Ylli Pata: FRESSH, “partia” binjake që lindi brenda së majtës në 1992

15 Janar, 21:13| Përditesimi: 15 Janar, 21:20

  • Share

Eurosocialistët shqiptarë që si akronim të gjithë e quajnë FRESSH apo FRESH shpallën krijimin e tyre më 15 janar 1992.

Prej atëherë, kjo ditë festohet rregullisht apo thuajse rregullisht nga Partia Socialiste. Por përveç kremtimit zyrtar, që është më shumë protokollar, personazhe të këtij grupimi politik e kremtojnë vetë në grumbullime të ndryshme në mes vetes ku flasin, festojnë, e tregojnë mërzitjen e tyre në shumicën e rasteve për mos plotësimine synimeve apo aspiratave që kanë pasur kur u ngrit kjo organizatë.

E cila edhe pse hyri në jetën politike si një grupim politik brenda PS-së, në realitet ishte më shumë se një kollonë lobuese, shërbeu gati si një parti paralele e së majtës, ku ngriti e uli politikanë të rëndësishëm të socialistve shqiptarë.

FRESSH, ka një histori krejt të ndryshme nga Partia Socialiste që lindi në gërmadhat e Partisë së Punës, në kongresin e 10 të saj.

Në gjysmën e dytë të vitit 1991, një djalë nga Kosova, që vinte si veprimtar i lëvizjes ilegale për çlirim kombëtar, i burgosur politik në burgjet serbe, kaloi kufirin ilegalisht. Ai quhet Haki Morina. Një djalë nga fshatrat e Klinës, zonë ndërmjet Rrafshit të Dukagjinit e Drenicës, e njohur për pjesëmarrjen e saj në lëvizjen e rezistencës. Djalë i një familje të madhe gurëpunuesish, Haki Morina kaloi adoleshencën dhe rininë e tij në burgjet e egra serbe, duke ju nënshkruar torturave nga më çnjerëzore sa gati humbi edhe dëgjimin. Në vitin 1991, Haki Morina, pjesëtar i një familje të shtreses së mesme e në gjendje të mirë ekonomike, vendos të largohet nga Kosova, pasi hyn në radhët e LDK-së, por nuk pajtohet me mënyrën që kjo forcë politike e shtyn politikën e saj. Hakiu ishte i majtë politikisht, por jo fanatik, madje në radhët e të burgosurve politikë të Kosovës, ishte njohur për një ballafaqim “ideologjik” në burgjet serbe me “Mandelën e Kosovës” Adem Demaçi.

1705349740_tgylogh.JPG

Në kohën kur Shqipëria ishte e dërrmuar në kohën e rrëzimit të sistemit komunist, Haki Morina mbërrin në Tropojë nëpërmjet maleve, në një aventurë të vështirë, dhe takon kreun e PS-së së Bajram Currit. Me vetëm rrobat e trupit e pa asnjë dyshkë në xhep, Hakiu mbërrin në Tiranë. Më pas shkon në selinë e PS-së, ku diskuton për politikë me elitën e majtë shqiptare që ishin profesorë e intelektualë të njour. Morina, më pas takohet me disa studentë: Pandeli Majkon, Lavdrim Krashin, Ilir Zelën, Arjan Kokoshin dhe Flamur Metallarin. Nga 6 vetë, 4 ishin nga veriu dhe 2 nga jugu(Majko kishte lindur në Tiranë po origjinën e kishte nga Gjirokastra).

Arrijnë në një përfundim që të krijojnë një grupim politik rinor të majtë, të cilin, me idenë e Haki Morinës e quajnë Eurosocialist. Udhëheqja e PS-së, jo vetëm e pranon, por e pret me entuziazëm. Ishte koha kur e majta shqiptare kishte legacy-në e rëndë të diktaturës komuniste, por edhe i hap rrugën një organizate të re politike brenda saj, që në fakt rezultoi të ishte realisht një parti paralele.

