Xhevat Lloshi: 125 vjet pa Konstandin Kristoforidhin, rilindësin e gjuhës shqipe

16 Mars 2020, 16:24| Përditesimi: 16 Mars 2020, 17:02

  • Share

Tashmë kanë kaluar 125 vjet nga koha kur pena më e artë e gjuhës dhe letrave shqipe ka heshtur.

7 Marsi është dita kur albanologu, gjuhëtari dhe përkthyesi i shquar Konstandin Kristoforidhi u largua nga jeta.

Autor i të parit fjalor shkencor të gjuhës shqipe, ky paraprijës i rilindësve, nuk arriti ta shihte veprën e tij të botuar.

I konsideruar si “Bibla” e shqipes, Fjalori i Kristoforidhit, që u ngjiz me brumin e të folmeve të shqiptarëve të Greqisë, e kudo ku flitej ndër toskë e gegë në trojet tona, u botua 9 vite pas vdekjes së tij në Athinë.

Më vonë në vitin 1961 u ribotua me alfabetin e sotshëm nga Aleksandër Xhuvani. Që atëherë, ky fjalor, si dhe një pjesë e veprës së Kristoforidhit kanë shërbyer për akademikët, albanologët e gjuhëtarët si një pishtar për të hyrë në thesaret e fjalëve e të shprehjeve të rralla të gjuhës shqipe.

Por vepra e Kristoforidhit nuk paska ende një botim të plotë akademik.

A do të mundet të arrihet kjo së paku në 200-vjetorin e lindjes?!

Kjo është pyetja që ngre profesor Xhevat Lloshi, që i është përkushtuar për vite me radhë studimit të veprës së Konstandin Kristoforidhit.

Në një intervistë ekskluzivisht për Report TV, akademiku Xhevat Lloshi bën thirrje që kjo vepër të bëhet pjesë e bibliotekave akademike e universitare. 

125-vjetori i largimit nga jeta është një rast i mirë për të mësuar kush është në të vërtetë ky rilindës i lënë padrejtësisht në harresë....!

Intervista

Në këtë 125- vjetor të vdekjes së Konstandin Kristoforidhit vijmë këtu tek ju për të folur rreth veprës së tij, rreth krijimtarisë së tij, duke pasur parasysh se ju po e studioni këtë vepër, si dhe krijimtarinw e Konstandin Kristoforidhit. A mund të na thoni fillimisht cili ka qenë kontributi i tij?

-Kristoforidhin, sigurisht të gjithë e njohin si një gjuhëtar që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e gjuhës shqipe dhe sidomos në historinë e gjuhës së shkruar shqipe. Në fillimet e tij ai ishte nxënës në Gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Atje po në të njëjtën kohë, në 1847-n, erdhi një konsull austriak Johann Georg von Hahn. Von Hahn erdhi në Janinë për tw ndjekur veprimtarinë tregtare të perandorisë austro-hungareze dhe aty e ndjeu të nevojshme të dinte shqipen, sepse atje kishte vetëm pak vite që ishte vrarë Ali Pashë Tepelena, dhe ende pjesën më të madhe të veprimtarisë ekonomike  e bënin shqiptarët në Janinë. Dhe i rekomanduan atij të merrte dy shqiptarë nga Janina dhe ai zgjodhi një geg e një tosk. Tosk ishte Anastas Panajoti, Meksi në të vërtetë. Dhe kështu ai filloi të mësojë shqipen me ta, duke punuar mbi një libër shumë të rëndësishëm të asaj kohe, që mund të thuhet që ishte libri më i rëndësishëm, sepse ishte përkthimi i Dhjatës së Re shqip më 1827-n nga Vangjel Meksi dhe redaktuar nga Grigor Gjirokastriti dhe ky libër ka pasur një rol shumë të rëndësishëm për të gjithë filologjinë europiane kushtuar gjuhës shqipe. Dhe tre vjet, bashkë me Kristoforidhin dhe Apostol Panajotin, kanë punuar duke qenë këta mësues të shqipes për Von Hahn, por dhe njëkohësisht ai i mësoi ata se ç’është filologjia, ç’është interesimi për gjuhën, për përkthimin, etj. Kështu që, gjatë tre vjetëve Kristoforidhi bëri dy shkolla; një shkollë në “Zosimea”, ku mësoi gjuhën kulturën, etj, dhe një shkollë të dytë me atë që do të bëhej një nga albanologët më të shquar.

