Lot, lule dhe shumë dhimbje është parë në Mianmar ku mijëra qytetarë janë mbledhur për t’u dhënë lamtumirën e fundit 114 personave të cilët humbën jetën e tyre në atë që konsiderohet dita më e përgjakshme në vend.
Yjet e rënë në përpjekje për të rikthyer lirinë në vend, janë heronjtë e heshtur, të thjeshtë por inspirues të vendit.
Mes tyre ishte edhe 40-vjeçari Aye Ko, babai i katër fëmijëve i cili jetonte në qytetin Mandalay, i cili u qëllua dhe u plagos kur ushtarët bastisën zonën. Ata më pas e tërhoqën zvarrë në një pirg gomash makinash të djegura, të cilat ishin vendosur nga protestuesit si një barrikadë.
Ndërkohë që në një zonë tjetër njerëzit po vajtonin për humbjen e 18-vjeçarit Aung Zin Phyo. Ai ishte portieri i Klubit Futsal Lin Latt dhe vullnetar për të ndihmuar në një qendër të kujdesit intensiv gjatë pandemisë. Ai u qëllua kur ishte në vijën e parë të protestuesve nga forcat e sigurisë.
E ndërkohë që edhe fëmijët nuk janë kursyer nga makineria vrasëse e ushtrisë.
Njëmbëdhjetë vjeçarja Aye Myat Thu është njëra prej tyre, e cila u përcoll në banesën e fundit së bashku me lodrat, lulet dhe një vizatim të Hello Kitty.
E për 13-vjeçarin Sai Wai Yan loja u ndërpre në mes, së bashku me jetën e tij për të filluar udhëtimin drejt përjetësisë.