Autori i dënuar, Xhemal Loka dhe viktima Bedrie Loka

Kronikë

Durrës/ 10 vite burg për Xhemal Lokën, shtyu gruan në vetëvrasje! Dëshmia e 2 prej fëmijëve në gjykatë: I thoshte do të bëj të pish helm, je në majë të briskut

6 Shkurt, 19:08| Përditesimi: 6 Shkurt, 20:17

  • Share

Gjykata e Durrësit shpalli fajtor për shkaktim të vetëvrasjes dhe dënoi me 10 vite burg Xhemal Lokën, bashkëshortin e 41 vjeçares Bedrie Loka, nënë e 4 fëmijëve që i dha fund jetës duke u helmuar me fostoksinë mbrëmjen e 2 janarit, ndërsa ndërroi jetë në spital mëngjesin e 3 janarit 2024. 

Report TV dhe Shqiptarja.com kanë siguruar dëshmitë që dy prej fëmijëve të çiftit Loka kanë rrëfyer në gjykatë, dhe kanë shërbyer si provë për të treguar barbarinë e të atit ndaj nënës dhe tyre, që çuan deri në vetëvrasje.

46-vjeçari, i cili kryesisht jetonte në Greqi ku bënte edhe punë sezonale dhe i dënuar më parë në Francë, u kthye në shtëpi për të festuar Vitin e Ri në banesën e tyre në Sukth. Por familjes, i ndali gëzimin, kur 2 janarin e vitit 2024, i sëmurë nga xhelozia dhe në konflikte të vazhdueshme me gruan të cilën e akuzonte edhe për tradhti, e dhunoi atë, duke e detyruar të pijë fostoksinë.

Fillimisht u dyshua për vetëvrasje, por dëshmitë rrënqethëse të fëmijëve zbardhën të vërtetën, se Bedrija dhunohej dhe kërcënohej sistematikisht, një herë me thikë dhe një herë nën presionin që të pinte helm.

Gazetari i Report TV, Aldo Mustafa, informon se janë dy fëmijët e çiftit, që me dëshmitë e tyre në Prokurori dhe Gjykatë kanë zbardhur dinamikën e grindjeve, shkaqeve, rrethanave, rasteve të dhunës dhe veprimet e rënda të babait të tyre ndaj nënës.

“Je në teh të briskut”, “do të të bëj të pish helm”, “do të të vras familjen” ishin disa nga kërcënimet e vazhdueshme, përveç keqtrajtimit fizik me grushte e shkelma ndaj viktimës, e cila nuk duroi dot më. Dhe pasi i tha të bijës se “do e qepte”, piu helmin e vdekjes, kurse në momentet e fundit do shprehej “boll durova!”.

Madje jo vetëm kaq, pasi djali i vogël ndër 4 fëmijët e çiftit, ka treguar se edhe atë i ati e rrihte me rrip pantallonash, një herë mori thikën për ta therur, por mamaja e mbrojti dhe një herë tjetër rrëmbeu armën për të vrarë dajat.

Madje momenti më prekës ka qenë ai kur djali i vogël e ka gjetur në muajin shtator 2023 nënën e tij jashtë ambienteve të punës duke qarë dhe teksa mbante një kapsulë helmi në dorë. E dalloi pasi kur e hapi dhe e nuhati, vinte erë shumë e rëndë. Por flijimi nuk u parandalua dot dhe shkaku ishte presioni dhe kërcënimet e Xhemal Lokës. 

Dëshmia e R.Loka, vajza e Bedries:

Marrëdhënia e prindërve ka qenë në distancë, babai ka qenë shumë vite jashtë shtetit dhe për 8 vite ka qenë në burg në Francë. Kanë qenë edhe mirë dhe keq, por ne ia kemi lënë fajin faktit që ka qenë në burg dhe presionit atje. Kur erdhi ishte mirë vitin e pare, më pas ndryshoi çdo gjë. Sa iku emigrant, vazhdoi dhuna psikologjike. Babai ka ushtruar dhunë edhe ndaj nesh dhe ndaj mamit. Me mamin kishte një lloj inati, një herë sillej mirë, një herë keq. Nuk e kuptonim gjithë kohën. E kishim baba, nuk donim që të ndaheshin. Mami thoshte do ndahem. Ne fëmijët nuk donim të ndodhte. Kanë kaluar shumë gjëra të vështira ndër vite, t’i ndanin njerëzit me fjalë nuk ishte e drejtë se jemi 4 fëmijë në mes. Ai i ka thënë t’i do ecësh në majë të briskut dhe çfarëdo fjalë thua do të të vras. Gjëja më e vogël e cenonte. Çdo gjë ishte qetësi deri në 1 janar, kur më lanë tek shtëpia e burrit. Kur u kthyen kishin një grindje mami me babin. Kemi qenë tek xhaxhai për Vitin e Ri, tezja kishte shkuar tek shtëpia jonë. Mami i tha nuk jam, babai tha një fjalë jo të mirë, mami u prek se njeriu im. Nuk e linte të shkonte për vizitë tek daja dhe nëna ishte e paralizuar. I thoshte po ike do të të vras, po ike të do vras vëllezërit.

