Yield-et e bonove 12-mujore të thesarit pësuan një rënie të mëtejshme në ankandin e kësaj jave, Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 2.57%, nga 2.6% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, që ishte zhvilluar në muajin gusht.
Edhe ky ankand u karakterizua nga një kërkesë e lartë e investitorëve. Nga 6.8 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim, kërkesa totale arritën në rreth 8.5 miliardë lekë. Pro rata apo pjesa e pranuar e ofertave konkurruese rezultoi shumë e ulët, në nivelin 4.93%.
Likuiditeti dhe kërkesa e lartë në treg për këto instrumente i ka zbritur yield-et në nivelin më të ulët që prej qershorit të vitit 2022. Ndërkohë spread-i (marzhi mes yield-eve të bonove 12-mujore dhe normës bazë të interesit ngelet shumë i ulët, me vetëm 0.07 pikë përqindje, ndërsa në disa momente gjatë këtij viti ky marzh ka qenë edhe negativ, çka nënkupton se yield-et e këtyre instrumenteve kanë rënë poshtë normës bazë.
Ndërkohë që yield-et e instrumenteve afatgjata po korrektohen në rritje, një gjë e tillë nuk po ndodh me yield-et e bonove, që vazhdojnë rënien. Kërkesa e lartë e investitorëve institucionalë, kryesisht bankave, në këtë segment të tregut vazhdon të ushtrojë një trysni drejt uljes së yield-eve.
Një ndikim në këtë drejtim ka ushtruar edhe ulja e vlerës së huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm. Në tremujorin e tretë, vlera e huamarrjes së qeverisë parashikohej 10% më e ulët krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.
E njëjta tendencë pritet edhe në tremujorin e fundit të këtij viti. Sipas kalendarit të huamarrjes të Ministrisë së Financave, shuma e programuar për t’u financuar në tregun e brendshëm, (duke përfshirë edhe rifinancimet e instrumenteve të maturuara) do të ketë vlerën 64.9 miliardë lekëve, në rënie me 3.4% krahasuar me tremujorin e tretë dhe në rënie me 4.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Duke qenë se yield-et e bonove 12-mujore janë instrumenti kryesor benchmark për kreditimin në Lekë, një rënie e tyre reflektohet edhe në norma më të ulëta për kreditë me interesa të ndryshueshme në monedhën vendase. Normat e ulëta të interesit vazhdojnë të mbështesin rritjen e kreditimit të ekonomisë. Për 7-mujorin 2025, kredia e re e dhënë nga sektori bankar arriti në 231.9 miliardë lekë kredi të reja, me një rritje prej 10% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./Monitor
Komente