Meqë dolët tek shkollat, cila ishte gjendja kulturore, arsimore e shqiptarëve të Janinës, por edhe të popullsisë tjetër që gjendej në ato rrethina, në kohën kur jepnin kontribut dijetarë të tillë, apo albanologë të huaj për gjuhën shqipe?

- Kristoforidhi e kishte mësuar greqishten që në shkollën e Elbasanit dhe sigurisht e vijoi edhe në Janinë. Dhe, në këtë mënyrë duke parë ai kulturën e kohës, sepse “Zosimea” përfaqësonte në atë kohë një nga shkollat më të rëndësishme të gjithë Perandorisë Osmane, u ndje nevoja që bashkatdhetarët e tij të kishin një shkollë të këtij niveli. Pastaj, më vonë, ai u njoh me librin e albanologut Von Hahn “Studimet shqiptare”, por libri ishte në gjermanisht dhe nuk ishte i dobishëm në atë kohë për popullin tonë, dhe kështu ai vendosi të bënte po atë punë që kishte bërë ai albanolog që kjo të ishte e dobishme për popullin e tij, për Shqipërinë. Dhe prandaj, jo rastësisht, kur e thirri në 1865-n Tomson-i, përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike në Stamboll, për të filluar një përkthim të ri, sepse përkthimi i 1827-s ishte vjetruar, menjëherë Kristoforidhi, jo vetëm iu përgjigj ftesës për të bërë përkthimin, por e shtyu përtej këtë çështje, duke thënë: -Në rregull, ne do të fillojmë të bëjmë një përkthim të ri, por atë duhet ta lexojnë njerëzit, dhe ndaj ne duhet të mësojmë alfabetin e shqipes dhe të fillohet me një abetare të shqipes. Dhe ajo që është vërtete diçka e shquar pasi bëri një abetare, ai është endur në të gjithë Shqipërinë për të shitur librat, dhe madje ai ka qenë i interesuar që abetaren ta mësonin gratë. Ai ishte interesuar që edhe gruaja shqiptare të shkollohej. Vetë Aleksander Tomson-i që ishte përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike ka ardhur disa herë në Shqipëri dhe është interesuar konkretisht për gjendjen e shkollës shqipe, dhe ai na ka lënë një dokumentacion shumë më të pasur që s’e ka bërë asnjë historian apo kronikan i asaj kohe, ku na tregon gjendjen e shkollave shqipe të kohës dhe na tregon në mënyrë të jashtëzakonshme atë punë që ka bërë Kristoforidhi.   

Përveç kësaj, ajo që na intrigon është procesi i përkthimit. Natyrisht,t jo vetëm që është përkthim i ri, por dihet që nuk ka përkthim pa sjellë pasuri  gjuhësore. Ju si gjuhëtarë çfarë keni spikatur nga prurjet e Kristoforidhit në lëvrimin e një shqipeje të pasuruar me idioma, me njësi përkthimore e shumë të tjera që janë të nevojshme?

-Kristoforidhi kishte talent për gjuhët. Ai kishte mësuar disa gjuhë, pasi kishte parë edhe Hahn-in që botoi dhe fjalor dhe prandaj ai ia vuri vetes për detyrë që të mblidhte një fjalor.  Ai wshtë mbledhësi më i shquar i fjalës shqipe që nga koha e tij. Mund të themi që ne të tjerët vetëm e kemi vazhduar veprën e tij. Në këtë mënyrë, ai bashkë me abetaren që përhapte, bashkë me librat që i bënte njerëzit tw lexonin, i dëgjonte njerëzit. Dhe dihet anekdota e famshme e tij me vezët:

Kristoforidhi vajti një ditë në Pazar tek një grua fshatare, që po shiste vezë. Dhe i kërkoi asaj që të blente vezë, por me qëllim bëri që t’i thyheshin disa vezë.

