuhës së urrejtjes, ky botim hedh dritë mbi këtë ngjarje. Botimi i dytë lidhet me Holokaustin e romëve në Luftën e Dytë Botërore dhe titullohet “ Samudaripen, Babo kujton gjenocidin”, thotë Xhenson Çela.

Xhenson prej vitesh në mënyrë vullnetare mbron të drejtat e komunitetit të tij, ndaj në ditën e romëve nëpërmjet kukullave që përfaqësojnë personazhe që i përkasin këtij grupimi dhe që kanë pasur ndikim të madh në shoqëri, zgjodhi të përcjellë këtë mesazh.

“Aktivizimi im lidhet edhe me krijimin artizanal të personazheve të ndryshme, kukulla që janë shembuj frymëzimi për të ardhmen, siç është Martin Luther King, Musine Kokalari, aktivistë, shkollarë, muzikantë të pakicave kombëtare rome”, tregon Çela për Report Tv.

Edhe për Valbona Xhafën, pjesë e komunitetit rom, çështja e arsimit duhet parë me prioritet si e vetmja mundësi për të thyer barrierat në shoqëri. Ajo thotë për Report TV se ka 4 fëmijë, të gjithë të arsimuar.

“Diskriminimi patjetër që ka në komunitetin romë, por ka nis edhe një ndryshim mesa unë kuptoj. Mendoj se arsimi është baza e zhvillimit, jam munduar ta thyej këtë mentalitet në familjen time. Vajzat e mija janë shkolluar, janë bërë dikushi në jetë”, shprehet Valbona Xhafa.

Përveç sfidës në strehim dhe arsimim, për këtë komunitet paragjykimi mbetet ende një shqetësim.

“Paragjykimet ekzistojnë, prandaj lind nevoja që gjithsecili të ndërgjegjësohet, të informohet”, shton Xhenson.

Edhe në Lushnje në ditën ndërkombëtare të romëve u organizua një konferencë kombëtare, ku morën pjesë përfaqësues të këtij komuniteti, por jo vetëm, ku u diskutua mbi problematikat dhe shqetësimet e tyre, si dhe adresimin për të marrë zgjidhje.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Alban: 09/04/2024 08:20

    Bravo dhe suksese!

    Përgjigju
  • Artan: 09/04/2024 00:27

    Ne fakt komuniteti Rom eshte i nepermembur ( jo vetem ne shqiperi por kudo neoer bote). Nuk duhet te jete e lehte te te jepen mundesi te barabarta me qytetaret e tjere shqipetar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?