Dosje

Kur Shqipëria stërviste udhëheqësit e Palestinës

27 Korrik, 18:23| Përditesimi: 27 Korrik, 19:30

  • Share

Udhëheqësi i Palestinës, Jaser Arafat, ka kryer stërvitje ushtarake edhe në Shqipëri. Gjatë vizitave të shpeshta në Tiranë, lideri me çallmë ka vizituar ushtarët e tij revolucionarë, që përgatiteshin në kazermat e rrethinave të kryeqytetit shqiptar, por është futur edhe vetë në kabinetet speciale e poligone. Jo thjesht për të shuar kureshtjen rreth metodave që përdornin pedagogët shqiptarë, që u mësonin të rinjve artin e luftës popullore. Ai ka ballafaquar me specialistët dhe drejtuesit e lartë të Ushtrisë Shqiptare njohuritë dhe shprehitë praktike në fushën ushtarake. Vizitat e tij u shtuan pas forcimit të marrëdhënieve midis udhëheqësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, me drejtuesit e të ashtuquajturave lëvizje revolucionare në botë. Ndoshta për herë të parë stalinizmi nuk e pengoi Enverin të mbështeste nacionalistin Arafat, vetëm pse ky i fundit luftonte kundër Izraelit. Një shtet që Hoxha e kishte cilësuar si vegël të imperializmit amerikan. Kështu, si asnjëherë tjetër, Enveri mbante të njëjtin qëndrim me imperialistët ndaj liderit të Palestinës.

Një nga ish-pedagogët më të mirë të përgatitjes së zjarrit në vitet 1970-1980, sot me një funksion të rëndësishëm në Ministrinë e Mbrojtjes, ka qenë për pak kohë profesori i liderit palestinez për mësimin dhe realizimin e qitjes me armët e këmbësorisë në poligonin e Lanabregasit, pranë kryeqytetit. “Në vitin 1973 Jaser Arafat, bashkë me komandantin e ushtrisë palestineze, Abu Xhihad, i shoqëruar nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dume, erdhi për të ndjekur një stërvitje treguese në poligon”, - tregon oficeri madhor që dëshiron të mbetet anonim për shkak të detyrës shtetërore. Më parë Arafati kishte vizituar klasat dhe kabinetet e përgatitjes luftarake në Akademinë Ushtarake, ku ishte interesuar për metodat e mësimdhënies dhe programet që zhvilloheshin atje për përgatitjen e oficerëve të niveleve të ndryshme. “Në poligon Arafati mbërriti me veshjen e tij tradicionale, xhaketë dhe çallmë në kokë”, - kujton pedagogu ushtarak. Bashkë me komandantin e Shtabit të Ushtrisë Palestineze ai tregoi interes të veçantë për qitjen kundër objektivave ajrore. Pikërisht për këtë, një togë oficerësh të rinj demonstruan me qitje reale në poligon. “Për nder të udhëheqësit palestinez u kryen të gjitha variantet e mundshme me të gjitha llojet e armëve të këmbësorisë”,- vijon oficeri madhor. Ishte një tregim interesant, për të cilin drejtuesit e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes urdhëruan të përgatitej edhe një film dokumentar, që do të shfaqej në të gjithë ushtrinë.

Arafati u kënaq shumë nga demonstrimi i oficerëve të akademisë. Gjatë bisedës së lirë që zhvilloi me drejtuesit e stërvitjes ai dha mendimin që shpejtësia e shenjës ajrore të imituar të ishte më e madhe. Ishte koha kur aviacioni kishte marrë zhvillim të madh dhe palestinezët kërkonin të zotëronin artin e luftës kundër tij. “I thamë se kjo mund të realizohej me anë të mekanizmit të shpejtësisë dhe nuk përbënte ndonjë problem”,- shton ish-pedagogu. “Shumë mirë atëherë”, - tha Arafati. Më pas ai tregoi interes të veçantë edhe për granatat- prodhim shqiptar. Bëri qitje me 3-4 granata dore të tipave të ndryshëm. Arafati shprehu dëshirën të bënte qitje edhe me granatahedhës. “Sapo kishim marrë nga Kina granatahedhësit e lehtë kundër këmbësorisë me shënjestër të saktë, - kujton oficeri, që ia plotësoi menjëherë dëshirën Arafatit. Por, lehtësia me të cilën e përdorte granatahedhësin, tregonte se këtë lloj arme e kishte përdorur edhe më parë”, - vijon ai. Qitja e Arafatit me granatahedhës doli mjaft mirë.