Në bashkëpunim me strukturat e PS-së, gjashtëshja themeluese mban takimin e parë kombëtar më 15 janar 1991.  Grupit fillestar i bashkohen mjaft të tjerë: intelektualë, pedagogë e studentë që më pas arritën të kapin maja në profesionet e tyre. Megjithatë emrat më të njohur ishin: Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Erion Braçe, Luan Rama, Alfred Trebicka, aktor e regjizor, Maks Caslli, pedagog i Ekonomisë, Anika Dokle mjeke, Jetmir Shpuza gazetar, Aulona Minga gazetare, Florion Serjani, Nestor Dede, Alket Tarifa, student, Adnand Ocelli, yll i futbollit shqiptar e të tjerë e të tjerë.

FRESSH u kthye shpejt në një realitet politik eksploziv. Hapi një gazetë me titullin “Kristal” që e drejtoi Luan Rama, ku në vend të pamfleteve politike dominonin krijimet poetike e lirike të freshistëve të etur për të botuar. Ku në shumicën e tyre ishin lirika dashurie.

FRESSH promovoi një modë në krahun “demokratik” ku menjëherë PD ngriti Forumin Rinor, e të njëjtën gjë bëri edhe Partia Republikane. Në botimet e para, të gjitha organet mediatike të forumeve rinore botonin poezi, pasi kishte etje për anticensurë, një dëshirë të madhe nga shumë krijues të rinj që ja kishte refuzuar ëndrat e tyre rinore censura komuniste. Megjithatë, pati edhe polemika, shpesh të forta e të idhëta, megjithatë dukeshin të shëndetshme.

Në vitin 1992, FRESSH çoi në Parlament Pandeli Majkon e Ilir Metën. Majko doli nga listat e favorizuara të PS-së në kuotën proporcionale, kurse Ilir Meta fitoi në mazhoritar direkt në Skrapar-Stalingradin e së majtës shqiptare, që i ndjeri Gramoz Pashko, në mënyrë metaforike propozoi ta rrethonin me tela me gjemba, ngaqë ishte “rezervati” i fundëm i së majtës shqiptare në Shqipëri.

Kryetar i parë i FRESSH u zgjodh Ilir Zela, një inxhinier elektronik nga Kukësi, e i gjithë grupi që ju bashkua eurocialistëve, student e intelektuale morën pjesë në fushatën elektorale të 22 marsit 1992. Fushatë që ishte e taksur me fitoren e PD-së, po i dha një frymë të re strukturës politike të Partisë Socialiste.

Pas 22 marsit 1992, eurosocialistët u kthyen nga një frymë në një parti, ku humbën idealet e mbizotëruan interesat.  Themeluesi kryesor i FRESSH, Haki Morina, i cili jetonte në shtëpi mysafirësh që e prisnin vendosi të largohet nga Shqipëria e të shkonte në Zvicër. Ku si azilant politik ju atashua Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, si gazetar i “Zëri i Kosovës” ku punonte në mënyrë vullnetare. Kjo ndodhi pasi askush nuk e ofroi Morinën si një politikan socialist. Por Haki Morina nuk ishte i vetmi, thuajse shumica e intelektualëve të tjerë nuk se patën impakt politik në PS. Të vetmit ishin Pandeli Majko e Ilir Meta, që ishin deputetë. Monika Kryemadhi u rrit si aktiviste relative e gjimnazeve të Tiranës, e cila së bashku me Ilir Metën drejtuan FRESSH-in e kryeqytetin. Nuk kaloi shumë dhe Monika e Iliri u dashuruan dhe u kthyen në çiftin politik më të rëndësishëm të eurosocialistëve.

 Në vitin 1995, FRESSH zhvillon kongresin e parë, ku përballë garuan Pandeli Majko me Ilir Metën. Fitoi ky i fundit që përveçse kryetar i FRESSH, u zgjodh edhe nënkryetar i PS-së.

Majko e Meta, nisën një lloj konkurence mes vetes, ku herë njëri tregohej më kritik ndaj PS-së, e herë tjetri më i afërt. Ishte koha kur lideri i opozitës Fatos Nano ishte në burg. Deri në vitin 1996, Ilir Meta krijoi një enturazh mes vetes në FRESSH, por që pati kundërshtinë e pjesës tjetër. Në kohën e mocionit të Fatos Nanos, Pandeli Majko u vu përballë Ilir Metës. Madje lexoi në kongresin e PS-së mocionin e Nanos nga burgu i Bënçës, e pas zgjedhjeve përfundoi i zgjedhur në kupolën e re të PS-së. Ilir Meta në një farë mënyre u shpall Non Grata, duke marrë mbi vete akuzat e flirtimit me Sali Berishën.

