Sali Berisha

Kronikë

‘Xibraka’/ SPAK rrëzon sërish Sali Berishën: S’ka kallëzim nga ‘anonimi’ Zaho Koka për Olsi Ramën

20 Janar, 16:23| Përditesimi: 20 Janar, 16:34

  • Share

TIRANË- SPAK ka rrëzuar sërish Sali Berishën, lidhur me pretendimet e tij se një kallëzues anonim ‘Zaho Koka’ ka dërguar në dhjetor një letër me informacione për Olsi Ramën dhe drejtuesit e Xibrakës. Në një përgjigje për Report Tv, Prokuroria e Posaçme sqaron se i është drejtuar me letër BKH nëse ka pasur ndonjë kallëzim nga shtetasi i pretenduar si Zaho Koka.

Pas kryerjes së verifikimeve  BKH ka sqaruar se nuk ka nuk ka asnjë letër, kallëzim apo denoncim nga Zaho Koka për çështjen e Xibrakës.

“Nisur nga deklarata e bërë në media, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Z. Altin Dumani i është drejtuar Drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) përmes një shkresë më dt. 13.01.2025, për të bërë verifikimet e nevojshme, nëse është dërguar në BKH ndonjë shkresë nga shtetasi i përmendur si Zaho Koka, ku jepet informacion për shtetasin Ols Rama, si edhe rrëmbimin e një biznesmeni me inicialet V.B

Përmes kësaj shkresë, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Z.Altin Dumani ka kërkuar nëse është dërguar një informacion i tillë, është regjistruar apo caktuar ndonjë hetues i BKH-së (cili prej tyre) dhe nëse është bërë verifikimi i tij.  Z.Dumani ka kërkuar gjithashtu të informohet nëse kanë përfunduar verifikimet e kryera dhe cila është procedura.

Më datë, 14.01.2025, Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit, përmes një shkresë sqaroi se:

“Nga verifikimet e kryera në Sekretari,Protokoll rezulton se në Byronë Kombëtare të Hetimit nuk ka ardhur letër, kallëzim apo denoncim nga shtetasi i pretenduar si Zaho Koka”, thuhet në reagimin për Report Tv.

Emrin e Zaho Kokës Berisha e përmendi sërish para SPAK, kur u paraqit në zbatim të masës detyrim paraqitjeje.

“Ato janë në mënyrë figurative, se edhe Zaho Koka është një dëshmor i luftës, por Zaho Koka është dosja që ka ardhur këtu për Olsi Ramën dhe klanin Rama, dosje që përmban dokumente autentike, shumë të rëndësishme, që inkriminojnë kokë e këmbë këtë klan.

Këta mendojnë se do e fshehin, por e kanë të kotë se gjërat ekzistojnë gjithnjë në dy dhe tre kopje.. Denoncimi i krimit për Sali Berishën nuk njeh asnjë kufi. Prokuroria e posaçme ka vite që i ka aty dhe i fsheh dhe mbulon krimin në mënyrën më kriminale", tha Berisha para SPAK. 

Më 10 janar, SPAK përfundoi hetimet për dosjen e laboratorit të kokainës që u zbulua në vitin 2015 në Xibrakë dhe tha se nuk është gjetur asnjë provë që implikon në këtë çështje Olsi Ramën, vëllanë e kryeministrit. Hetimet mbi këtë dosje rifilluan pasi deputeti demokrat Gazment Bardhi kërkoi nga SPAK verifikim për përfshirjen sipas tij të Olsi Ramës te dosja ‘Xibraka’.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Betohet Trump, a do të ndryshojë politika e SHBA-ve ndaj Shqipërisë?