Lumo Skëndo

Xhevat Lloshi: Si kontribuoi Lumo Skëndo për shqipen pas Kongresit të Manastirit

10 Tetor 2018, 07:13| Përditesimi: 10 Tetor 2018, 15:57

  • Share

Biblioteka Kombëtare promovon sot ribotimin në dy vëllime luksoze të revistës “Dituria” të Mid’hat Frashërit, i njohur me pseudonimin Lumo Skëndo. Ky botim anastatik i revistës së mirënjohur kulturore e shkencore “Diturija” (1909-1927) promovohet në kremtimet e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit. 

Promovimi do të bëhet në Tirana Hotel Internacional, nga ora 10.30 deri në orën 13.00, me pjesëmarrjen e studiuesve të njohur Xhevat Lloshi, Luan Malltezi, Persida Asllani, Mark Marku e Uran Butka.

Revista “Diturija” mbetet shprehja më e plotë e profilit intelektual të Mid’hat Frashërit, Lumo Skendos. Në të ai ndërtoi një korpus të mirëfilltë albanologjik në çështje të historisë, të udhëpërshkrimeve, të dëshmive, të gjuhësisë shqipe e drejtshkrimit, të bibliografisë, e më gjerë. Ndër to spikasin cikli “Udhëtarët e huaj në Shqipëri”, rubrikat “Shtim në rradhojtë e Legrandit”, “Duke lexuar një libër”, “Tribuna gramatike dhe gjuhësije”, biografi të shumta, vëzhgime zakonore, dëshmi historike si dhe shkrime me interes të veçantë mbi historinë e besimeve dhe kultit ndër shqiptarë, etj. U themelua nga Lumo Skëndo menjëherë mbas përfundimit të Kongresit të Manastirit, kryetar i të cilit u zgjodh njëzëri 110 vjet më parë.

Numri i saj i parë doli në Selanik më 1 janar të vitit 1909 dhe spikati me frymën e thellë kulturore dhe informacionin dituror që do të rrugëtonte së bashku me revistën drejt një enciklopedie të mirëfilltë albanologjike. Pavarësisht mbylljes së saj mbas një viti, Lumo Skëndo e vijoi projektin e tij duke e botuar tri vite me radhë në Tiranë 1926-1929 (përveç 3 numrave që botoi në Bukuresht më 1916 që autori i konsideroi të humbur). 

Nga përcaktimi “E përkohshme shqip literare dhe diturake” më 1909, revista shkoi drejt formulimit “E përkohshme shqiptare” (1926) pikërisht sepse thelbi i saj ishte dija mbi kombin, që për themeluesin e saj do të thoshte dashuri e pakushtëzuar për dijen e mbrujtur me dashurinë e pakushtëzuar për atdheun.

Ribotimi i “Diturisë” vjen si fryt i bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë me Fondacionin ALSAR si dhe me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, e cila do të mirëpresë në Prishtinë në javët e ardhshme promovimin dhe konferencën kushtuar “Diturisë” dhe themeluesit të saj Lumo Skendo. Ky botim anastatik u organizua në dy vëllime: Vëllimi I,  janar 1909 – tetor 1927 dhe Vëllimi II, nëntor 1927 – dhjetor 1929.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani, e cila është kujdesur për botimin e dy vëllimeve të “Diturisë” së bashku me Mehdi Gurrën shkruan se: “Botimi anastatik i saj në prag të 110–vjetorit të Kongresit të Manastirit sjell në vëmendjen tonë faktin se për nga rëndësia e dijes që ajo përcolli “Diturija” është tashmë në një monument kulture, themelet e të cilit u hodhën në vitin e largët 1909 për t’u shndërruar në ngrehinën madhështore të dijes dhe “bujarisë së dijes” gjatë viteve 1926-1929. Bashkë me Albaninë e Konicës dhe me plejadën e simotrave të saj gjatë viteve ‘20-‘40 të shekullit të kaluar (Hylli i Dritës, Zani i naltë, Leka, Shkëndija, Përpjekja shqiptare, Minerva) këto revista përbëjnë një nga entitetet themelore të kulturës së shkruar shqipe. “

Ndërsa studiuesi Xhevat LLoshi e vlerëson ribotimin e diturisë si një vepër me vlerë që i përket, jo vetëm kulturës, por edhe historisë së gjuhësisë shqiptare. “Përndjekja e pandërprerë e kulturës dhe gjuhës shqipe nga sunduesit osmanë deri në fillim të shek. XX, duke pasur edhe mbështetjen e shovinizmit fanatik grek, e bënte të pamundur zhvillimin e gjuhësisë shqiptare në rrugët dhe format normale. Në këto rrethana shtypi shqiptar, që mori vrull në fund të shek. XIX, u bë mjedisi, ku mund të shtroheshin çështjet më të rëndësishme dhe më të ngutshme të lëvrimit të shqipes dhe të studimeve gjuhësore. Për pasojë, edhe një revistë e tillë, e cila aq sa i përket shtypit, i përket edhe historisë e gjuhësisë shqiptare, ka qenë “Dituria”. Për shkaqe të rrjedhës së kohës, ajo është botuar gjatë 20 vjetëve, por ka dalë për gjashtë vjet si numra të shtypur.”, shkruan profesor Xhevat Lloshi, i cili rrëfen më tej se pas këtyre dy vëllimeve do të ketë edhe një botim tjetër me rëndësi në kulturën kombëtare.

