Kronikë

Sherri në Bulqizë pas takimit elektoral të PD/ Policia dorëzon në SPAK materialet për Xhelal Mziun, nipin e tij dhe zyrtarin e Bashkisë

1 Maj, 11:39| Përditesimi: 1 Maj, 16:11

  • Share

TIRANË- Për sherrin me protagonist kryesuesin e listës së Partisë Demokratike në qarkun e Dibrës Xhelal Mziu, SPAK duhet të vendosë brenda dy javëve nëse do ta regjistrojë apo jo referimin  e bërë nga policia.

Policia e Bulqizës ka depozituar materialet në Prokurorinë e Posaccme për deputetin demokratik, sa i përket incidentit të ndodhur më 24 prill gjatë një aktiviteti elektoral, ku dyshohet se Mziu bashkë me nipin e tij dhunuan Kalosh Murrën, një zyrtar bashkiak atje.

Përveç materialit policor, në SPAK ka mbërritur nga prokuroria e Dibrës edhe një kallëzim i vetë Xhelal Mziu, i cili pretendon se është ai personi i dëmtuar, por edhe një padi e tretë e një qytetari tjetër që akuzon deputetin e Partisë Demokratike dhe njerëzit e tij për dhunë, në të njëjtin sherr të 24 prillit ,pas një takimi elektoral të zhvilluar nga PD në fshatin Ostren.

Veprimet hetimore do të kryhen nga prokurori Elvin Gokaj, i cili është caktuar në qarkun Dibër për të hetuar krimet zgjedhore apo për të monitoruar këtë zonë deri më 11 maj.

Në ditët në vijim, pritet që prokurori Gokaj të marrë në shqyrtim tre kallëzimet dhe më pas të kryejë veprime hetimore si dhe të thërrasë personat e përfshirë apo që ishin prezent në vendngjarje, në cilësinë e deklaruesve. Për të zbardhur ngjarjen ndihmë do t’i vijnë edhe pamjet filmike të sherrit, të sekuestruara  nga policia dhe të dërguara në SPAK së bashku me referimin.

Incidenti u shënua më datë 24 prill pas një takimi elektoral të zhvilluar nga Partia Demokratike në fshatin Ostren. Policia referoi materialin në SPAK për veprën penale "Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje".

Zyrtari i bashkisë pretendon se deputeti demokrat e ka kapur për fyti, ndërsa nipi i tij e ka goditur me grushte pa asnjë shkak, përpara zyrave të njësisë administrative. Në rrjetet sociale qarkullon videoja e dhunës se ushtruar ndaj Murrës, por duhet theksuar se pamjet e filmuara në distance nuk e identifikojnë qartë Xhelal Mziun.

Sakaq, deputeti demokrat pretendon se ngjarja është manipuluar nga Policia e Dibrës, pasi sipas tij pjesëmarrësit janë intimiduar dhe dhunuar gjatë takimit elektoral ne Ostren. Në rrjetet sociale qarkullon një tjetër video, ku sipas tij, Jeton Dani, babai i kandidatit socialist, Murat Dani sulmon fizikisht kryetarin e PD në Bulqizë, Shaqir Manjani.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?