Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka zhvilluar një seancë pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit Evis Kushi në lidhje me protestën dhe kërkesat e pedagogëve. Sipas Xhixhos, ata kërkuan rritjen e cilësisë së arsimit në vend dhe për trajtim dinjitoz financiar të tyre, por që kërkesat e tyre nuk u morën parasysh nga ministria e Arsimit.
‘Pedagogët tanë përballen sot me rritjen e çmimeve të ushqimeve, kosto të rritura të jetesës, rritja e karburantit etj. Të mos flasim për shpenzimet që u duhen për rritjen profesionale pagesat për artikuj, konferenca që shkojnë nga 300 - 1mijë euro më e pakta dhe të cilat i mbulojnë vetë, pa asnjë mbështetje. Alarmi që ata ngritën për mundësinë e largimit të intelektualëve nga vendi, jo vetëm s’u dëgjua dhe nuk iu dha përgjigje, por edhe u kërcënuan. Pagat në Shqipëri janë 40% më të ulëta se ato në rajon. Vendi me çmimet më të shtrenjta ka pagat më të ulëta. Buxheti i Shqipërisë për arsimin vazhdon jetë më i ulëti në rajon, sa 2,2% e PBB-së për 2023-shin. Kjo shifër është shumë larg mesatares së BE-së dhe premtimit 5% e PBB-së që do të realizonte Rilindja. Sot arsimi është në emergjencë, ndaj në tetor 2022, i jam drejtuar ministres së Arsimit, znj.Kushi, me një kërkesë për më shumë informacion mbi hapat që po ndiqeshin për realizimin e kërkesave të drejta të pedagogëve.’- tha Xhixho.
Po ashtu deputetja e Partisë së Lirisë ngriti edhe shqetësimin e trajtimit të studentëve, ku tha se janë të përjashtuar në mënyrë sistematike nga të gjitha paketat e rezistencës të sjella nga kjo qeveri në Kuvend. Xhixho u shpreh se ata u përjashtuan sërish edhe nga pseudo-lëmosha që kryeministri e quajti “Pakoja e Madhe”.
‘Studentët përballen sot me rritje të çmimeve dhe kostos së jetesës. Të paktën 500 euro i duhen një studenti në muaj, pa llogaritur këtu tarifën e studimeve. Kostoja e jetesës është dyfishuar, karta e studentit nuk ia doli kurrë të bëhet realitet, por mbeti thjesht një tallje me 1-2 % ulje në markete. Studentët praktikisht janë lënë jetimë nga kjo qeveri. Në mungesë të shpresës, tragjikisht ata po marrin gomonet e rrezikojnë jetën në La Mansh. 71% e të rinjve nuk e shohin të ardhmen në Shqipëri, 1 në 3 maturantë duan të studiojnë jashtë, 95% e të rinjve që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen në atdhe. Vetëm këtë vit akademik në auditore mungojnë 8 mijë studentë. Ndaj sollëm në Kuvend amendimin për buxhetin 2023, për t’i mbështetur financiarisht për periudhën janar-qershor studentët. Por ju as nuk denjuat ta shqyrtoni, aq më pak të arsyetoni por me forcën e kartonit e hodhët poshtë. Ndaj i jam drejtuar Ministres së Arsimit me pyetjen se përse studentët u përjashtuan nga paketa e solidariteti e sot nga e ashtuquajtura pako e madhe. Pse nuk u parashikua asnjë mbështetje për ta, ndërkohë që kostoja e jetesës është rritur?’- u shpreh Xhixho.
Ministrja e Arsimi Evis Kushi në përgjigje të saj qeveria ka ndryshuar qasjen e mbështetje studentore e shtoi se nga viti i kaluar është nisur një politikë të re për t’i mbështetur me bursa sa paga minimale, dhe përjashtim nga tarifat të gjithë ata studentë që plotësojnë disa kritere. Po ashtu Kushi nënvizoi edhe politikën për ndërkombëtarizimin që në thelb ka pikërisht mbështetjen për studentët.
‘Së pari të gjithë ata që janë ekselentë sot marrin 40 mijë lekë në muaj dhe janë të përjashtuar totalisht nga tarifat. Po kështu edhe studentët që kanë fituar olimpiada, e mbi të gjitha risia që ne sollëm me këtë politikë të re ishte mbështetja për studentët që ndjekin programet “prioritet kombëtar”. Për sa i takon inflacionit të luftës dhe paketës së madhe të solidaritetit. Natyrisht që qeveria dhe MAS kanë marrë një sërë masash edhe mbështetje direkte, por edhe mbështetje indirekte për studentët. Dhe e theksoj këtë, them mbështetje indirekte sepse të gjitha masat që janë marrë për familjet shqiptare, natyrisht janë edhe për studentët. Mund të mos jenë drejtpërdrejt për ta, por mbështetja që qeveria shqiptare u ka dhënë familjeve, rritja e pagës minimale, kompensimi i energjisë elektrike, rritja e pagave për mësuesit, për infermierët, për policët, për administratën publike, rritja e ndihmës ekonomike për gratë kryefamiljare, mbështetja për personat me AK, mbështetja për fermerët, nafta pa taksa, epo ashtu pakoja e madhe për vitin e ri janë mbështetje që u jepen familjeve përfshirë edhe familjet e studentëve.
Mbështetja jonë do të vazhdojë pa diskutim. Edhe politika jonë bazë, ndërkombëtarizimi në thelb ka pikërisht mbështetjen për studentët. Studentët falë ndërkombëtarizimit, falë programeve të studimit të përbashkëta dhe të dyfishta me universitetet më të mira evropiane por edhe botërore, do të kenë cilësinë më të lartë të arsimit, do të kenë vlera më të larta të tyre në treg, e natyrisht do të kenë një barrë më të ulët financiare për familjet e atyre që deri më sot i dërgonin studentët jashtë vendit për të studiuar në universitetet më të mira. Së shpejti edhe shumë universitete të tjera, ne i kemi në proces, do të kenë degët e tyre në Shqipëri. Tashmë vitin e kaluar filluar 19 programe studimi të përbashkëta dhe të dyfishta, që sigurisht janë një mbështetje e madhe për studentët, për familjet e tyre por edhe për të gjithë shqiptarët, sepse në fund të fundit ata studentë që deri dje shkonin studionin jashtë vendit për të patur cilësinë më të lartë, largoheshin nga Shqipëria. Ndërkohë që duke i mbajtur këtu ne kemi rininë që të studiojë në Shqipëri, të punojë në Shqipëri dhe të japë kontribut për vendin.’- tha Kushi.
Lajmi kryesor:
Kuvend, debat për inceneratorët, Berisha: Ahmetaj i fajshëm, por Rama është koka e krimit! Balla: 'Katran me bojë' të përjashtoi kandidati yt nga fushata e Tiranës
M.Q.//ReportTv.al