Ilir Meta nuk ishte në udhëheqjen e re të vitit 1996, porn ë zgjedhjet e 1997-s, Fatos Nano e çoi sërish në Skrapar, një zonë symbol për të majtën. Në qeverinë e re të socialistëve Meta u emërua sekretar Shteti në Ministrinë e Jashtme.

Por Fatos Nano i kërkoi Ilir Metës të linte mandatin e deputetit që të merrte portofolin, e ky i fundit nuk e pranoi. Në fund u arrit një kompromis e Meta nuk e la mandatin.

Në vitin 1998, Pandeli Majko u emërua kryeministër pas dorëheqjes së Fatos Nanos, që ishte një formulë socialisto-ndërkombëtare. E Majko afroi Ilir Metën si zv.kryeministër të tij, duke marrë përsipër të bëhet rivali politik i Fatos Nanos. Një betejë mjaft e fortë, dhe reale ku në fund, Majko humbi për pak vota, por betejën e bëri deri në fund. Majko në betejën ndaj Nanos kishte mbi vete fuqinë eurosocialiste, por që krahu i djathtë i tij Ilir Meta zgjodhi Nanon, me të cilin bëri një pakt pragmatik më pas për tu bërë kryeministër. Këtu vdiq FRESSH realisht.

Njerëzit pro Majkos dhe pro Metës u kthyen në kundërshtarë të fortë, ku nisi një luftë që më pas u importua në PS. Në fund siç dihet Ilir Meta kaloi jo vetëm në LSI por bëri edhe koalicion me Sali Berishën. Majko mbeti në PS, ku edhe është, e Meta është një kundërshtar i egër i socialistëve.

Pas Majkos e Metës, FRESSH ka vijuar, por jo më si organizatë por si pjesë e PS-së, një lloj leve që nuk ishte fare politike, më shumë propagandistike. Pas Metës në FRESSH u bë kryetar Gjergj Koja, që më ps bëri një parti të veten si Ilir Meta, LSI e më pas PL. Por ka edhe të tjerë që kanë bërë partitë e tyre. Siç ka ndodhur edhe me forumet e PD-së, PR-së edhe partive të tjera. Por Eurosocialistët e humbën realisht fuqinë e tyre kur Pandeli Majko me Ilir Metën u kthyen në kundërshtarë politik. Sidomos kur ky i fundit zgjodhi Sali Berishën si interlekutor. Megjithatë, në 33 vjet, edhe pse FRESSH ka qenë një fuqi politike potenciale e PS-së, Haki Morinën themeluesin e organizatës askush nuk e ka thirrur, edhe pse është një nga themeluesit e UÇK-së jo vetem personalisht por edhe familjarisht. Sot Haki Morina jeton sërish në Zvicër me familjen e tij pasi u zhgënjye jo vetëm nga PS por edhe PDK e Hashim Thaçit, për të cilën u impenjua shumë dhe është edhe sot një aktivist dhe militant i saj. Aktiv në rrjetet sociale, Morina flet shpesh për eurosocialistët, por edhe për Kosovën. Veçse sot në Tiranë, askush nuk u kujtua për të…/ Gazeta Tema

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Prena: 15/01/2024 21:53

    Haki Morina nje dite u "arratis" nga ish jugosllavia dhe erdhi ne Tirane per me kriju FRESH... Pa lidhje fare por vetem si bashkepuntor i ish sigurimit te shtetit. Nejse. Pas skandalit dhe korrupsionit te pare, Nano emeroi Majkon kryeminister. Si idiot natyral qe mbetet, nuk la budallik pa bere deri sa i dha gjithe tanket Delijorgjit per skrap, nder te tjera. E hupi fuqine kur u zu me Meten... se mender u be me Saline. Ne fakt me Saline u be rahmetlliu Dritan Prifti qe nen Meten e pare sla fonde ne KESH pa vjedhur. Ose mos ndoshta Majku u nda "eger" kur Meta beri Ramen kryeminister??? Varet. Nuk e kan thir Morinen por keto shkrime debatikase alla rampalliste jane vertet shtojca me e kote e bashkepunimit mendor.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?