Tiranë- Partia e Lirisë synon 12 mandate deputetësh dhe nuk do i bashkojë votat e saj me qeverinë e Edi Ramës pas 11 majit nëse do i duhen kartonët për ekzekutivin.
Djali i Ilir Metës ka agjendën e tij politike në mbështetje të të atit për fushatën elektorale dhe zgjedhjet, ashtu sikurse çdo mbështetës dhe drejtues tjetër i partisë.
Kështu u shpreh sot (7 prill) në Report Tv, deputetja Erisa Xhixho, njëkohësisht nënkryetare e PL-së, pas arrestimit të Metës më 21 tetor 2024.
E ftuar në ‘Sot, Live në Shqipëri’, ajo foli për koalicionin me PD, projeksionet që partia ka, fushata në mungesë të presidentit të partisë, përfshirja e të birit, Besar Metaj në fushatë dhe nëse do bëheshin pjesë e qeverisjes me PS pas 11 majit, nëse numrat në Parlament do e kërkonin.
“Besi është njeri i shkolluar, është rritur në LSI, tani PL, e bashkojnë kauza të rëndësishme të partisë. Gjithmonë ka qenë aty, e bashkon kauza e të rinjve, arsimi dhe programi. Sot është në mbështetje të presidentit të PL si shumë të tjerë, për të luftuar kundër këtij regjimi, për ta liruar vendin nga ky narkoshtet. Ai është në mbështetje të presidentitt ë PL, sikurse jemi të gjithë ne. Jemi të gjithë në mbështetje të kandidatëve tanë dhe janë të gjithë të rëndësishëm. Fenomeni i trashëgimisë së pushtetit apo mandatit të deputetit është te PS dhe jo te ne, PL apo edhe te PD. Edhe ata që mund të kenë qenë te ne, sot janë te PS-ja. Besi është në një agjendë të vetën, në takime që i zhvillon vetë, si çdo mbështetës i PL-së ndaj presidentit Meta, del në fushatë për partinë vetë, në mbështetje. Djalin e Metës e bashkojnë kauzat e të rinjve”, shprehet Xhixho.
Nënkryetarja e PL-së nënvizon edhe arsyen pse Meta zgjodhi listën e hapur për të kandiduar më 11 maj nga burgu.
“Ilir Meta shfaqi konseguencë dhe madje e vendosi veten në listën e hapur, edhe në 2005 bëri të njëjtën gjë, ndërkohë që mund ta vendoste në listë të sigurt. Në 2008 bëri edhe grevë për ndryshimet Kushtetuese, që Shqipëria e ka në kurriz dhe ka një sistem ku kryetari vendos listën sot. Kjo është arsyeja kryesore pse Meta e vendosi veten në listë të hapur, për të dhënë shembull. Meta e ka kërkuar vazhdimisht edhe gjatë negociatave, ka qenë për listat e hapura, por nuk u dëgjua. Kauza kryesore e tij pasi të zgjidhet në Parlament do jenë pikërisht ndryshimet Kushtetuese. Meta do jetë më i votuari në Tiranë”, u shpreh deputetja për Report Tv.
Por a do i bashkojnë votat me PS-në pas 11 majit, për të përsëritur qeverisjen 2013-2017?
“Ne jemi përballë këtij regjimi, më 11 maj fitojmë zgjedhjet dhe nuk do të jemi pjesë e kësaj qeverie. Ne do të jemi jashtë kësaj mazhorance pas 11 majit, nuk do i bashkojmë votat me Ramën nëse do i duhen votat e PL, regjistroheni këtë. Ne synojmë 12 mandate, me të gjithë kandidatët tanë. Në Korçë kemi një mjek të përkushtuar dhe me potencial psh., kemi në Durrës, në Berat me Lefter Maliqin, kemi Ben Çukon në Fier, që do i japin dinjitet Parlamentit”, shprehet ligjvënësja e PL.
Për të 5 prioritetet e PL-së kanë rëndësi të madhe dhe tashmë janë shkrirë me programin e PD-së, duke u implementuar.
“5 prioritetet e Partisë së Lirisë, janë përfshirë në programin e Aleancës për Shqipërinë Madhështore me PD. Mes tyre shpopullimi, rrogat, pensionet, bujqësia, fermerët, biznesi, minimumi jetik, mbështetja e çifteve të reja që nuk përballojnë dot jetesën. 30 mijë euro kredi për çiftet e reja, modeli hungarez. Kupon 250 mijë lekë për fëmijët për shkollim, si dhe pagat e mësuesve. Shumica e parave shpërdorohen me koncesione, inceneratorë, sterilizimin, check-up-in etj. I kemi marrë këto iniciativa edhe në Parlament, që nga kanabizimi i vendit nga viti 2017, kur edhe dolëm në opozitë. Këto çështje, sidomos arsimi, duhet të shkojë përtej politikës dhe ngjyrave të saj, që paratë të mos shkojnë për kulla e koncesione, për informalitetin, evazionin, çarterat, dyfishimi i administratës publike, shishet e verës 35 mijë euro etj. Je vend që vjedh fondet e taksapaguesve europianë, si rasti i IPARD-it duke lënë bujqësinë dhe fermerët në mëshirë të fatit dhe shkaktuar skandal. Karburantet i ke sa Singapori, pse janë kaq lartë? Ulje e çmimit të energjisë elektrike dhe falje të gjobave”, tha Xhixho.
Teksa moderatori Nertil Agalliu e pyeti se një pjesë e mirë e këtyre pikave i ka në program dhe i ofron Lulzim Basha me KEA, Xhixho nuk e mungoi ironinë:
“Ne flasim për gjëra serioze dhe jo për personazhe që e di i gjithë populli dhe janë bërë meme”.
Komente