“Tashmë kemi 11 vëllime, që riprodhojnë të plotë revistën “Albania” të Faik Konicës, si edhe po nga ALSAR-i katër vëllime të “Kalendarit kombiar”. Studiuesi i njohur e konsideron si një lajm të mirë për të gjithë kolegët e tij, sepse më tej ai shkruan:

“Na është lehtësuar ndjeshëm puna jonë, mund të japim më shumë duke kursyer kohë të çmueshme, na është krijuar mundësia për ta rrokur menjëherë në pamje të plotë një degë të rrjedhës së kulturës sonë dhe jo vetëm t’i kemi edhe më të dokumentuara kërkimet tona, por po ta thosha me fjalë të tjera, na është pakësuar padituria jonë për trashëgiminë e së kaluarës. Për dobinë e veçantë të këtyre ribotimeve të përmbledhura, dëshiroj të vë në dukje, se ato na mundësojnë edhe të bëjmë gjetje të reja. Po sjell vetëm një shembull. Kohët e fundit, duke punuar për Gjergj Qiriazin, kam zbuluar te “Kalendari kombiar” një shkrim të tij të panjohur deri më sot. E pranoj me kënaqësi, se pa këtë ribotim as që do ta kisha gjetur kurrë. Pa e nënçmuar dobinë e madhe të zgjidhjeve të sotme elektronike, domethënë digjitalizimin e botimeve, e quaj të padyshimtë, se kur është fjala për gazeta dhe periodikë, shfrytëzimi i po atij burimi në trajtën e letrës së shtypur është pa krahasim më i frytshëm sesa në trajtën elektronike.

Viti i parë i “Diturisë” është menjëherë pas Kongresit të Manastirit. Ajo ishte një ngjarje, e cila e kishte pushtuar gjithë atmosferën shoqërore e kulturore kombëtare. Mit-hat Frashëri kishte qenë edhe kryetar i Kongresit. Dhe prandaj i pari shkrim i të parit numër të revistës është Istori e shkrimit shqip.”, rrëfen Lloshi.

Sipas Studiuesit Xhevat Lloshi, “Dituria” shqiptare niste me historinë e shkrimit shqip, sepse historiografia në kuptimin e ngushte për cilindo popull nis pikërisht me shkrimin e tij.

“Ka shumë të ngjarë që të ketë qenë përgatitur pikërisht përpara Kongresit dhe me këtë bagazh autori do të shkonte atje. Nga ana tjetër, gjatë atij viti revista ka dalë me alfabetin e Stambollit. Ne e dimë se Kongresi mori një vendim kompromisi. Kjo ndodhi sepse M. Frashëri deri në fund iu përmbajt alfabetit të Stambollit dhe e vazhdoi këtë edhe më pas. Një muaj më parë ai kishte botuar te “Lirija” një shkrim me titullin domethënës: Ç’fituam nga Kongresi i Manastirit? Ai kishte fituar të drejtën të vazhdonte botimet me alfabetin e Stambollit.

Natyrisht, kjo e drejtë kishte rënë më 1916, kur rinisi botimi i së përkohshmes dhe ajo më tej doli me alfabetin e sotëm.”, shkruan Lloshi. Studiuesi i njohur kujton se pas themelimit të “Diturisë”, numri i dytë hapet me një vërejtje për kulturën e shkrimit, e ndiqet nga një fjalorth e po ashtu nr. 11-12 hapet me “Të mësojmë gjuhën”, ndërsa fjalorthi ka vijuar në disa numra. “Shkurt, “Diturija numër pas  numri bëhej një dije për gjuhën. Për këtë dije dalin edhe emrat përkatës përveç të botuesit: A. Xhuvani, M. Logoreci, K. Gurakuqi etj. Ka edhe përkthime nga G. Ëeigand-i, P. Skoku.”, rrëfen studiuesi Lloshi rreth kurioziteteve dhe përmbajtjes së dy vëllimeve. Lloshi do të tregojë kumtesën e tij gjatë promovimit edhe  se çfarë ka bërë Lumo Skëndo me punën  e tij prej fillimit ku janë përvijuar tri drejtimet kryesore të interesimit të së përkohshmes në lëmin e gjuhës: historia e shkrimit shqip; lëvrimi i shqipes së shkruar dhe leksikologjia e leksikografia e shumë çështje të tjera gjuhësore.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?