Atëherë sigurisht gruaja, u zemërua dhe e shau, dhe Kristoforidhi pa e prishur fare terezinë i shënoi të gjitha fjalët që thoshte ajo.

Pastaj e pagoi shumë me tepër sesa kushtonin vezët, dhe gruaja iu kthye me lavdërime të mëdha dhe Kristoforidhi i shënoi edhe lavdërimet që tha ajo.

Ai njëkohësisht ishte në gjendje që të gjente edhe marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjera. Gjithashtu, Kristoforidhi ishte në gjendje që ta mblidhte pasurinë gjuhësore, por edhe ta vinte në përdorim në tekstet e veta, sepse ka shkruar edhe “Gjahun e Malësorëve”. Kjo bëri që nga ana tjetër Kristoforidhi të ndeshej me gjendjen e vërtetë të gjuhës shqipe të asaj kohe. Në “Fjalorin” e tij ai i përjashtoi huazimet greke, sllave dhe turke. Nga kjo njohje shumë e mirë ka përpunuar idenë për një shqipe të lëvruar.

Sa janë shfrytëzuar nga gjuhëtarët në vijimësi të gjitha këto mbledhje që ka shfrytëzuar Kristoforidhi?

-“Fjalori” i tij është shfrytëzuar gjerësisht dhe Kristoforidhi, krahas “Fjalorit” të tij, i cili  përbën mendimin e tij, pikëpamjen e tij, se cila duhet të jetë gjuha e lëvruar e shkruar shqipe, ka lënë edhe një varg dorëshkrimesh, në të cilat ka bërë mbledhjen e fjalëve të huaja, sllave, greke, turke, latine, madje ka shkuar deri në krahasimin me sansikrishten. Madje kemi një faqe tjetër që nuk ka qenë e njohur deri më sot. Unë kam botuar për shembull turqizmat e gjuhës shqipe, ai i njihte dhe thoshte ja ku janë, por nuk është e mira që ne t’i përdorim. Ideja e tij bazë për pastrimin fjalorit u bë ideja bazë e rilindjes, pavarësisht se nuk duket e drejtpërdrejtë, por ka edhe fakte te drejtpërdrejta.  Fan Noli që në fillimet e tij u ndesh me përkthimet e Kristoforidhit dhe është shprehur se “jam habitur me përkthimet e Kristoforidhit”. Dhe nuk është rastësi që kur Fan Noli u shugurua prift, meshën e  parë që ka mbajtur ia ka kushtuar Kristoforidhit. 

Tani po kuptojmë këtë kontribut që përveç mbledhjes së Fjalorit, mësojmë sot nga ju që Kristoforidhi ka qen paraprijës i purizmit të gjuhës shqipe, ndërkohë që në literaturë janë trajtuar vetëm Samiu, Naimi, apo jo?

-Kjo nuk ka asnjë dyshim, por unë dua të theksoj këtë gjë, që ai kishte një pikwpamje më të gjerë edhe për popullin shqiptar. Pas Kongresit të Berlinit më 1878-n, sigurisht problemi themelor ishte çdo të behej me tokat e Perandorisë Osmane, të cilat u goditën nga Traktati i Shën Stefanit. Dhe për këtë arsye, pas Kongresit të Berlinit, sipas vendimit të tij, u mblodh një komision që u quajt i Rumelisë, domethënë i pjesës së Ballkanit të Perandorisë Osmane, në Stamboll, ku do të diskutohej struktura e mëtejshme e qeverive në Ballkan. Në këtë konferencë shumw të rëndësishme erdhi si përfaqësues i kompanisë britanike, lordi Moris. Është interesante që ai ka dashur të dijë diçka edhe nga shqiptarët, dhe Aleksander Tomson-i, përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike në Stamboll, i ka thënë lordit Moris se ne kemi këtu një njeri të ditur që e njeh shumë mirë çështjen shqiptare, është Kristoforidhi. Dhe Lordi Moris i ka bërë një intervistë të vërtetë Kristoforidhit, e cila është botuar në 1880-n në Blu Book, në një dokument shtetëror, është një dokument historik, dhe aty ai ka paraqitur pikëpamjen e tij për Shqipërinë, për shtetin shqiptar, për politikën shqiptare. Dhe sigurisht një dokument i tillë, i botuar në dokument zyrtare të Perandorisë Britanike, ka luajtur rol të madh më tej. Për shembull, ne e dimë që një nga përfaqësuesit e Perandorisë Britanike, Gosheni në ato vite ka shprehur idenë se “Më në fund çështja shqiptare është e tillë, të cilën nuk mund ta injorojmë dot më!”. Domethënë, Kristoforidhi, jo vetëm ka punuar për ngritjen e ndërgjegjes ndërkombëtare, ashtu si të gjithë Rilindësit e tjerë, por ka punuar edhe për njohjen ndërkombëtare të çështjes shqiptare.

