Xi Jinping

Bota

Xi Jinping i nxjerrë ‘jashtë loje'? ‘Zhdukja’ e liderit dhe heshtja e mediave shtetërore: Çfarë po ndodh në Kinë?

14 Korrik, 16:33| Përditesimi: 14 Korrik, 16:53

  • Share

Pak muaj më parë, në Pekin, ishte zhdukur Gao Shanwen, ekonomisti kinez që kishte vënë në dyshim të dhënat zyrtare ekonomike të vendit të tij. Jo, sipas tij, rritja reale nuk ishte 5% siç deklaronte qeveria – por pak mbi 2%. Dhe jo, papunësia te të rinjtë nuk ishte 17% (që edhe vetë ishte e lartë), por rreth 40%. Që nga ai moment Gao është zhdukur – dhe nuk është shfaqur më.

Ka kaluar pak kohë, por nuk e imagjinoja se emri i radhës për të cilin do të flisnim si “i zhdukur” në Kinë, do të ishte ai i vetë Xi Jinping.

Po, ai: Sekretari i Partisë Komuniste, Presidenti i Republikës Popullore dhe Kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, i cili ndodhet në mandatin e tretë të tij – gjë e paprecedentë që nga koha e Mao Ce Dunit. Xi është zhdukur nga skena publike, në moshën 72-vjeçare. Pastaj, qartë, është rishfaqur. Por nuk është aspak normale që Xi të zhduket për dy javë rresht – dhe këtë ta bëjë dy herë midis majit dhe korrikut.

Po ashtu, është hera e parë që nga viti 2012 që Xi nuk merr pjesë në samitin vjetor të vendeve BRICS: një javë më parë, në Brazil, ai mungoi. Edhe më e pazakontë është që për tri ditë me radhë – nga 2 deri më 5 qershor – gazeta zyrtare “Quotidiano del Popolo” dhe agjencia shtetërore “Xinhua” nuk e përmendën fare liderin e vendit.

Është vënë re edhe një rënie e ndjeshme – sipas vëzhguesve – në përmendjet e “Mendimit të Xi Jinping” si parim udhëheqës i partisë në komunikatat e Këshillit të Shtetit dhe të Ministrisë së Jashtme. Çfarë po ndodh përreth liderit më të fuqishëm të ekonomisë më të madhe të botës për nga prodhimi, që nga koha e Deng Xiaoping?

Askush nga jashtë nuk mund ta dijë me siguri. Nuk duket shumë e mundshme që Xi Jinping të përfundojë si Mikhail Gorbaçovi në gushtin e vitit 1991. Por diçka po ndodh. Le ta shqyrtojmë.

Gjeneralët e zhdukur

Zhdukjet e befasishme të figurave të larta në Pekin janë ekuivalenti kinez i "rrëzimeve aksidentale nga dritaret" që ndodhin me menaxherët në Rusi. Një nga rastet më të bujshme ishte ai i Qin Gang, ministër i Jashtëm deri më pak se dy vjet më parë dhe më parë ambasador në Uashington. Thuhet se arsyeja e rënies së tij ishte një marrëdhënie me një grua kineze, që nuk kishte miratimin e partisë, ndërsa ai jetonte në SHBA. Sipas zërave të fundit, ai është rishfaqur si funksionar në Bibliotekën Qendrore të Partisë në Pekin.

Por ajo që po ndodh me Xi Jinping dhe me krerët e ushtrisë – institucion që teorikisht ai e drejton në mënyrë absolute – është e një natyre tjetër. Sepse, në muajt e fundit, veçanërisht nga fundi i pranverës e deri në verë, janë grumbulluar një sërë ngjarjesh të pazakonta:

Në ushtri, figura të larta historikisht të afërta me Xi janë goditur nga një sërë “pastrimesh”.

Vetë Xi është zhdukur nga skena publike nga 21 maji deri më 5 qershor dhe më pas sërish nga 24 qershori deri më 7 korrik.

Në samitin e BRICS në Brazil – një forum që Xi e ka promovuar gjithmonë me kujdes – ai nuk mori pjesë, duke përmendur “mbivendosje agjendash”. Në vend të tij shkoi kryeministri Li Qiang.

Siç vë në dukje kanali indian News 18 (në bashkëpunim me CNN), gjatë zhdukjes së Xi në fillim të qershorit, për tri ditë rresht, media zyrtare nuk e përmendi fare.

