'Sa të sigurta janë lodrat e fëmijëve?' - Kjo ishte një ndër temat e diskutimit në 'Studio Live' në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, këtë pasdite duke qenë se jemi edhe në festat e fundvitit, kohë kur prindërit dhe gjyshërit blejnë më shumë për fëmijët. E ftuar në studio ishte inspektorja Ilda Xhemollari nga Inspektorati Shtëtëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT). Ajo deklaroi se në treg ka ende lodra të pasigurta për fëmijët, por përqindja më e madhe e tyre janë të sigurta.
Për ta bërë më të qartë, Xhemollari theksoi se lodra të pasigurta janë ato që nuk përmbajnë elementët thelbësorë të sigurisë që janë tre; markimi CE, grupmosha, dhe paralajmërimet, kujdesi që duhet të kenë përdoruesit.
“Markimi CE, që një lodër është e sigurtë dhe konform kërkesave të legjislacionit të BE-së. Ato që janë pa këtë logo nuk janë të sigurta. Markimi CE që vendoset në paketime vendoset nga prodhuesi, që do të thotë se ka kryer një sërë analizash që është e sigurt. Ato që nuk e kanë CE, janë të ndryshme. Kukullat, lodrat antistres, janë një larmishmëri. Ato përmbajnë lëndë kimike të ndryshme. Nëse janë mbi nivelin e lejuar, do të thotë që niveli i kimikateve është tej normave të lejuara. Mosha shumë e rëndësishme, nëse fëmija është 1-3 vjeç, s’mund të blesh një lodër për fëmijë 4-5 vjeç. Paralajmërimet, të kenë kujdes nga paketimet, që duhet t'i hedhin në kosh se kanë rreziqe, mund t’i gëlltisin.”-tha Xhemollari.
Ndër të tjera Xhemollari tha se kanë bërë disa inspektime dhe kanë konstatuar raste me lodra problematike. Ajo theksoi se janë bllokuar 3500 lodra gjatë këtij viti.
"Janë të ndryshme, nuk ka një fokus që janë te tregjet apo dyqane. Janë lodrat që s'kanë paketim, informacion, këto janë të rrezikshme. Jemi nën monitorim të vazhdueshëm. Fokus është dhjetori ku të gjithë blejnë më shumë lopdra për fëmijët. Tirana është më problematike. Në rrethe është pakica ku janë shitës fundorë. Në vend të dytë mund të vijë Fieri, Durrësi."-deklaroi Xhemollari.
Teksa bëri një krahasim me vitet e mëparshme, inspektorja tha se tendenca e qarkullimit të lodrave të rrezikshme është në ulje.
"Kemi katër vite që si inspektorat operojmë në tregun shqiptar. Krahasuar me 2018, 2019, 2020 ka një rënie, tregtohen shumë më pak lodra të rrezikshme se vitet e kaluara.”-deklaroi Xhemollari.
Për uljen e qarkullimit të lodrave të pasigurta Xhemollari tha se ISHMT luan rol thelbësor por edhe operatorët ekonomikë janë ndërgjegjësuar.
“Edhe konsumatori është i ndërgjegjësuar. CE do të thotë që është me standarde europiane. Mund të prodhohet dhe në kinë, por ka standardet europiane.”-u shpreh inspektorja.
Në përfundim, ajo këshilloi të gjithë prindërit dhe gjyshërit që të jenë të kujdesshëm në përzgjedhjen e lodrave për fëmijët, markimi CE, grupmosha dhe paralajmërimet që ato kanë të shkruara.