Nisja e debatit për emrat e kandidatëve për kryetar bashkie të Tiranës, ku sot janë përmendur tre emra që vijnë jashtë Partisë Demokratike, ka pasur impakt të mirë në opinion.
Qoftë si pasojë e reputacionit të emrave të përmendur: Edlira Çepani, Ermal Hasimja dhe Florjan Hackaj, qoftë edhe për zgjimin më në fund të opozitës për të bërë politikë.
Diskutimi dhe debati për kandidatin është pastërtisht një politikë, çka është punë për çdo forcë politike. Sa real është ky diskutim dhe a do të merren për bazë propozimet që dalin nga debatet nga lidershipi i PD, përkatësisht Berisha, kjo është punë tjetër. Gjithsesi, punë siç është edhe ajo batuta e famshme e filmit: ka sat ë duash për sot edhe për nesër. Përveç Tiranës, opozitës i duhet të gjejë edhe 5 kandidatët e tjerë.
Megjithatë, “buzëqeshjen” e mbështetësve të opozitës, ua ka ngrirë në buzë Gazment Bardhi, pore dhe eksponentë të tjerë të opozitës, që kanë nisur një sulm të egër ndaj Presidentit Bajram Begaj.
Një luftë politike, që duket po bëhet me qëllim për të zbehur entuziazmin që solli për pak orë dalja e emrave që nuk vinin nga “Kulla e Barit”. Dhe kjo është qartësisht një makinacion që hyn në ustallëkun e mjeshtrit të madh.
Lufta ndaj Bajram Begajt, është vetëm një batare në ajër me fishekë gjurmlënës për të bërë zhurmë e lënë shenjë, por jo një goditje e objektivit.
Kreu i shtetit nuk është fare një objektiv politik i opozitës, siç normalisht nuk ishte Erion Veliaj, për mënyrën dhe formën siç u agresua pas humbjes së zgjedhjeve të 2023.
Kemi të bëjmë me një logjikë absurde, pasi në fund të fundit, Presidenti Begaj, ka dekretuar sipas votës që edhe këshilltarët e PD-së kanë dhënë për Erion Veliajn.
Nëse PD do të kishte mbajtur një qëndrim të qartë politik për Veliajn në këshillin bashkiak, prat ë mos u atashohej kërkesës së mazhorancës, kishte çdo të drejtë të merrej me Begajn.
Për dekretin e të cilit, me arsye ka një debat juristësh e konstitucionalistësh, të cilët do të vijojnë me krejt legjitimitet. Ajo që mund të bëjë PD, përtej sharjeve të Bardhit dhe deklamimeve të Gjekmarkajt, është dërgimi i dekretit të kreut të shtetit në Gjykatën Kushtetuese.
PD, i ka të gjitha atributet ligjore, pore dhe mundësitë profesionale për ta ndërmarrë këtë hap që nuk është thjeshte logjor, por edhe një mënyrë reale e të bërit politikë, siç është politikë debati për emrat e kandidatëve.
Dalja e treshes së tre intelektualëve krijoi një përshtypje se kishim në “Zgjim të vonë” të opozitës pas një shock-u që u gjend nga bomba e Edi Ramës më 11 shtator.
Por me atë që ndodhi më pas, ky zgjim doli i stonuar, e sipas të gjitha gjasave me një qëllim që ngjan me politikën e vjetër që ka prodhuar “Kulla…”. Nuk është fare problemi ndërkaq sulmi ndaj kreut të shtetit, por realisht ai nuk është fare objektiv politik apo kundërshtar i opozitës. Është Edi Rama dhe mazhoranca…/ TemA
Komente
