Enkelejd Alibeaj

Opinion

Ylli Pata: Alibeaj show, PD e kërkon hetimin e 25 prillit si një spektakël teatral

22 Tetor 2021, 19:42| Përditesimi: 22 Tetor 2021, 19:47

  • Share

Partia Demokratike ka arritur të marrë OK-in e mazhorancës për të hetuar në Parlament zgjedhjet e 25 prillit.

Kuvendi ka ngritur komisionin përkatës ku kryetar është numri dy i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

Megjithatë, në gjithë këto ditë nuk është arritur ende të zgjidhen organet e komisionit, apo nuk është miratuar rregullorja.

Gjithsesi, Alibeaj, ka dalë nga dy herë në ditë para mediave, plus emisionet e darkës për të akuzuar socialistët se nuk kanë vullnet politik për të hetuar 25 prillin.

Tashmë, vullneti politik i mazhorancës, është i përcaktuar në votën që shumica ka dhënë në seancën plenare për të ngritur komisionin hetimor për zgjedhjet, e drejtë që opozitës, i është mohuar kur në pushtet ishte PD-ja, për zgjedhjet parlamentare të 2009-s.

Kur kërkohej vetëm hapja e kutive të materialeve zgjedhore.

Sot komisioni është mbledhur për të miratuar rregulloren e punës, sipas të cilës do të veprohet në procedurat e hetimit parlamentar.

Deputetët e mazhorancës kanë paraqitur një draft të rregullores, por kur ka ardhur puna tek miratimi nen për nen, Alibeaj nuk i ka ka futur në rendin e diskutimit, duke përcaktuar një rent të tijin për hetimin. E kështu situata ka shkuar siç pritej në përplasje e replica politike nga të dy palët. Kur me praninë e kamerave televizive, ky debat merr përmasa teatrale.

Parlamenti shqiptar nuk e ka për herë të parë ngritjen e komisioneve parlamentare, madje mbahet mend në vitin 2003, kur opozita ngriti një komision hetimor ndaj kreut të atëhershëm të bashkisë së Tiranës Edi Rama.

Ky komision që mori emrin “Komisioni Olldashi” u kthye në disa muaj, në lejtmotivin e debatit politik të vendit.

Por një komision hetimor, ka një rregull të përbashkët për procedurën se si do të kryhet hetimi, kush do ta ketë radhën në këtë process, si dhe thirrjen e dëshmitarëve, e mënyrën se si do të zhvillohen seancat.

Komisioni hetimor, nuk ka gjasa që të mbyllet përpara se të kryejë punën e vet, se ndryshe njëra palë do të ndëshkohet në publik.

Nga ana tjetër mund të ndodhë që në fund të mos arrihet me një material, por me dy raporte përfundimtare të palëve, të cilat do të miratohen detyrimisht në seancë.

Në traditën e komisioneve hetimore, përgjithësisht ka pasur gjithmonë dy material paralele pasi palët nuk kanë rënë dakord, por komisioni i ka kryer procedurat e hetimit.

Por duket që deri tani, PD-së i leverdis më shumë të flasë për hetimin e zgjedhjeve, sesa ta kryejë procesin qetësisht deri në përfundimin e punës.

Rregullorja e hartuar nga mazhoranca, paraqet në mënyrë të detajuar detyrat dhe angazhimet e kryetarit, anëtarëve të komisionit hetimor, por edhe mënyrën e zhvillimit të hetimit.

Ndër të tjera, drafti i rregullores nuk vendos parimin e kartonit të shumicës për të marrë vendimet.

“Në rastin kur votat ndahen në mënyrë te barabarte, propozimi apo projektvendimi quhet i pezulluar dhe rimeret në shqyrtim në mbledhjen pasardhëse.

Në rast se edhe në mbledhjen pasardhëse votat ndahen në mënyrë të barabartë, propozimi apo projektvendimi quhet i rrëzuar”, theksohet në draft.

Por duket se logjika e Alibeajt, është që ai ta shfrytëzojë rolin e kreut të komisionit si një One Man show, një auditor, ku ai të japë konsideratat e opinionet e tij.

Shkurt, foltoren e konferencave të shtypit të PD-së ta zëvendësojë me atë të Parlamentit, duke pasur edhe një skenografi me kundërshtarë që i përdor si “koka turku” për t’i sulmuar.

Një lloj “Foltoreje” për të barazpeshuar sado që të jetë e mundur atë të Berishës, e për të folur për një periudhë për “masakrën zgjedhore” por që nuk duan ta hetojnë.

KQZ hapi mbi 200 kuti votimi dhe rezultati i hetimit administrative për partitë ishte i njëjtë me ato të procesverbaleve.

Ky është realisht një hetim i zgjedhjeve, që duket se PD-së nuk i intereson, pasi jo masakër, por mund të dalë që komisionerët e saj kanë bërë tregti për votat preferenciale./TemA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?