Është e çuditshme, apo jo?

Katër sinjale nuk mjaftojnë për të shpallur fundin ose rënien e pushtetit të Xi – aktualisht në mes të mandatit të tij të tretë dhe, teorikisht, i rizgjedhshëm pa kufi. Por janë të mjaftueshme për të dyshuar se vështirësitë e vazhdueshme ekonomike dhe rezultatet kontradiktore të negociatave me SHBA-në e Donald Trump po nisin – ndoshta për herë të parë – ta dobësojnë Xi-në.

Pastrimet në hierarkinë kineze janë të zakonshme dhe Xi vetë i ka përdorur për të konsoliduar pushtetin. Edhe këtë herë, ndoshta është vetë ai që ka urdhëruar shkarkimin dhe ndëshkimin e disa gjeneralëve – ndoshta nga paranoja për tradhti, si çdo “perandor”. Por mundësia tjetër është që pastrimi i atyre gjeneralëve, dikur të afërt me Xi, të jetë bërë nga një tjetër figurë shumë e fuqishme: Zhang Youxia.

Shoku i fëmijërisë – dhe rivali i brendshëm

Kush është Zhang? Për Xi-në është një shok jete; gjenerali më i lartë në hierarki, që në vitin 2022 luajti një rol kyç në rizgjedhjen e tij për një mandat të tretë. Por Zhang Youxia është edhe rivali më i afërt i Xi Jinping. Në një video (në minutën e katërt) shihet se, gjatë një plenumi të rëndësishëm të partisë këtë vit, Zhang i kthen shpinën Xi-së dhe as nuk e përshëndet – ndryshe nga një vit më parë kur i shprehte nderim.

Zhang Youxia është komandanti më i lartë ushtarak i partisë dhe nënkryetar (i dyti pas Xi) i Komisionit Qendror Ushtarak. Babai i tij dhe ai i Xi-t kanë luftuar së bashku në revolucion përkrah Mao-së. Pra, me shumë gjasë, Xi dhe Zhang njihen që nga fëmijëria. Por tani Zhang kontrollon edhe zyrën që garanton sigurinë personale të Xi-së, duke e bërë kështu liderin potencialisht të varur nga ai.

Pastrimet në ushtri mund të jenë nisur nga Xi kundër Zhang, ose nga Zhang kundër Xi-së.

Ajo që është e sigurt, është se këto zhvillime tregojnë një destabilizim në majat e pushtetit në Pekin – një dobësim dhe një sfidim të autoritetit të pakontestuar të Sekretarit të Përgjithshëm.

Është vënë re gjithashtu se, gjatë mungesës së Xi-t në maj-qershor, një aktivitet i Këshillit të Shtetit u zhvillua pa bërë asnjë referencë për Xi – një gjë që nuk kishte ndodhur më parë.

Pse na intereson kjo?

Kemi folur më herët për vështirësitë e thella dhe kontradiktat e ekonomisë kineze – e mbështetur shumë te eksportet dhe e paaftë për të nxitur konsum të brendshëm e për të krijuar punësim për të rinjtë. Prej kësaj buron edhe ofensiva ekonomike ndaj Europës dhe Italisë (siç është trajtuar edhe në “Corriere”).

Tani përshkallëzimi i tensioneve tregtare me Donald Trump vetëm sa e përkeqëson situatën. Në këtë kontekst, nuk është çudi që brenda partisë dhe shtetit po vihet në pikëpyetje lidershipi i Xi Jinping: ai ka dështuar në riformatimin e ekonomisë, në mbështetjen e të ardhurave familjare, dhe në zgjidhjen e krizës së madhe të sektorit të pasurive të paluajtshme.

Grupime të tjera në Pekin – përfshirë reformistët e moderuar që mbështesin ish-presidentin Hu Jintao, të cilin Xi e poshtëroi publikisht në vitin 2022 – mund të kërkojnë t’i bëjnë llogaritë me të.

A do të thotë kjo se Xi Jinping do të humbasë pushtetin së shpejti? Me shumë mundësi jo – ai mbetet një “kafshë politike” me nëntë jetë. Por do të ishte mirë të ndjekim me vëmendje kthesat e ardhshme./ Corriere della Sera

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    AKU në ‘sitë’, a duhet bërë e njëjta gjë edhe me inspektorate të tjera?