Jorida Tabaku, Yuri Kim dhe Karen Donfried

Ylli Pata: A erdhi delegacioni i lartë i SHBA për 'Kuvendin' e Sali Berishës?!

29 Prill 2022, 18:09| Përditesimi: 29 Prill 2022, 18:13

  • Share

“Rastisja” e vizitës së delegacionit të lartë të qeverisë së SHBA-së në vendet e Ballkanit Perëndimor me zhvillime të rëndësishme në të gjithë këto vende, është sinjal se diplomacia e lartë amerikane nuk vepron thjesht me axhendë të përcaktuar e planifikuar, por edhe është proaktive në zhvillimet që sjell aktualiteti.

Sidomos, pas agresionit rus në Ukrainë, thuajse çdo ditë ka një aktivizim thuajse live që nga Presidenti Joe Biden dhe qeveritarët më të lartë të SHBA në një diplomaci shumë frenetike.

Vetë Presidenti Biden konsultohet me aleatët e ngushtë të SHBA gati edhe 2 herë në ditë, kurse Sekretarët e Mbrojtjes dhe të Shtetit janë në terren papushim 24 orë/7 ditë që nga Europa, Azia dhe pjesë të tjera të botës.

Ballkani Perëndimor është një terren aktiv për diplomacinë amerikane prej kohësh, por pas agresionit rus, tempizmi dhe vendosmëria kanë marrë një zhvillim edhe më galopant, pasi rajoni ka qenë dhe është prapavijë e rëndësishme e interesave të atyre që quhen “palët e treta”; duke nisur me Rusinë e Putinit, Kinën por edhe vendet e Gjirit apo Turqia.

Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, në një intervistë të dhënë për televizionin T7 të Kosovës, deklaroi krejt qartë se SHBA kërkon që tani është koha për të bërë përparim në zgjidhjen e çështjeve që duhen çuar përpara, edhe për arsye se kemi një pauzë zgjedhore si në vendet e Ballkanit, por edhe në atë Europiane.

Që do të thotë që tani do të duhet që Shqipëria e Maqedonia të hapin Konferencat Ndërqeveritare me BE-së pasi u mbyllën zgjedhjet në Francë e Gjermani, po ashtu tani duhet të zgjidhen edhe çështjet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë, meqë në të dyja vendet janë kryer zgjedhjet. Kosova një vit më parë, kurse Serbia tani.

“Është një rast që ne nuk e kemi pasur më përpara, është një miksim i mundësisë dhe urgjencës që më bën të kem shpresë se është moment për të çuar përpara dialogun Serbi-Kosovë”, tha zonja Karen Donfried në intervistën për televizionin T7 në Prishtinë.

E është realisht një moment i rëndësishëm, ku pati edhe “rastësi” të tjera, siç ishte zgjedhja e qeverisë së re properëndimore të Dritan Abazoviçit në Malin e Zi, koalicion që është ndërtuar edhe me ndihmën e rëndësishme të SHBA e Bashkimit Europoan, posaçërisht Gjermanisë. i dërguari i Posaçëm i SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar, ka kryer ture thuajse të përmuajshme në Podgoricë ose me zyrtarët e Podgoricës.

Ndërkaq, SHBA me një diplomaci proactive, ka arritur që Beogradi të bëjë veprime politike distancuese nga Vladimir Putini, siç ishin dy votimet në OKB kundër cënimit të sovranitetit të Ukrainës. Ambasadori rus në Beograd, ka shantazhuar Serbinë se në 30 maj duhet të mbyllë marrëveshjen e re për furnizimin me gaz dhe Moska nuk do të presë një ditë më shumë.

Ndërkaq, dy zyrtarët e lartë të Ballkanit që vizituan të gjitha shtetet, e rajonit prej 6 vendeve që sot kanë një realitet krejt të ri politik me 3 kryeministra nga aleatët e ngushtë të SHBA, erdhën edhe në Tiranë ku është folur për partneritetin në Këshillin e Sigurimit me Tiranën zyrtare, bashkëpunimin e ngritur energjetik, ku gazi i lëngshëm amerikan tashmë është zhvillim i ri strategjik, porn ë radhë të parë për reformën në drejtësi e luftën ndaj korrupsionit. Kjo ishte rezultantja e qëllimit të vizitës në Tiranë të dy zyrtarëve të lartë të DASH: Karen Donfried dhe Gabriel Escobar.

Po a kishte sinjale të tjera kjo vizitë? Insistimi i qeverisë amerikane që në vizitat e zyrtarëve të saj të lartë të mos përfshijë audiencë me Ilir Metën, është tashmë një qëndrim i qartë, që për hir të së vërtetës nuk e aplikon vetëm Uashingtoni, por edhe Brukseli, Berlini dhe kryeqytete të tjera, madje edhe Erdogan që e ka homolog nuk e takoi Presidentin e Shqipërisë.

“Ndërsimi” i Evi Kokalarit ndaj zyrtarëve të DASH për të mos takuar Metën është një sinjal që kjo vizitë ka shqetësuar më shumë se çduket nga qëndrimet zyrtare.

“Më vjen shumë keq që shoh që çdo vizitë e kohëve të fundit nga zyrtarë të DASH kanë evituar takime me Presidentin e vendit.  Është gjë nën-saksione Presidenti i Shqipërisë? Nëse jo, pse po ofendohet kaq hapur kreu i vendit?  Ta ketë personale thua që i çon tek një njëri i rëndomtë dhe klloun si Alibeaj dhe haptazi injoron zyrën e Presidentit të Shqipërisë? Kjo NUK është diplomaci”, shkruan Kokalari, e cila nuk është sigurt për sanksionet ndaj shtron një pyetje retorike.

Por a kanë ardhur vërtet për Kuvendin e nesërm të Sali Berishës, siç e thanë edhe disa komentatorë dhe politikanë të PD-së sot?

Nuk ka gjasa që axhenda e qeverisë së SHBA të kushtëzohet nga ajo e Sali Berishës dhe tentativës së tij për të marrë PD-në me një “puç statutor”.

Nuk ishin takimet vetëm të delegacionit të lartë të SHBA, por edhe Komisionerit të Zgjerimit të BE-së, hungarezit Varhelyi që treguan se kë njohin dy fuqitë botërore si politikanë zyrtarë përfaqësues të Partisë Demokratike.

Përsëritja dhe përforcimet e qëndrimeve si të SHBA ashtu edhe të BE-së për mbështetjen ndaj grupit kundërshtar të Sali Berishës në PD, është vetëm një konfirmim se politika amerikane as nuk ndryshon e as nuk kondicionohet nga aktorë politikë lokalë.

E mbani mend kur Sali Berisha u shpall Non Grata se çfarë thuhej në panelet e darkës nga mbështetësit mediatikë të tij? Meqë Gabriel Escobar takoi presidencën kolektive të Bosnjës, pjesë e të cilës është edhe Dodik, ashtu do të takojnë edhe Berishën kur të marrë Partinë Demokratike.

Por axhenda e tyre po rruthet edhe me elementë të tjerë të “Lëvizjes së Intatosur me Amerikën”. Siç ka gjasa të rritet edhe lista e personave të “peticionit të famshëm”. Ku nuk është çudi të shtojnë edhe Presidentin Joe Biden, që në komentet e tyre online, njerëzit e foltores e shajnë më rëndë se Edi Ramën dhe Enkelejd Alibeajn…/TemA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?