Dosje

Xhirot çiklistike të Shqipërisë, 100 vite çiklizëm dhe pasion! Flet në Esencë mjeku Lluka Heqimi 

10 Maj, 07:36| Përditesimi: 10 Maj, 07:43

  • Share

Në kuadër të garës më të famshme çiklistike në botë, Giro d'Italia, emisioni Esencë sjell për publikun shqiptar Xhirot Çiklistike të Shqipërisë  që prej vitit 1925. 

I ftuar në studion e ‘Esencë’ ishte mjeku dhe Prof.Dr Lluka Heqimi. 

Eljan Tanini: -Faleminderit që jeni me mua sonte në Esencë! 

Lluka Heqimi: -Unë kam dyfish kënaqësi të jem këtu sot me ju, sepse vajza ime Ada Heqimi ka punuar në Gazetën Shqiptare me mjeshtrin e gazetarisë shqiptare Carlo Bollino-n, gjithashtu të flasim edhe për çiklizmin shqiptar është shumë kënaqësi për mua. Me një histori të pasur dhe figura të shquara, ky sport, çiklizmi, vazhdon të jetë një pjesë e rëndësishme e kulturës sportive shqiptare.

Eljan Tanini: -Çiklizmi shqiptar është më shumë se një kënaqësi kombëtare, pasion, stil apo jetë? Kush e nisi këtë sport te ne?

Lluka Heqimi: -Duhet të dimë që nëse ka një sport që duhet ta ngrenë në ajër, çiklizmi është sporti i parë i deklaruar. Janë të tjera përmasat kombëtare të këtij sporti! Ne e keqpërdorim termin KOMBËTAR sot, Banka Kombëtare e Shqipërisë, Kampionati Kombëtar i x sporti! 

Eljan Tanini: -Krenari Kombëtare është tjetër gjë!  

Lluka Heqimi: -Krenaria Kombëtare është e vërteta jonë. Çiklizmi te ne ka nisur në një garë me Vançi Jovan Cavalli, ku mori pjesë edhe Njaziu, ushtaraku turk, por fitoi Vançi në Korçë. 1901, Vangjel Turtulli bën garë velodrome. Këta njerëz kanë dashur të bëjnë shtesë në emër, gjithmonë kanë vënë nga pas pjesën shqiptari. 

Gjithashtu Gara e Manastirit, Vançi dhe Sali Sala marrin pjesë në atë garë, viti 1907. Shkodra ka superioritet garash, nga 1900 e tutje. Në këtë kohë kemi një bum shoqatash kulturore dhe sportive, ku te kjo e fundit bënte pjesë atletika, futbolli dhe çiklizmi. Çiklizmi ka pasur shumë angari për kohën! Ne kemi qenë një popull më shumë probleme dhe halle, me ferexhe, nuska, sifiliz, turbekuloz, malarje, por kemi qenë edhe sportdashës të mëdhenj; sepse ne kemi qenë një popull sfidant dhe superior, këtë e kemi në gjak. 

Eljan Tanini: -Gara e parë? Çfarë ndodh në vitin 1925?

Lluka Heqimi: -1920, gara e parë çiklistike 36 km. Patrioti Hilë Mosi i cili ishte edhe mësues i edukimit fizik, krijoi shoqërinë Vllazërimi në Korçë më 1909, pas 10 vitesh në Shkodër krijoi Vllazninë. 1925 vjen rrethi i parë çiklistik në Shkodër, ata bënë 900 e ca kilometra, pasionantë ndaj çiklizmit, e mbaruan 11 vetë, i pari doli Jonuz Gjylbegaj, i dyti Ali Havriqi dhe i treti Rudolf Gurashi. 

Edhe fotot e Marubit të vitit 1897 e tregojnë faktin se shqiptarët kanë dashtë të dalin me biçikletë edhe në ditën e dasmës. Biçikletat vinin nga jashtë. Kur ka dalë e shoqja e konsullit austriak me dyrrotak në rrugë, shkodranët u pataksën. Janë dhënë edhe biçikleta me qira edhe nga italianët, në Korçë jepte Llambi Sotir Andrea biçikleta me qira në vitin 1916. 

Eljan Tanini: -Si zyrtarizohet biçikleta me garë dhe si lëviznit ju si mjek? 

Lluka Heqimi: -Deri në vitin 1936 nuk kemi rreth çiklistik, Rudolf Gurashi ka bërë 36 goma në garën tjetër pas  këtij viti. Koço Kereku fitoi 3 rrethe çiklsitike, historia i njeh vetëm një. Pirro Angjeli nga Pogradeci 17 vjeç doli kampion. 

Hilë Mosi është burri më i ndritur i sportit shqiptar, Toger Palok Nikaj, Avni Zajmi, Pirro Angjeli, Bilal Agalliu janë 5 emrat me rëndësi në atë jetë sportive me vlera. Pas vitit 1946 fillon institucionalizimi. Shqipëria kishte dikur rreth 120 çiklista, përgatitja niste rreth moshës 17 vjeç. Bilal Agalliu ka fituar shumë gara, aq shumë sa nuk kishte më vend në trup, mbushur me dekorata. Biçikletat ishin plumb të rënda, zakonisht i merrnim nga Çekia. Turi i Italisë që vjen tani këtu, përkon më 100 vjetorin e rrethit tonë çiklistik. Gjithashtu, Shan Pici është fotografi i parë i rrethit çiklistik shqiptar. 

Për të lëvizur sa më mirë në garë,  unë sigurova një motor nga federata, unë isha ndërkohë edhe mjeko-tifoz i garës. Mbaj mend se Lutfi Zino zuri vendin e parë, por ngriu rrugës, nuk e linte garën edhe në stuhi bore. Në çiklizëm balta të mbulon deri në ballë. Mbaj mend se Dash Rama ra dikur, më shau çiklizmin, e çova me dashamirësi, më pas u bë kampion. Sporti kërkon oksigjen, ndryshe nga tregtia. 

Vitet 1950–1960, në këtë periudhë, çiklizmi shqiptar u zhvillua nën drejtimin e trajnerëve si Gani Muriqi. Figura të njohura si Agim Tafili, Brahim Sykja dhe Sytki Tafili arritën suksese të mëdha, duke fituar tituj kombëtarë dhe duke udhëhequr ekipin e Vllaznisë. Agim Tafili, në veçanti, fitoi Rrethin Çiklistik të Shqipërisë për gjashtë herë dhe u shpall "Mjeshtër i merituar i sportit" në moshën 25 vjeçare. Vitet 1990, një brez i ri çiklistësh, me në krye Leonard Kolën, vazhdoi trashëgiminë e paraardhësve të tyre, duke sjellë dy tituj kampionë shtesë për Shkodrën. Ky brez përfshinte edhe sportistë si England Qereshniku dhe Gëzim Mlloja.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju është dukur fushata zgjedhore?