Sipas rrëfimtarit, përkthyesi tregoi më pas se lideri palestinez kishte dëshirë të bënte qitje edhe me kundërtank. Por, meqenëse në poligon nuk kishte predha të tilla, u dërgua me ngut një makinë në magazinën e armatimit për të marrë disa predha kundërtanke. Ato erdhën për disa minuta, por nuk u përdorën. Kishte qenë një keqkuptim gjatë përkthimit me emërtimet e llojeve të granatave. Gjatë kohës së qëndrimit në Tiranë, Arafat ka inspektuar edhe trupat palestineze që stërviteshin pranë detashmentit të zbulimit në Zall Herr. Grupi i tyre zhvillonte stërvitje me program të rregullt, për të cilën u angazhuan tre katedra, ajo e përgatitjes së zjarrit, taktikës dhe xhenios. “Ky është një program për shqiptarët e vuajtur”,- kështu e kishte vlerësuar një nga drejtuesit e lartë të ushtrisë stërvitjen me palestinezët, që përgatiteshin si drejtues të niveleve të ulëta. Toga e tyre mbahej me evidencë të rregullt dhe për çdo ushtar shënohej niveli i përvetësimit të programit, ku përfshihej taktika, lufta me eksplozivë, atentatet, aksionet diversioniste, sampo, zbulim e kundërzbulim. Por, oficerët shqiptarë që stërvitnin palestinezët kanë qenë të pakënaqur me interesimin e tyre. “Midis palestinezëve kishte vagabondë, që e kishin mendjen të shkonin në shtëpi publike”, - kujton një nga ish-pedagogët. Megjithëkëtë stërvitja me palestinezët dhe ajo me indonezianët janë të vetmet që janë zhvilluar për një kohë të gjatë me programin më të plotë në regjistër, ndonëse emrat e tyre nuk kanë qenë të vërtetë. Të gjitha veprimet e pedagogëve kryheshin në sekret të plotë. Në krye të listave të fishekëve që duheshin dorëzuar te kapteri i armatimit shënohej: “Për të huajt” ose “Delegacion i huaj”. Por, në asnjë rast nuk cilësohej se për çfarë të huajsh bëhej fjalë.
***
Drejtoria II (Zbulimi)
RELACION
Mbi zhvillimin e mbledhjes mësimore me grupin palestinez Prej 16.1 deri 18.06.1971, pranë detashmentit të zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm, u zhvillua mbledhja mësimore me grupin e kuadrove palestinez. Në grupin mësimor gjatë gjithë periudhës së stërvitjes morën pjesë 30 veta. Me mbërritjen e grupit në vendin tonë, u diskutua programi me shoqëruesin e grupit Abu Ziad dhe pastaj me gjithë grupin ku u bënë disa ndryshime në të, duke shtuar orët për punë politike, përgatitje zjarri (topat pa zmbrapsje 75, 85 mm, mortaja 107, 120 mm, mitralozat kundërajrorë 12,7 mm e 14,5 mm), topografi etj. Kushtet për jetesë, punë, stërvitje, në bashkëpunim me drejtoritë e tjera në MM u krijuan para kohe dhe shërbyen si një bazë e mirë për realizimin e programit. Me qëllim që mbledhja mësimore të zhvillohej me nivel të lartë dhe të mos ndodhnin ngatërresa të ndryshme për zhvillimin e stërvitjes me ta, u caktuan kuadrot më të përgatitura të detashmentit, u instruktuan ata dhe studiuan literaturë për t’u njohur me problemin palestinez dhe luftën që bëjnë popujt arabë kundër zionizmit dhe imperializmit.

