Interi mposhti 4-3 Barcelonën dhe është finalisti i parë i Champions League. Në një sfidë që zgjati 120 minuta, zikaltërit kaluan një prej skuadrave më në formë dhe tregojnë se nuk janë rastësisht dy herë në tre vitet e fundit në finale.
Pas përballjes shumë emocionuese, trajneri i Interit vlerësoi sakrificën e të tijve në dy përballjet që me rezultatin e përgjithshëm u ndanë 7-6. Simone Inzaghi i dha merita edhe rivalëve, duke thënë se veç Yamal që është në një nivel tjetër, De Jong i ka pëlqyer në veçanti.
“Urime për Barcelonën sepse janë një ekip vërtet i fortë. Duhet t’i duartrokas djemtë e mi që midis ndeshjes së parë dhe asaj të dytë dhanë dy paraqitje sensacionale. Jam krenar që jam trajneri i tyre, ata më dhanë gjithçka dhe madje edhe ata që erdhën nga stoli na lejuan të ruanim nivelin e lartë.
Shfrytëzova ndryshimet për të vazhduar të besoja dhe për të provuar të kufizoja një ekip që ishte i vështirë për t’u ndaluar. Patëm disa probleme, por me zemër kapërcyem çdo pengesë. Ne luajtëm me cilësitë tona, të cilat i kemi. E njihnim Barcelonën dhe ishim të qartë se çfarë të bënim në fushë, por pa sakrificën e të gjithëve nuk ishte e mundur të bënim të gjitha këto. Ne kurrë nuk ishim mendjemëdhenj.
Është folur shumë për Yamalin, por më bëri shumë përshtypje edhe De Jong, i cili është gjithmonë i pozicionuar mirë dhe është gjithmonë i pranishëm në topat e dytë. Kam parë shumë lojtarë të fortë, por përveç Yamalit, për të cilin konfirmoj se është në një nivel tjetër, duhet ta nënvizoj De Jongun”, përfundoi Inzaghi.
Interi do përballet më 31 maj në finalen e Munichut me fituesin e çiftit PSG - Arsenal (1-0 ndeshja e parë), me aktin e dytë mes tyre që luhet këtë të mërkurë në orën 21:00.
Komente

Shto edhe frazën e Inzaghit…ama djemtë e mi nuk i ndërroj me asnjë në botë.
PërgjigjuAMALA PAZZA INTER AMALA
Përgjigju