Njihet një letër e tij që ia ka dërguar Gustav Majerit. Në këtë letër, Kristoforidhi flet për Fjalorin e tij e të tjera, por unë jam i bindur që Majerit ai i ka dërguar edhe letra të tjera, sepse ka bërë një punim për letërsinë shqipe, ne këtë punim të Kristoforishit ne nuk e kemi, dhe pastaj vetë Gustav Majeri ka bërë një studim për letërsinë shqipe. Dhe nga krahasimi i turqizmave mua më del se një pjesë e mirë e tyre, në Fjalorin Etimologjik të gjuhës shqipe të Gustav Majerit janë marrë nga Kristoforidhi , domethënë e ka bërë gjuhën shqipe, kulturën shqiptare, të njohur edhe në nivelin e filologjisë europiane.

Ky personalitet, i cili shquhet, jo vetëm për kontributin e veprimtarinë, por edhe nga inteligjenca, nga e kishte origjinën?

-Familja e tij ishte nga Elbsani, por mundet edhe të kenë ardhur në kala, në Elbasan. Ai ka jetuar edhe në Tunizi pesë vjet se ishte mësues atje, dhe atje u martua me vajzën e një argjendari grek, por unë mund të them se babai i tij ka qenë një argjendar me zemër të madhe, qw djalin e vetëm e mbështeti qw të bwnte shkollë mw tej, por për fat të keq ai vdiq dhe për Kristoforidhin e ri u kujdes më pas xhaxhai i tij, por familja gjithsesi e mbështeti qw të shkollohej.

Trashëgimia që la Kristoforidhi është komplekse. Për shembull është një çështje tepër e ndërlikuar, përse ai botoi librat e tij me dy alfabete, për gegërishten dhe për toskërishten. Kjo gjë ka pasur një rol shumë të rëndësishëm.

Do të jap vetëm një fakt, kur u mblodh Komisia Letrare e Shkodrës, më 1916-n e ‘17-n ata i vunë vetes një si detyrë, që të bënin drejtshkrimin e shqipes, domethënë Kongresi i Manastirit përcaktoi alfabetin, tani duhet të përcaktohej edhe drejtshkrimi se çfarë të mbajmë si gjuhë standarde, si gjuhë të shkruar.

Ideja ishte të marrim të folmen e Elbasanit, si një të folme të mesme kalimtare ndërmjet gegërishtes dhe toskërishtes dhe mbi këtë bazë të ndërtojmë variantin e shkruar të gjuhës shqipe. Kur kjo ide në Komisinë letrare u shtrua, Gjergj Fishta me të drejtë shtroi pyetjen: “- Mirë, po a ka literaturë në këtë gjuhë?”. I thanë ka Kristoforidhi. “-Kristoforidhi, po.”, tha Fishta.

Pra, Komisia letrare vendosi ta ribotonte këtë libër, sepse pa që ka një variant të përpunuar tw shqipes së mesme që duhet tw mbizotërojë edhe në të ardhmen. Për fat të keq Komisia Letrare nuk pati mundësi të punonte më tej, sepse ajo ishte lidhur edhe me mbështetjen e austriakëve, dhe austriakët u thyen në fund të Luftës së Dytë  Botërore, kështu që mbeti pa botuar historia. Unë e kam ribotuar 100 vjet më vonë më 2017-n këtë histori të shenjtë të shkrimit të Kristoforidhit, duke plotësuar këtë detyrë që i vuri vetes Komisia Letrare.