Pjesëmarrësit në grupin mësimor, kanë treguar interes të veçantë për përvetësimin e programit, kanë mbajtur një rregull dhe disiplinë të kënaqshme dhe në përgjithësi kanë pasur kërkesë ndaj vetes. Përvetësimi i programit nga pjesëmarrësit ka qenë i mirë. Në përgjithësi ata janë në gjendje që këto mësime që muarën në këtë mbledhje mësimore ta vënë në jetë. Ata nuk kanë nënvleftësuar ndonjë lëndë, por më aktiv dhe më mirë janë paraqitur në përgatitje zjarri sidomos në përdorimin praktik të armëve, në përgatitje taktike e taktikë special dhe në përgatitje xheniere. Gjatë qëndrimit të tyre pranë detashmentit pjesa dërmuese e grupit nuk ka treguar ndonjë interes të veçantë për t’u njohur ose biseduar me njerëz të veçantë që nuk kanë pasur lidhje pune me ta. Përpjekje për t’u afruar e biseduar me njerëz të tjerë ka pasur vetëm gjatë kohës së shtrimit të dy vetëve në spital.

Me qëllim që të njiheshin me sukseset e vendit tonë në ndërtimin e socializmit, ditët e diela kanë bërë vizita në objekte të ndryshme në Tiranë, Durrës dhe javën e fundit bënë edhe një turne në qytetet Vlorë, Sarandë, Gjirokastër e Berat. Më 26.6.1971, me të gjithë pjesëmarrësit e grupit mësimor u bë një mbledhje e lirë, për të shfaqur mendime, sugjerime, vërejtje për programin, metodën e stërvitjes, organizimin e jetës, aktivitetit dhe për kushtet materiale për stërvitje e jetesë. Lidhur me programin, pjesëmarrësit shprehën mendimin se ai siguron një përgatitje të mirë dhe u përgjigjet detyrave që ata do të zgjidhin. Megjithatë, ata shfaqën mendimin që në program të ketë më shumë kohë për përgatitjen xheniere, e sidomos për punën direkte me lëndët eksplozive, si një element shumë i rëndësishëm i përgatitjes së tyre. Gjithashtu, më shumë kohë kërkuan për mitralozat kundërajrorë 12,7 e 14,5 mm.

Instruktorët, sipas edhe të pohimeve të tyre, janë treguar vazhdimisht korrektë në sjelljet e tyre me pjesëmarrësit. Pjesëmarrësit folën mirë për kujdesin e treguar për ta nga shokët e caktuar për këtë qëllim dhe shprehën mendimin se atyre u ishin siguruar kushte të përshtatshme për jetesë, punë, stërvitje duke bërë që ta ndjenin veten si në shtëpi të tyre. Periudha 6 mujore, sipas tyre, kaloi shpejt. “Kishim me çfarë të merreshim”, programi ishte i ngjeshur. Nga vizita që bënë në jug të vendit tonë “krijuan një përshtypje më të saktë, më të plotë mbi sukseset tona në ndërtim. Më shumë përshtypje u kishte bërë Kombinati Mao Ce Dun dhe u shprehën se “ne nuk mendonim që një popull 2 milionësh të kishte një kombinat të tillë”.

Në fund të takimit ata falënderuan për gjithçka që ne kemi bërë për ta, për stërvitjen, kushtet e përshtatshme, kujdesin e treguar.
“Neve, thanë ata, na gëzon shumë fakti se ju armiqtë tanë i konsideroni dhe i keni dhe armiqtë tuaj”. Ata premtuan se do të vënë të gjitha forcat për të vënë në jetë ato çka mësuan këtu. Në mbrëmjen e datës 28.6.1971, me rastin e mbarimit të mbledhjes mësimore, u dha një pritje në shtëpinë qendrore, nga zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm Rahman Parllaku. Pjesëmarrësit në grupin mësimor, largohen nga vendi ynë më 30.06.1971.
Shefi i Drejtorisë së II,
Andon Sheti
(Pjesë nga libri “Guerilas made in Albania”, Botart 2016.)

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?