Akti shokant i Edi Ramës për të shkundur 2 vjet pas zgjedhjes, thuajse të gjitha bashkitë që drejton PS-ja, duket si një mundësi perfekte për të gjithë opozitën që të hyjë në sistemin politik ekzekutiv.
Natyrisht, lëvizja e kryeministrit është pjesë e strategjisë së tij, siç ndodh gjithmonë të planifikuar për të mbajtur të karikuar makinerinë politike për të arritur objektivat e veta. Ku duket qartë se PS, e ka nisur fushatën e zgjedhjeve lokale, të cilat përkojnë në një vit kyç siç është 2027, kur edhe edhe afati i caktuar për mbylljen e negociatave me BE-në.
Nga ana tjetër, kjo gjendje, është një mundësi e artë nga opozita, natyrisht nëse kapet në momentin e duhur dhe trajtohet me seriozitetin e duhur.
Kritikat e pakënaqësitë e Edi Ramës për punën e thuajse të gjitha bashkive në rang vendi, janë një material fantastik për çdo opozitë, që nga këtu të ndërtojë narracionin, e të sfidojë mazhorancën me një ide dhe ekip më cilësor në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Duke propozuar kandidatë të freskët, të përgatitur e seriozë, krijohen prerrogativat e një përballje civile, pore dhe të një nivelit ë lartë në fushatën e ardhshme vendore.
Nivel, që sipas gjasave, jo vetëm do të ndihmojë opozitën, por të gjithë vendin, si për procesin e negociatave, si për imazhin në përgjithësi, por edhe në heqjen e kësaj atmosfere të rëndë polarizimi dhe urrejtjeje në shoqëri, ç’ka së paku ndihmon një përballje normale dhe një alternancë më civilizuese.
Nëse vijon statusquo-ja politike, ku siç po shikohet edhe në rastin e Thethit, opozita ka rënë në grackën politike të mazhorancës, do të kemi sërish avaazin e vjetër.
Ku njëra palë do dalë si mbrojtëse e ligjit, e pala tjetër do ta akuzojë si shkelëse dhe kërkon ndalimin e aksioneve në territor.
Nëse opozita do të bëjë betejë për Thethin, i ka të gjitha mundësitë për të bërë një betejë serioze dhe deri në fund. Duke e paditur në gjykatë qeverinë dhe strukturat e saj, e në të njëtën kohë mbron ata qytetarë që kontestojnë prishjet e ndërtimeve.
Rruga legale mund të vonojë, por në fund të jep një kartë që vjen fituese në kohën kur duhet më shumë. E mbani mend prishjen e mbikalimit të Zogut të Zi nga qeveria e Sali Berishës në 2006-n?
U bë gjithë ajo zhurmë, deklarata të ashpra dhe protesta, të cilat u shoqëruan edhe me një viktimë, ku humbi jetën një militant i PS-së. Qeveria shkatërroi të gjithë atë ndërtim për ta zëvendësuar me rrotullamën me shatërvan.
Edi Rama, kryetari i bashkisë së Tiranës dhe kreu i opozitës shqiptare e paditi qeverinë në Gjykatën Kushtetuese, e cila mori një vendim, ku e rrëzoi aktin e qeverisë.
Ai vendim, edhe pse nuk e ribëri mbikalimin, e goditi fort qeverinë e Sali Berishës, e cila humbi keqas zgjedhjet vendore të vitit 2007.
Ndërkaq, në situatën aktuale, kur po largohen të gjithë drejtorët, të cilët kanë qenë gjithashtu një pjesë e makinerisë së fushatës së PS-së, opozita ka mundësinë që të aktivizojë një ofensivë politike.
E cila do të duhet të ishte krejt ndryshe nga ajo që ka kryer deri tani për të tërhequr vëmendjen, arritur rezultat dhe krijuar një relevancë edhe ndërkombëtare.
Jo një skemë të vjetër të konferencave të mërzitshme dhe të njëtrajtshme të Sali Berishës. Por një process reaktiv dhe i hapur të një përzgjedhje transparente të kandidatëve për kryebashkiakë. Të cilët në fund të kalojnë në një garë reale dhe sa më demokratike.
Ky proces, i cili do të zhvendoset nga ish-selia e SHQUP në çdo bashki të vendit, mund të krijojë një galvanizim të ri politik, i cili mund ta vinte në vështirësi makinën elektorale të PS-së. Madje, kartën e hyrjes në BE, do të duhet ta marrë më fort opozita, duke sjellë argumente përse ata arrijnë më shpejt të mbyllin procesin.
Ndryshe, nëse vijohet me skemën e lidhjeve direkte nga selia dhe me panelistët e irrituar nëpër televizione, askush nuk do të ketë shpresë se po vjen një alternativë e re, përkundrazi do të vijohet të luhet me frikën.
Komente
