Energjike dhe e përkushtuar në çdo iniciativë që merr në jetë. Për Zamira Braushin, nuk është e pamundur ruajtja e ekuilibrit mes familjes, profesionit dhe kujdesit për veten. Për emisionin “Një nga ne” në Report Tv, nëna e dy fëmijëve tregon rutinën e saj në qytetin e Vorës.
“Zgjohem në orën 4:30, kryej ritualin e faljes së sabahut. Nisja e ditës me adhurimin e Zotit është një qetësi për shpirtin. Më duket sikur e gjithë dita nis mbarë”, thotë Zamira ndërsa shton se lutjet i drejtojnë ditën.
Ka 2 diploma në xhep, por vazhdon të investojë në dije dhe shëndet. Në dy vite humbi 45 kg dhe prej vitit 2023 mban një peshë të qëndrueshme, ndërkohë që kujdesi për ushqimin dhe aktiviteti fizik, si ecja dhe palestra janë kthyer në pjesë thelbësore të rutinës së saj.
“Në momentin që unë u gjenda përballë obezitetit, pra 125 kg, vendosa të ndryshoja stilin e jetesës dhe mënyrën e të ushqyerit. E kuptova sa e rëndësishme që ishte seleksionimi dhe përzgjedhja e ushqimeve të cilat ishin të mira për shëndetin tim dhe të eleminoja ose të ulja sasinë e atyre që nuk ishin të shëndetshme.
Pjesa e ushqimit është kthyer në një gjë shumë thelbësore dhe merr shumë vëmendje gjatë ditës time për humbjen në peshë dhe për të jetuar shëndetshëm. Kam humbur 45 kg në 2 vite dhe pas 2023 kam arritur të mbaj një peshë normale.
Unë kam studiuar për Fizikë në vitin 2006 dhe jam diplomuar si mësuese fizike për shkollat e mesme ndërsa në 2015 kam mbyllur një diplomë për Farmaci. Këtë vit jam duke studiuar master për Nutricion. Jam duke mbyllur vitin e pare”, tregon Zamira.
Punon prej 10 vitesh krah bashkëshortit. Me Valmirin është njohur në fakultet, një dashuri e pastër, pa kushte, që i rezistoi çdo stuhie.
“Unë bëra gati 10 vite që punoj si farmaciste. Tashmë puna dhe profesioni si farmaciste është bërë ajo gjëja që unë dua më shumë me shpirt. Kam pasur si mision ose si vizion timin të brendshëm që të isha e dijshme karshi patologjive të ndryshme dhe kategorisë së barnave që i shëronin këto patologji. E kam parë veten si dikush që do vija pranë shëndetit të njeriut duke i mundësuar atyre lehtësimin e vuajtjes ose lehtësimin e sëmundjes së tyre.
Kur ndryshova profesion që nga mësuese kalova në farmaciste, më mbeti një gjë nga mësuesia që kur i shpjegoj gjërat, i shpjegoj si zyshë. Farmacia jonë po bën 15 vite në Vorë, një nga sfidat më të mëdha ka qenë ajo e vendndodhjes së biznesit.
Me Mirin punojmë shumë kohë bashkë, shtëpinë e kemi afër me farmacinë. Nëse kemi dëshirë për të dalë, dalim në Tiranë për të kujtuar kohën kur kemi qenë student, ato rrugicat kur kemi ecur nëpër Tiranë, kafet ku jemi ulur më shpesh.
Ky është si një refresh i asaj monotonisë që punojmë në punë gjithë ditën bashkë dhe ndoshta bëhet e lodhshme. Qoftë me sfidat shëndetësore, qoftë me biznesin, e mira jonë ka qenë që neve kur shikojmë që njëri është poshtë, tjetri përpiqet që ta ngrejë”, tregon e buzëqeshur.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e “Report Tv”.
Komente
