Deputetja e partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në një deklaratë para kuvendit gjatë ditës së sotme ka mbështetur protestën e pedagogëve. Ajo tha për mediat se kërkesat e pedagogëve ishin minimaliste duke shtuar se do t’i kushtonin qeverisë vetëm sa një kilometër rruge.
“Jam sot në mbështetje të pedagogëve. Është e paimagjinueshme që elita e Shqipërisë gjendet sot në rrugë për të protestuar për të drejtat e saj, në vend që të jetë në auditor me studentët. Kjo për faj të qeverisë. Kërkesat e tyre janë minimaliste, aq sa një kilometër rrugë të florinjtë të kësaj qeverie. Kërkesat e tyre janë shumë të drejta. Ata kërkojnë rritje page sa kolegët e tyre në Kosovë. I kemi dhënë zë përmes amendamenteve, qoftë përmes kërkesës për rritje me 30 % në vitin 2023, rritjes së fondeve për kërkimin shkencor në masën 0.3% e PBB dhe mbështetjes financiare të studentëve me 100 euro në muaj”- u shpreh Xhixho.
Mes të tjerash ajo tha se kërkesat e pedagogëve duhet të votoheshin në Kuvendin e Shqipërisë ku janë paraqitur në amendamentet e propozuara nga partia e Lirisë.
“Amendamentet tona janë bërë publike dhe do të diskutohen dhe votohen sot në Parlament. Ndaj sot, është koha e veprave dhe jo e fjalëve, duhet të mbështesim sot me votë kërkesat e ngritura për pedagogët. Koha e fjalëve ka mbaruar dhe duhet të flitet me veprime konkrete. Ndaj sot, ne qoftëse jemi për një arsim cilësor dhe që vlera e diplomës së studentëve të ketë një vlerë më të madhe se sot, duhen votuar kërkesat e tyre të drejta. Që sakrifica e jashtëzakonshme e mijëra familjeve shqiptare të ketë vlerë, le t’i votojmë sot këto amendamente. Unë do të jem sërish nesër për të treguar se si ka votuar Kuvendi për këto kërkesa dhe për të ndarë njëherë e mirë se kush është për universitetin dhe kush është për shkatërrimin e tij. Emigracionit masiv kemi sot mundësinë t’i përgjigjemi përmes rritjes së buxhetit për arsimin. Kjo është rruga e vetme për t’i dhënë fund kësaj drame që po i shkaktohet vendit sot!”-shtoi deputetja.
Lajmi kryesor:
Kuvendi në seancë, pedagogët protestë para parlamentit, kërkojnë rritje pagash! Deputetja e PL: Kërkesat e tyre janë minimaliste
B.V/ReportTv.al