Me sa kam pasur kontakt me të në 3 janar, kanë qenë momentet e fundit. Ka pasur kërcënime gjithë kohën me jetë. Para se të pinte helmin, në 1 janar rreth orës 7 ose 8, më tha që po mbyllte portën, thotë që kur ka qenë tek nëna e tij ça nuk i kishte thënë. Kishte shkuar gjasme për t’i gjetur punë mamit, i kishte thënë gjëra të tjera e kishte mbushur kundër tij. Në 10 të darkës, pasi fola me babin që më mori dhe më pyeti a ta lë të shkoj tek daja, ajo ka qenë duke larë enët, kam thënë: Prapë me këto muhabete! Atë natë nuk isha e qetë, ajo më tha “do e qep mami, do e qep” dhe fiku telefonin. Në 2 janar, kur kam ikur tek spitali, më ka thënë me shpresë se do shpëtonte, tha “boll durova më”! 

Dëshmia e djalit të mitur të Bedries: 

Babi asnjëherë nuk ka qenë pranë nesh, ka bërë kërcënime, ofendime, ndaj nesh dhe marrëdhënia e dy prindërve ka qenë e keqe. Mami donte të shkonte tek e nëna dhe babi nuk e linte të shkonte pasi e shtynin njerëzit e tjerë. Mua më ka marrë mami në telefon dhe më tha ka ardhur babi dhe unë shkova tek shtëpia dhe shikoj se gjërat ishin në ekstrem. Babi e kishte dhunuar mamin me grushte, e kishte shtrirë përtokë, ishin zënë me njëri-tjetrin dhe mami ishte nxirë komplet nga krahët dhe pjesë të trupit që më tregoj mami. Edhe më përpara janë grindur të dy, pasi babi nuk e linte të shkonte tek dajat dhe nëna e saj dhe i thoshte do të t’i vras vëllezërit. Kur erdhi më datë 27 dhjetor 2023, e shtyu mamin dhe unë u çova në këmbë dhe ai shkoi e mori thikën të më therte mua dhe po mos të ishte mami dhe vëllai do më vriste. Në lidhje me ngjarjen e fundit babi ka kryer veprime kundrejt mamit edhe fizike dhe psikologjike nga viti 2021 e në vazhdim, kanë ndodhur shpesh. Kam qenë i pranishëm në të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në shtëpi dhe babi ka bërë veprime të përsëritura dhune fizike ndaj mamit, duke e goditur me duar dhe me shkop, me mjete që ishin aty. Përveç nënës edhe mua më ka dhunuar babi më ka rrahur me grushte, për faktin se përse nuk mëson në shkollë, me rrip, në fytyrë e në trup komplet, më ka ul në divan dhe më gjuante dhe ka ndodhur në disa raste në të njëjtën formë. Atë natë që ka ardhur me datë 27, ka marrë armën dhe i ka thënë mami do të vras vëllain. Arma ka qenë në shtëpi dhe ka pasur edhe armë të tjera. Mamit i thoshte do të bëj të pish helm dhe ne kemi qenë prezent. Unë kam punuar tek puna e mamit dhe ai e ka marrë në telefon duke e kërcënuar dhe kam parë mamin që nuk ishte tek vendi i punës, e kërkova dhe e pashë që ishte ulur në një cep dhe qante dhe kishte helmin në dorë, një kapsulë dhe e hapa dhe ajo kishte erë të rëndë. Kjo ka ndodhur në shtator të vitit 2023, para se të vij babi nga Greqia”.

A.Q/S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?