Çfarë prurjesh ka brenda veprës së Kristoforidhit, ndër këto që keni ndërmarrë për të botuar?

- Unë kam bërë një projekt për të botuar të gjitha shkrimet e Kristoforidhit në dhjetë vëllime. Prej këtyre, tashmë pesë i kam botuar, dhe më gjashtin po merrem tani dhe sigurisht brenda këtij viti do të bëhet. Kjo pjesë me tw gjashtën që do të bëhet janë përkthime biblike dhe janë me përmbajtje fetare, por ata që i merrnin në duar, i shikonin si njw fushë të rëndësishme për gjuhën shqipe, dhe Aleksandër Tomsoni, i ka bërë përshtypje, dhe ka thënë disa herë, se nganjëherë këta libra i blejmë më shumë myslimanët se të krishterët. Jo vetëm kaq, por për ta kuptuar sesa e  rëndësishme është kjo pjesë e përkthimeve të tij, mund t’ju them që psalmet e përkthyera nga Kristoforidhi do të botoheshin dhe do të ribotoheshin. Dhe është marrë drejtpërdrejtë Naim Frashëri me këtë punë, ai i ka thënw Aleksandër Tomsonit se çfarë duhej të ribotoheshin dhe Aleksandër Tomsoni e ka marrë parasysh. E kam fjalën këtu që këto vepra në kohën tonë kanë rëndësi për këtë gjë, si etapa shumë të qarta për përpunimin e shqipes sot dhe na shërbejnë për të bërw krahasimet. Në këtë rast unë i kam ribotuar duke i vënë gegërisht dhe toskërisht në të njëjtin libwr me faqe përballë njëra tjetrës, sepse gjuhësia kështu bëhet. Nëpërmjet krahasimit mund të arrihen suksese më të mëdha. Dhe mund të them që edhe sot në përkthimet që bëhen i drejtohen gjithnjë Kristoforidhit, sepse ai që në 1860 –n ai ka përcaktuar gjashtë parime të përkthimit. Kështu ai është përkthyesi i parë në kuptimin më të plotë të fjalës, dhe natyrisht emri tjetër që vjen pas tij është Fan Noli.

Natyrisht kur ka një jubile, nuk bëhet fjalë vepëm për përvjetorë që ikin e vijnë, por bëhet fjalë për pasuri të pazbuluara të literaturës shqipe, të albanologjisë, të veprave. Bëhet fjalë për evidenca historike, që na tregojnë sesi është lëvruar gjuha shqipe, sesi është pasuruar sesi ka rilindur ajo. A ka një organizim akademik në këtë përvjetor për Kristoforidhin, për të sjellë pikërisht risitë që janë sjellë deri më sot, jo vetëm nga ju, por ehde nga profesorë të tjerë, si profesor Emil Lafe, apo studiues të tjerë të gjuhësisë?

-Studiuesit sigurisht janë interesuar për këta përvjetorë sespe ju shrëbjen si një shtytje për ta çuar më përpara punën e tyre kërkimore. Megjithatë për fat të keq unë nuk të jetë bërë ndonëj gjë nga Akademia e Shkencave, por mirë do të ishte që ne të planifikojmë jo vetëm për rastin e përvjetorit për një ditë, por në një perspektivë më të largët.  Për shembull Kristoforishi ka lindur më 1827-n. Më 2027 do të jetë 200-vjetori i lindjes së tij. Unë mendoj që në mënyrë institucionale të shikohej se ccfarë duhej bërë, dhe të thonë emdnimet e reja, sespe kq një gjë me zhvillimin e metjeshëm të gjuhës shqipe, behete e4dhe më interesante historia e saj, duke kalura vitet, interesi për kaluarën e studimeve gjuëhsore, shtohet. Për shembull gjuëhtar që edhen më pas punuan drejtëpëdrejtë mbi Kristforidhit, edhe të huaj, edhe Eqreem Ccabej, është mbështeur dhe e ka cituar në mënyrë të posaccme.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?